Do ta nis nga njohja me Tanin. Gjatë luftës së Kosovës, diku nga marsi i vitit 1999, më qëlloi të takohesha me Sabitin (Gecin), i cili, përtej emrit që kishte si bashkëvendas dhe bashkëluftëtar i Adem Jasharit, mbante edhe reputacionin e një njeriu të ashpër, ndaj të cilit një pjesë e atyre pranë LDK-së kishin shumë frikë, ndoshta me të drejtë.
Sabiti ishte me paterica, pasi ishte plagosur. Unë mendova se do të shoqërohej nga disa njerëz, por në fakt me të ishte vetëm një djalë i ri, i vogël në shtat dhe i hollë. Ai ishte Dritani i sotëm. Në atë moment nuk e njoha, por kuptova se ishte nga Shqipëria.
Disa ditë më vonë, po flisja me të ndjerin Rramush Tahiri, ish-zëvendëskryeministër i Kosovës, i cili më kujtoi se Dritani ishte ai piloti i ri ushtarak që, së bashku me pilotin tjetër, të ndjerin Sallaku, na kishte transportuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë (ku zëvendësdrejtor ishte Presidenti i sotëm, Bajram Begaj), kur ishte plagosur gazetari francez. Sheshi ku do të ulej helikopteri ishte siguruar dhe garantuar, me kallashnikov në dorë, nga i ndjeri Fatmir Haklaj, së bashku me Feriz Kernajën.
Më vonë u informova dhe mora vesh se Tani, piloti ushtarak, ishte djali i njërit prej pedagogëve tanë në shkollën ushtarake, Dilaver Goxhajt, i cili kishte shkuar në Kosovë dhe ishte bërë zëvendës i Shefit të Shtabit, Bislim Zyrapit. Bashkë me të kishin shkuar edhe disa oficerë të tjerë.
Dritani, pasi kishte lënë aviacionin ushtarak dhe kishte shkuar në UÇK, kishte marrë me vete edhe tre oficerë të rinj, shokë të tij dhe pilotë ushtarakë. Mosha bën të vetën; ishin të rinj dhe lufta e kishte çuar adrenalinën patriotike në maksimum kudo ku kishte shqiptarë.

Përfundon lufta dhe qeveria e përkohshme vendoset në Prishtinë. Azem Syla, komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, bëhet ministër i Mbrojtjes i Qeverisë së Përkohshme me kryeministër Hashim Thaçin. Daja (Azemi), ministri nga Drenica, kishte marrë si këshilltarë dy ushtarakë nga Shqipëria, Dilaver Goxhajn dhe Spiro Butkën, të cilët kishin qenë në UÇK.
Për këtë arsye, familja e vogël e Dilaverit, bashkëshortja e tij, gjithashtu ushtarake, dhe motra Rezi, studente e IT-së, u vendosën në Prishtinë. Ritakohem disa herë me Dritanin dhe disa nga shokët e tij të UÇK-së nga Kosova dhe Shqipëria, për biseda të lira politike, por asgjë më shumë.
Fillon lufta në Preshevë. Unë punoja për agjencinë ANSA në Kosovë dhe shef kisha Carlo Bollinon, i cili më thotë se duhet, s’bën, të shkojmë e të bëjmë një reportazh në luftën e UÇPMB-së.
U lidha me dikë që më tha se dy nga komandantët i njihja mirë: Tan Goxhaj-t dhe Agron Haradinajn. Epo, thashë, si rrihet këtij, do ta vrasin andej, djalë i vetëm.
Nejse, nisemi me Carlon, kalojmë kufirin, ku ushtarët amerikanë ulërinin: “Ku po shkoni, kush jeni?”, etj., etj…
Diku na ndalon një njësi e UÇPMB-së. Ishte Dritan Zheqi, shoku i Tan Goxhajt, i cili ishte pak më andej, bashkë me Agronin, të cilët më njohën dhe ja bënë me dorë: lërini të largohen, pasi më njihnin mirë.
