Nga lumenjtë e Lumës tek sheshet e protestës

Arben Kola, udhërrëfyes turistik, aktivist mjedisor dhe një nga organizatorët e Revolucionit të Flamingove, është kthyer në një prej figurave më të spikatura të angazhimit civil, duke e lidhur kauzën e mbrojtjes së natyrës me kërkesën për një Shqipëri më demokratike dhe më të drejtë.

43
Arben Kola duke folur për SHTEG
Credits: shteg.org - Arben Kola duke folur për SHTEG

Kur agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters raportonte nga Laguna e Nartës për protestat kundër aeroportit të Vlorës, mes ambientalistëve që mbanin pankarta dhe kundërshtonin ndërtimin pranë habitatit të flamingove, ishte edhe Arben Kola. Reuters e identifikoi atë si një guidë turistike dhe aktivist që paralajmëronte se zhvillimi i pakontrolluar nuk do të sillte përparim, por shkatërrim.

Vite më vonë, kur flamingot e Nartës u kthyen në simbolin e revoltës qytetare që përfshiu Shqipërinë, emri i Arben Kolës u gjend sërish në qendër të një beteje që tashmë kishte tejkaluar kufijtë e ambientalizmit. Ajo që nisi si kundërshtim ndaj projekteve në zona të mbrojtura u shndërrua në një lëvizje kombëtare kundër korrupsionit, oligarkisë dhe mënyrës së qeverisjes.

Ka njerëz që hyjnë në jetën publike përmes partive. Ka të tjerë që bëhen të njohur përmes posteve, pushtetit apo karrierës. Arben Kola i përket një kategorie tjetër: atyre që dalin në shesh sepse nuk durojnë dot të rrinë spektatorë.

Për më shumë se një dekadë, ai ka qenë një nga zërat e vazhdueshëm të aktivizmit mjedisor në Shqipëri. Nuk e prezanton veten si politikan, as si lider. Përkundrazi, ai këmbëngul se është një qytetar që e ka nisur betejën nga vendlindja e tij, në krahinën e Lumës, mes maleve të Kukësit, aty ku fëmijëria e tij është formuar nga natyra, lumenjtë dhe zërat e shpendëve.

“Shokët më të mirë i kisha natyrën, zogjtë dhe gurgullimën e përroit”, rrëfen ai, duke e lidhur ndjeshmërinë e tij mjedisore jo me teoritë apo organizatat, por me mënyrën se si është rritur.

Kola e sheh mbrojtjen e mjedisit si një çështje ekzistence. Për të, dëmtimi i lumenjve, pyjeve dhe hapësirave publike nuk është vetëm problem ekologjik; është plagë sociale, kulturore dhe kombëtare.

“Ta filloj me fshatin tim, fshati Bele në Kukës. Gryka e Vanave, që ne i themi Gryka e Vonave, është ndër të parat e masakruara. Aty janë ndërtuar 9 hidrocentrale. Janë me qindra lumenj që janë masakruar, në veçanti në zonën e Librazhdit, për të cilën nuk flet askush”, thotë Arbeni.

Ai flet me zemërim për hidrocentralet e ngritura, për betejat në Valbonë, për Vjosën, për lumin Cem dhe Kanionin e Holtës. Në secilin prej këtyre konflikteve ai ka qenë i pranishëm, herë në protesta, herë në organizime qytetare, herë si zë kritik në forume ndërkombëtare.

Në vitin 2018, ai mori pjesë në një aktivitet në Parlamentin Europian si aktivist mjedisor, një përvojë që e përmend si dëshmi se çështjet e Shqipërisë nuk janë vetëm probleme lokale, por pjesë e një debati më të gjerë europian mbi zhvillimin dhe mbrojtjen e natyrës.

“Kam mbajtur një fjalim në Parlamentin Europian lidhur me mjedisin. Unë isha i ftuar si aktivist dhe kam shkuar me para borxh, që ta dinë edhe shqiptarët”, rrëfen Arbeni.

Udhërrëfyes nëpër Shqipëri

Arben Kola me një grup turistësh në Gramsh
Credits: Facebook – Arben Kola me një grup turistësh në Gramsh

Arben Kola nuk është aktivist me kohë të plotë. Profesioni i tij është ai i udhërrëfyesit turistik. Ai udhëheq grupe vizitorësh të huaj nëpër Shqipëri, duke u treguar historinë, kulturën dhe peizazhet e vendit. Pikërisht ky profesion e ka bërë edhe më të ndjeshëm ndaj transformimeve të territorit.

