Një valë e paprecedentë procedimesh penale po shoqëron protestat e javëve të fundit në Tiranë, ku dhjetëra qytetarë, kryesisht të rinj, janë vënë nën hetim në një kohë të shkurtër. Në total, në 19 ditë proteste, numri i personave të proceduar në gjendje të lirë ka arritur në 85, ndërsa ndaj tyre rëndojnë kryesisht akuza për “cenim të rendit dhe qetësisë publike”, “pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “organizim e pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme”.
Arilda Lleshi është një nga personat e proceduar në kuadër të protestave në Tiranë, ku në vetëm tre ditë ndaj saj janë regjistruar tre procedime penale. Ajo akuzohet nga Policia e Tiranës për cenim të rendit dhe qetësisë publike, ndërsa vetë aktivistja i kundërshton akuzat, duke deklaruar se në një nga rastet nuk ka qenë fare e pranishme në marshim.
Aktivistja e lidh procedimin ndaj saj me faktin se është një prej 3 nismëtarëve të cilët mundësojnë lejen zyrtare dhe procedurat ligjore për zhvillimin e protestës, ndërsa theksoi se për procedimin e tretë ndaj saj, ajo është njohur nëpërmjet medias, pasi strukturat e policisë nuk e kanë thirrur për të dhënë deklaratat e saj.
Por, Arilda është vetëm një prej shumë protestuesve, të cilët në një formë të ngjashme, lexojnë emrat e tyre në raportime mediatike duke mësuar se janë proceduar nga policia.
Mateo Yskollari, një student në vitin e parë Master në Fakultetin e Inxhinierisë, lexoi emrin e tij në faqen web të një mediaje, në të cilën ai përmendej si një ndër protestuesit e proceduar nga Policia.
Së bashku me të, u proceduan edhe 15 persona të tjerë, kryesisht të rinj dhe studentë, të akuzuar për “prishje të rendit dhe qetësisë publike”.
Marshimi i një dite më parë, gjatë të cilit një grup të rinjsh ishte futur në një strukturë të improvizuar nga Bashkia Tiranë për ndjekjen e ndeshjeve të Kampionatit Botëror të Futbollit, u bë shkak për ndërhyrjen e policisë dhe marrjen e masave ndaj protestuesve, pjesa më e madhe prej tyre studentë.
“Më thirrën në komisariat për të dhënë deklarime. Më thanë se në pamjet filmike unë shfaqem në krye të protestuesve. Kjo ka mjaftuar për procedimin tim”, tha Yskollari për “shteg.org”.
Ai tregon më tej se në komisariat, oficerët nuk e kanë pyetur në cilësinë e personit nën hetim, por si person në dijeni të fakteve, duke ngritur pikëpyetje të tjera edhe mbi mënyrën se si është trajtuar procedura.
“Atje më thanë mua dhe avokatit tim se po deklaroja si person në dijeni të fakteve dhe jo si person nën hetim, ndërkohë që njoftimi zyrtar i policisë më rendiste si të proceduar penalisht. Më pas na thanë se komisariati ku po jepja deklaratën nuk kishte informacion mbi procedimin”, tregoi ai.

Një situatë të ngjashme përshkruan edhe Ali Didastari, një tjetër student i proceduar për të njëjtat akuza, i cili thotë se ende nuk është kontaktuar nga policia për të dhënë deklaratën e tij.
“Unë shoh emrin tim në media, dhe aty kuptoj se jam i proceduar” Si mund ta dijë media përpara meje?” -tregon studenti.
Studentët kanë qenë ndër zërat më aktivë të protestës që prej fillimit të saj. Nga “podiumi i sheshit” i ngritur përballë Kryeministrisë, ata kanë denoncuar mungesën e mundësive, meritokracisë dhe perspektivës, duke argumentuar se këto fenomene po i shtyjnë të rinjtë të largohen nga Shqipëria.
Sipas tyre, vendi po funksionon mbi një sistem klientelist dhe nepotik, ku avancimi profesional dhe mundësitë varen më shumë nga lidhjet politike sesa nga merita.
Kjo i shtyn ata të besojnë se procedimet dhe bërja publike e emrave të tyrë në media, është një formë presioni për ti bërë ata të tërhiqen.