Me të drejtë, Dritani kishte inat me Shqipërinë në atë kohë, pasi qeveria shqiptare, me Metën kryeministër dhe Hajdaragën ministër, i kishtin përzënë nga ushtria oficerët shqiptarë sepse kishin braktisur ushtrinë dhe kishin shkuar në UÇK.
Mbaron lufta në Preshevë dhe qeveria e përkohshme në Kosovë ishte tërhequr; tashmë ishte qeveria e UNMIK-ut dhe familja Goxhaj ishte kthyer në Tiranë, në shtëpinë e tyre në rrugën Bardhyl, ish-ushtarakë të papunë.
Dritani rrinte në Prishtinë dhe një ditë të bukur kthehet në Tiranë. Del lajmi se policia e Tiranës kishte arrestuar një terrorist nga Kosova.
Bollino dhe Çani më thonë mua në redaksi: “Shko ti dhe Artan Hoxha, se ti njeh Kosovën, e Tani policinë e Tropojës.” Ç’të shoh në Drejtorinë e Tiranës: “terroristi” ishte Tani.
Sokol Bizhga e kishte ndaluar, se “letrat” ia kishte bërë Sokol Bare, ish-zëvendësdrejtor i SHISH-it në atë kohë, ish-oficer policie edhe ai.
Unë, që i njihja intrigat e Kosovës, thashë: do të jetë përzier në ndonjë konflikt të brendshëm post-UÇK në Kosovë (se në atë kohë kishte shumë) dhe i paskan bërë ndonjë intrigë.
Policia manipulon median e Tiranës dhe, të nesërmen, Tani ishte në burg dhe “terrorist” i rrezikshëm, në atë kohë i lidhur me Al-Kaedën, se Irani s’ishte në modë. Policia jonë kishte thirrur madje edhe oficerët e ambasadës amerikane për t’u treguar trofeun “terrorist”; ata e panë, e njohën, qeshën dhe u larguan duke u thënë që ky mund të ketë lidhje me gjithçka, por jo me terrorizmin.
Takoj babanë e vet, Dilaverin, për një kafe; i mërzitur më thotë: “Këta të Berishës na persekutuan si me qenë serbë, se ne jemi nga Jugu. E ju socialistët”, më thotë, “na persekutoni se ne jemi lebër, se jeni lidhur me grekët.” Helbete, kryetar ishte Fatos Nano dhe kryeministër një nga Malësia e Jugut, si Dilaveri që ishte nga Golemi i Gjirokastrës, Ilir Meta nga maja e Cepanit në Skrapar.
Nejse, një vit më vonë Tani, që ishte arrestuar me shumë bujë, lirohet pa bujë fare; i kishin rënë të gjitha akuzat dhe, si t’ia bënin, e dënojnë se kishte braktisur ushtrinë si oficer i aviacionit dhe kishte shkuar në UÇK.
Natyrisht i mërzitur, në vitin 2002, bashkë me familjen shkojnë në Prishtinë, ku disa ish-bashkëluftëtarë i ndihmojnë ekonomikisht me shtëpi e punë dhe mbijetojnë. Rezarta mbaron studimet në Prishtinë.
Në vitin 2005, kur socialistët kishin dalë në opozitë, familja Goxhaj ishte kthyer në Tiranë. Tani, bashkë me ta, si njeri asket me pak pretendime, hante bukë një herë në ditë, me shumë pak shokë dilte pak dhe një ndër ata që e merrte më shumë për të dalë isha unë; rrinte me mua kur kisha kohë.
Më thotë: “Më ndihmon dot se jemi të gjithë pa punë, motra ka mbaruar shkëlqyeshëm inxhinierinë dhe nuk ma marrin në punë?”
E marr dhe shkoj te zyra e Lulzim Bashës dhe i them se vajza e kujt ishte Rezarta nga Gjirokastra. Dhe Luli më thotë se na duhen njerëz të rinj të përgatitur, aq më shumë që është vajza e Dilaverit.
Lulzim Basha, në atë kohë ministër i Infrastrukturës, kishte ardhur nga Kosova.