“Unë e dua, e dashuroj mjedisin. Ne nuk jetojmë pa mjedisin; mjedisi jeton pa ne”, thotë Arbeni.

Në rrëfimet e tij shfaqet shpesh kontrasti mes Shqipërisë që promovon tek turistët dhe Shqipërisë që sheh të betonizohet çdo ditë. Ai flet me keqardhje për hapësirat publike të humbura në Tiranë, për mungesën e parqeve për fëmijët dhe për ndërtimet që, sipas tij, po i marrin frymën qytetit.

“Protesta është kundër atij parku që ma kanë vjedhur, atij parku ku kam rritur djalin tim. Ata hapën një gropë tjetër dhe tani vajza ime dhe shumë fëmijë, e gjithë kjo pjesë që është zona e Hoxha Tahsinit, Rruga Bardhyl, Rruga e Barrikadave, Zogu i Parë, nuk kanë një park. E gjithë kjo pjesë nuk ka një park, një park të vetëm. Parku i vetëm ishte prapa Operës edhe këtë na e shitën, këta shpirtshitur”, vijon Arbeni, duke shpjeguar edhe arsyet pse sot është në ballë të protestës.

Ata që e njohin e përshkruajnë si të drejtpërdrejtë, emocional dhe të pakompromis. Ai vetë refuzon etiketën e liderit, por pranon se shpesh është gjendur në vijën e parë të organizimit. Në protestat e fundit, ai u bë një nga figurat më të dukshme në terren, duke ndihmuar në mobilizimin e qytetarëve dhe koordinimin e aksioneve që më pas morën përmasa kombëtare.

Në krye të protestës

Arbeni tregon se gjithçka nisi spontanisht, përmes kontakteve mes aktivistëve dhe qytetarëve të revoltuar. Nuk e paraqet veten si organizator të vetëm, por si pjesë të një rrjeti njerëzish që u bashkuan nga pakënaqësia e përbashkët.

“Me datë 30, mesa mbaj mend, unë isha në një tur në Tiranë. Siç e dini edhe ju, e solli Zoti në dritë atë tërheqjen që nxori në pah barbarizmin e këtyre oligarkëve, politikanëve që po i thithin gjakun këtij populli. Pashë që kishte një revoltë në rrjet. Luciana, duke qenë se ka luftuar për 4 muaj, më kërkoi të takoheshim. Unë atë ditë, me atë jelekun e verdhë, kam qenë duke udhëhequr 2-3 grupe holandeze me biçikletë. Në të njëjtën kohë, Luciana ka kontaktuar edhe aktivistë të tjerë”, rrëfen Arben Kola se si protesta nga Zvërneci u zhvendos në Tiranë.

Kur përshkruan ato ditë, ai kujton se sapo kishte mbaruar punën si guidë turistike. Mori megafonin dhe u drejtua te protesta. Fillimisht ishin pak veta. Më pas turma u rrit, njerëzit u bashkuan gjatë marshimit dhe energjia e revoltës u shndërrua në një lëvizje më të madhe se vetë organizatorët.

“Në 6 mbarova punën, në orën 6:10 shkova mora megafonin, në 6:15 u nisa dhe në 6:20 isha përpara drejtorisë. Te drejtoria nuk kishte shumë njerëz, por kur pamë figura të ndryshme që nuk i kishim parë gjithmonë, sepse vetëm 1 ditë më parë ishim vetëm 100 veta”, vijon të rrëfejë Arbeni.

Ajo që bie në sy në mënyrën si flet është refuzimi i vazhdueshëm për t’u identifikuar me politikën. Kola këmbëngul se nuk kërkon poste, nuk dëshiron karrierë politike dhe nuk e sheh veten si kandidat për pushtet. Përkundrazi, ai e konsideron rolin e aktivistit si një lloj vigjilence morale ndaj pushtetit, cilido qoftë ai.

“Unë s’jam politikan dhe s’dua të jem në politikë, dua të jem gjithmonë përpara të keqes, sepse në rast se të gjithë këta të ashtuquajtur të shoqërisë civile, sepse edhe shoqërisë civile i kam vënë një pseudonim, pseudoshoqëri civile, s’ka shoqëri civile, ka shoqëri me hile.

Në rast se dikush si në profilin tim dhe të tjerë aktivistë futen në politikë, atëherë kush do të jetë shembulli që në të ardhmen, kur këta të devijojnë, t’u dalë kush përpara? Ne duhet të ndërtojmë diçka që t’i rezistojë 50 viteve, 100 viteve të ardhshme. Ngadalë, back, se ka hendek”, tregon Arbeni.