“Si i ri, e shoh me shqetësim këtë situatë. Më krijohet përshtypja se procedimet ndaj të rinjve mund të kenë efekt presioni dhe demotivimi, duke krijuar frikë që ata të mos angazhohen dhe të mos shprehin mendimin e tyre. Megjithatë, këto procedime nuk na ndalin. Përkundrazi, na motivojnë më shumë, sepse po procedohemi për atë që ne e konsiderojmë interes publik dhe kombëtar”, tha Yskollari.
Në 19 ditë proteste, numri i personave të proceduar në gjendje të lirë ka arritur në 85, ndërsa teksa procedimet janë shtuar pothuajse çdo ditë, protestues, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë ligjorë argumentojnë se ato po përdoren si një mjet në duart e autoriteteve për të ushtruar presion ndaj pjesëmarrësve duke krijuar një klimë frike dhe pasigurie.
Në të njëtin prizëm, edhe publikimi i emrave të personave të proceduar në media shihet prej tyre si rezultat i rrjedhjeve të qëllimshme të informacionit, të cilat, sipas kritikëve, shërbejnë për të njëjtin objektiv: intimidimin e protestuesve dhe frenimin e mobilizimit qytetar.
“Kufiri’ mes rendit publik dhe presionit ndaj protestuesve

Në ditën e 16-të të protestave në Tiranë, marshimi i protestuesve kaloi nëpër Rrugën e Durrësit, Laprakë dhe ish-Sheshin “Shqiponja”, duke vijuar drejt Rinasit, çka solli bllokimin e autostradës Tiranë–Durrës.
Të nesërmen, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë veprim si “një marshim qorr i drejtuar nga mendje të liga në emër të një revolucioni imagjinar”. Pak orë më vonë, Policia e Shtetit njoftoi nisjen e procedimeve penale ndaj 19 personave për veprat “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Mbrëmjen e së enjtes, policia njoftoi procedimin e 23 protestuesve të tjerë nën dyshimin se kanë organizuar dhe drejtuar pjesëmarrësit, duke penguar qarkullimin e lirë të mjeteve në disa rrugë të Tiranës, ndryshe nga itinerari i njoftuar paraprakisht.
Vetëm pak orë më vonë, një valë tjetër procedimesh ndaj 27 personave të tjerë u njoftua nga Policia e Tiranës. Akuzat mbeten të njëjta, ndërsa numri total arrin në 85 procedime vetëm në 4 ditët e fundit të protestës.
Një rritje dukshëm eksponenciale, për të cilën qytetarët dhe aktivistët shprehen të shqetësuar.
Ata ngrenë dyshime se policia po përdoret nga autoritetet si mjet për të shpërndarë protestën, duke ngjallur frikën te qytetarët se aktivizmi në protestë mund t’i bëjë pjesë të procedimeve.
Për Rigels Xhemollarin, drejtor ekzekutiv i Organizatës Rinore “Qëndresa Qytetare”, aktet e policisë janë një derivat i deklaratave të kryeministrit Rama, i cili po përdor forcat shtetërore për të sfumuar protestën e qytetarëve.
“Sjellja e Policisë nuk është profesionale. Ajo po funksionon si një mekanizëm politik në mbrojtje të Kryeministrit dhe deklaratave të tij. Një polici që financohet nga taksat e qytetarëve duhet të garantojë sigurinë dhe të drejtat e tyre, jo të përdoret për të frenuar pjesëmarrjen qytetare”, tha ai.
Sot pritet të zhvillohet protesta e 20-të radhazi përpara Kryeministrisë, ku qytetarët kërkojnë, ndër të tjera, dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe largimin e klasës së vjetër politike. Deri më tani, as deklaratat e kryeministrit dhe as akuzat e ngritura ndaj protestuesve nuk duket se kanë ndikuar në pjesëmarrjen e qytetarëve, të cilët vijojnë të mblidhen çdo mbrëmje në qendër të Tiranës.
Megjithatë, aktivistët paralajmërojnë se pasojat e mundshme të procedimeve penale mund të jenë afatgjata. Ata theksojnë se një vendim i formës së prerë, veçanërisht për të rinjtë, do të ishte “një damkë” që do t’i shoqëronte gjatë në rrugëtimin e tyre, edhe pse në fakt, ata po kërkojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë, një e drejtë e respektuar në çdo vend demokratik.
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.






