“E di,” më tha, “që janë nga Jugu, familje socialistësh, por janë patriotë.”
Tani, me PD-në në pushtet, të shkretët u bënë edhe socialistë.
Dy vjet më vonë i shkoj në dasmën e motrës, Rezit, dhe takoj edhe nënën e Dritanit, e cila më thotë: “O Ilir, më kanë ngelur edhe pak vite për pension dhe unë jam inxhiniere ushtarake kimike. Kam dëgjuar se po kërkojnë prapë kimistë në ushtri; ti, meqë je këshilltar i Sigurisë Kombëtare, a mund t’ia thuash gjeneralit Lad Qiriazi?”
I them gjeneralit dhe me kënaqësi e merr në punë, aq më shumë që e njihte zonjën. Tashmë, me dy veta në punë dhe pak të sistemuar, familja ishte më mirë. Jeta ishte modeste në periferi të Tiranës, por si çdo familje ish-ushtarakësh ia dilnin.
Një vit më vonë Dritani mundohet të emigrojë në Holandë për rreth një vit; me katër gjuhë të huaja dhe me eksperiencë, ndoshta rregullohej. Nuk zgjati shumë, se nuk i prin fati. Dilaveri, babai, sëmuret dhe ka nevojë për katër bypass-e. Djali i vetëm kthehet të rrijë me familjen dhe prindërit.
Ndërkohë unë, me hallet dhe punët e mia, kisha krijuar familje dhe shiheshim shumë rrallë, por do t’i shkoja në spital. Mbaj mend që kam shkuar, më duket, me prefektin e sotëm, ish-prokurorin e atëhershëm, mikun tim Shkëlqim Hajdari.
E shoh Dilaverin, ishte keq. Pimë një kafe me Dritanin, i cili më thotë: “S’kam ç’të bëj tani, s’shkoj dot më askund, duhet të rri se prindërit po bëhen të moshuar.”
U përpoqa t’i gjej një punë te Casa Italia si përgjegjës sigurie, ku vazhdoi ca kohë dhe pastaj u largua. Punoi ca kohë si shef sigurie te Casa Italia dhe pastaj Denion Ndrenika, gazetari ortodoks, mik i Dritanit nga Kosova, e merr të punojë te Siguria e Aviacionit Civil.
Dritani, me karakterin e vështirë që kishte, nuk i firmoste disa procedura aspak transparente të drejtorit të madh; këtë radhë LSI vendos ta largojë. Listat i kishte bërë Elona Guri, sekretare e rëndësishme në parti, pasi drejtoria i përkiste LSI-së; kishin vendosur ta hiqnin.
I shkoj Elona Gurit dhe i them: “Njeriun më asket dhe më të pakorruptueshëm keni ndërmend ta hiqni, si s’ju vjen turp?”
“Jo,” më thotë Elona, “më kanë thënë që janë familje socialistësh, t’ia gjejnë ata një vend pune.”
I thashë: “Të kanë gënjyer, është thjesht një njeri fatkeq, pilot i mirëshkolluar, patriot e hallexhi.”
Nejse, nuk ndryshoi. Pak më vonë menduan ekipi patronazhist ta nxirrte me LSI-në dhe ta hiqnin nga puna.
Ndërkohë kishte njohur një pedagoge dhe ishte martuar. Më merr një ditë në telefon dhe më thotë: “Duhet të të qeras se u bëra baba me djalë.”
Shkova dhe e urova me kënaqësi. E pyes: “Ç’u bë për punë?”
Më thotë: “S’ka problem, gruaja është pedagoge vetë, bëj ca përkthime, një shtëpi me qira e kemi marrë, s’kemi lekë të marrim dado; pak më ndihmon mami, merrem me rritjen e djalit.”
M’u bë qejfi sinqerisht.
E takoj kur arrestohet Hashimi me Rexhep Jakupin e të tjerë; ishte mërzitur shumë.
Më thotë: “Turp, ç’është kjo punë e tërë?”
Unë, si oportunist, i them: “Po shih punët e tua.”