Në shumë raste, fjalori i tij bëhet i ashpër dhe emocional. Ai përdor metafora të forta, shpreh zemërimin ndaj korrupsionit, oligarkisë dhe mënyrës se si, sipas tij, janë menaxhuar burimet publike.

Përkrahësit e shohin këtë si shenjë sinqeriteti dhe revolte qytetare; kritikët mund ta konsiderojnë si retorikë të tepruar. Por, pavarësisht këndvështrimit, është e vështirë të mos dallosh intensitetin emocional me të cilin ai i jeton kauzat e veta.

“Do të thoja që jemi disa nismëtarë, pastaj janë shumë të tjerë dhe s’dua të përjashtoj askënd. Ajo që dua të përcjell përmes jush: ne që sakrifikojmë më shumë dhe s’kërkojmë asgjë në këmbim, përveç një Shqipërie demokratike, ne po sulmohemi më shumë”, thotë Arbeni.

Në qendër të botëkuptimit të tij qëndron ideja e përgjegjësisë ndaj brezave të ardhshëm. Ai flet shpesh për fëmijët, për kohën që mendon se ua ka marrë familjes për shkak të aktivizmit dhe për dëshirën që një ditë t’i rikthehet më shumë jetës private.

“Unë s’dua politikë, unë dua një Shqipëri demokratike që t’u kthehem fëmijëve të mi, nuses sime, se që nga kthimi im nga Anglia në dhjetor 2010 i kam vjedhur shumë kohë nuses sime dhe është personi i vetëm që mund të më vërë me shpatulla pas muri. Kështu që dua të rri me fëmijët e mi, dua të shijoj punën me turizmin”, rrëfen ai.

Ajo që e dallon është fakti se nuk e lidh kauzën e tij vetëm me flamingot. Për të, flamingoja është simbol. Simbol i lumenjve të devijuar, pyjeve të prerë, parqeve të humbura dhe një vendi që, sipas tij, po humbet ekuilibrin mes zhvillimit dhe interesit publik.

“Më kanë thënë: ‘Mos, prandaj ke ngelur në shtëpi me qira, mos e bëj’. Dhe unë kam thënë se do ta bëj atë timen, dalëngadalë, në atë pjesën e ndërgjegjësimit. Por ky është një vullnet i fëmijëve të palindur, i atyre që kanë lindur, i atyre që janë duke u rritur, i rinisë, i moshës së tretë, që kanë sakrifikuar shumë, dhe i Zotit lart. Nuk është diçka as e Benit, as e Hasanit; është një vullnet që Zoti ka vendosur që popullin shqiptar të mos e harrojë”, rrëfen Arben Kola.

Një nga ëndrrat që përmend është hapja e një qendre edukimi për të rinjtë, ku të mësohet qytetaria, integriteti dhe rezistenca ndaj servilizmit. Në vizionin e tij, ndryshimi afatgjatë nuk vjen nga protestat e pafundme, por nga formimi i brezave që nuk e pranojnë padrejtësinë si normalitet.

“E ndjej, është një telepati që e trashëgoj ndoshta që nga vegjëlia, duke pasur besim në Zot, por edhe te zanat e malit, se më ka rritur nana me këto histori dhe nuk mund ta evitoj. Nëse do të kem jetë, dua që në të ardhmen të hap një qendër edukimi për të rinjtë, për fëmijët, që të mos bien pre e servilizmit, që të mos shesin shpirtin, trupin e tyre, që të vendosin themelet njëherë e mirë dhe shqiptarët të mos bëjnë protesta, por të bëhemi si zviceranët, norvegjezët, të biem në qetësi dhe të shijojmë atë që na ka dhënë Zoti”, përfundon Arbeni.

Për të kuptuar Arben Kolën, duhet ta imagjinosh si një njeri që lëviz mes dy botëve.

Mes maleve të Lumës që e formuan dhe Tiranës që e revolton; mes grupeve turistike që i udhëheq çdo ditë dhe protestave ku mban megafonin; mes dëshirës për një jetë të qetë familjare dhe bindjes se nuk mund të heshtë përballë asaj që e konsideron të gabuar.

Ai nuk paraqitet si shpëtimtar, as si politikan. Në narrativën e tij, Arben Kola është thjesht një qytetar që beson se dashuria për vendin fillon nga mbrojtja e lumit, e parkut, e pyllit dhe e së drejtës për të ngritur zërin kur mendon se ato po humbasin.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.