“Jo,” më thotë, “duhet t’i thuash Presidentit e të tjerëve të mbajnë qëndrime të forta.”
E shoh që kërkonte dokumente, shkruante, jepte intervista kundër prokurorisë dhe gjykatës, dhe ditën kur dënohet Sali Mustafa, miku i Dritanit, i godet me emër dhe mbiemër disa nga dëshmitarët e rremë të gjykatës nga Shqipëria dhe Kosova.
E marr në telefon dhe i them: “O Tan, mos u merr me atë punë, se Gjykata Speciale në Kosovë dhe këtu po të marrin dhe po të mbyllin në burg.”
Dhe ashtu ndodhi.
Një ditë të nxehtë vere, para tre vitesh, më merr miku im, prof. Ermir Gjinishi, dhe më thotë: “E morën në burg komandantin.”
“Kë mor?” i them. “Tanin?”
Shkoj takoj prindërit e moshuar, të mërzitur shumë, gruan me fëmijën e vogël, miq nga Kosova dhe Maqedonia që më merrnin në telefon.
Ç’të bëja? Shkoj te Erion Veliaj në zyrë, sepse nëna e tij, ushtarake, kishte punuar me babanë e Dritanit në Akademinë “Skënderbej”.
Erioni merr në telefon Ulsiun, ministrin e Drejtësisë.
“S’kam ç’të bëj,” thotë Ulsiu, “Haga është sipër meje.”
Shkoj në gjyq; kishin ardhur gjashtë veta nga Gjykata e Hagës dhe një nga ambasada amerikane për ta ekstraduar në Hagë, sepse kishte thënë emrat e dëshmitarëve, jo se si dija edhe unë, por thjesht s’ma mbante.
Shyqyr që Gjykata e Apelit nuk e ekstradoi, se do të ishte akoma në burg.

Në këto kohë e kam parë që më bënte “konkurrencë” nëpër studio televizive si analist ushtarak, sepse e vërteta është që punon shumë dhe është goxha i përgatitur; herë ia fut kot e herë jo, por, tek e fundit, si të gjithë ne që dalim nëpër banakët televizivë dhe marrim edhe ndonjë honorar.
E shoh para ca kohësh që ishte bërë hero i TikTok-ut; ç’nuk i kishte thënë Fredi Belerit. Madje i kishte thënë se “ti je agjent i SHISH-it”.
Mbrëmë, teksa kthehesha nga Kosova, më nis një mik në WhatsApp kërkesat e protestës me zërin dhe figurën e Dritanit. Kur mbërrij në Tiranë, shoh kundërpërgjigjen e Taulantit, shokut tim të vjetër socialist, që e përshkruante si agjent të Iranit.
Në fakt, me jetën e Dritanit kjo i mungonte.
Se agjent të Izraelit i kishin thënë një herë para 15 vitesh, kur shoqëronte një mikun tim ushtarak izraelit, Nir Shaul. I mungonte vetëm kjo e Iranit. Por mirë, e kuptueshme; në këtë tollovi që është krijuar, gjithçka gjen vend dhe gjithçka mund të thuhet.
Tani kam një pyetje retorike. Kush nga ju, po të kishte pasur një jetë si ajo e Dritanit, i shkolluar jashtë, me katër gjuhë të huaja dhe me kaq shumë halle, a do të ishte sot në protestë apo jo?!
Sa për mua, unë ia njoh mirë mendjen. Ai s’ka frikë nga asnjë lloj pushteti, asnjë lloj kërcënimi, banda e banditë jo e jo, të çdo lloji dhe me sa lekë të duan.
S’ka miliarder që ta kërcënojë, sepse është lloji i njeriut që s’i do lekët dhe luksin; si asket që është, shkon e rri i vetëm në mal.
Kështu që, duke i vënë një “akuzë” më shumë, nuk e dobësoni, vetëm e forconi.
Njerëz si Dritani merren vesh me të mirë, se me të keqe s’ia del dot kurrë, sepse nuk janë oportunistë intelektualë, si unë.






















