Organizatat mjedisore kërkojnë pezullimin e projektit strategjik në Ishullin e Sazanit

Projekti 1.4 miliardë eurosh vlerësohet si kërcënim për zonën e mbrojtur Karaburun-Sazan dhe angazhimet e Shqipërisë ndaj BE-së.

741
Ishullli i Sazanit
Credits: ppnea.org - Ishullli i Sazanit

Një koalicion prej 41 organizatash mjedisore nga 28 vende të ndryshme i ka kërkuar qeverisë shqiptare të pezullojë projektin e miratuar për ndërtimin e një resorti luksoz në Ishullin e Sazanit, i vetmi ishull i Shqipërisë, i rrethuar nga Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan.

“Ky projekt dhe mënyra se si është miratuar janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me angazhimet e Shqipërisë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian,” shprehen organizatat në një letër drejtuar Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Mjedisit Sofjan Jaupaj.

Ishulli i Sazanit rrethohet nga Parku Kombëtar Detar, i shpallur me Vendim të Këshillit të Ministrave, datë 28 prill 2010, dhe klasifikohet si Park Kombëtar (Kategoria II sipas standardeve të IUCN). Për më tepër, kjo Zonë e Mbrojtur Detare është shpallur Zonë Veçanërisht e Mbrojtur me Rëndësi për Mesdheun (SPAMI) sipas Protokollit për Zonat Veçanërisht të Mbrojtura të Konventës së Barcelonës. Ishulli i Sazanit njihet gjithashtu si pjesë e një Zone Kyçe për Biodiversitetin (KBA) dhe Zonë të Rëndësishme për Shpendët (IBA), brenda zonës KBA/IBA të Gjirit të Vlorës, Karaburunit dhe Malit të Çikës.

Ujërat përreth Sazanit ofrojnë habitate me vlerë dhe jetike për gjitarin detar më të rrezikuar globalisht, fokën e Mesdheut. Bregdeti rreth Sazanit karakterizohet nga livadhe të gjera nënujore me Posidonia, të cilat janë thelbësore për biodiversitetin dhe klimën.

Sipas organizatave, ndërtimi i një resorti luksoz, me ndërhyrje infrastrukturore në shkallë të gjerë si trafiku detar, rrugët dhe sistemet e kanalizimeve, përbën një kërcënim serioz për këto habitate delikate.

“Ndërhyrje të tilla sjellin zhurmë, ndriçim artificial, ndotje dhe rritje të pranisë së njeriut, të cilat mund të largojnë jetën e egër nga zonat kritike, përfshirë shpellat bregdetare që janë thelbësore për mbijetesën e fokës së Mesdheut,” theksojnë mjedisorët.

Ishulli i Sazanit, me një sipërfaqe prej 562 hektarësh, është përdorur vetëm si bazë ushtarake. Por me një dekret të firmosur në fillim të muajit dhjetor nga Presidenti Bajram Begaj, struktura “Rajon stërvitje dhe qitje detare Sazan, Vlorë”, e cila duket se përkon me zonën ku synohet të realizohet projekti, është nxjerrë jashtë Planit të Vendosjes dhe Përhapjes së Forcave të Armatosura.

Projekti, i cili parashikon “marinë turistike si dhe struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë, zona gastronomike dhe zona shplodhëse me shërbime në funksion të tyre” do të shtrihet në një sipërfaqe prej 45 hektarësh.

Në dhjetor 2024, qeveria shqiptare i dha statusin e investitorit strategjik kompanisë Atlantic Incubation Partners LLC – një kompani e lidhur me Kushner, e cila ka propozuar projektin për zhvillimin e Sazanit. Sipas qeverisë shqiptare, në ishull parashikohet një investim prej 1.4 miliardë eurosh dhe ndërtimi pritet të shtrihet në 8 për qind të ishullit.

Nga ana tjetër, kompania ka kërkuar bashkëpjesëmarrjen e shtetit, e cila sipas vendimit “do të realizohet nëpërmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC), Albanian Seaports Development Company sh.a (ASDC), në cilësinë e pales shtet, dhe subjektit investues Atlantic Incubation Partners LLC, shoqëri e të drejtës amerikane”.

Statusi i investitorit strategjik parashikon një sërë masash favorizuese, që nga kryerja me prioritet e procedurave, te mbështetja që autoritetet japin në lidhje me lejet, licencat dhe autorizimet e nevojshme për realizimin e projektit, apo dhe vënia në dispozicion e sipërfaqes ku do të realizohet investimi dhe ndërhyrjet për ta bërë atë të përshtatshme për realizimin e ndërtimeve të parashikuara.

Organizatat mjedisore kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të çdo vendimmarrjeje për avancimin e projektit, si dhe përfshirjen e tokës së ishullit në Parkun Kombëtar Detar. Ato i bëjnë thirrje qeverisë që Sazani të njihet si Zonë Kandidate Emerald dhe të përfshihet në rrjetin e ardhshëm Natura 2000.

Organizatat theksojnë se ishulli dhe ujërat përreth tij janë habitat jetik për disa nga speciet më të rrezikuara detare në botë, përfshirë fokën e Mesdheut (Monachus monachus), e përfshirë në Listën e Kuqe të IUCN-së dhe e mbrojtur nga Konventa për Speciet Migratore (CMS).

“Ndërtimi i një resorti luksoz, me ndërhyrje infrastrukturore në shkallë të gjerë si trafiku detar, rrugët dhe sistemet e kanalizimeve, përbën një kërcënim serioz për këto habitate të brishta,” shprehen mjedisorët.

“Ndërhyrje të tilla sjellin zhurmë, ndriçim artificial, ndotje dhe rritje të pranisë njerëzore, të gjitha këto mund ta largojnë faunën nga zonat kritike, përfshirë shpellat bregdetare që janë thelbësore për mbijetesën e fokës së Mesdheut,” shtojnë ato.

Sipas tyre, zona Karaburun-Sazan mbart edhe 36 lloje të tjera detare të rrezikuara globalisht, përfshirë bimë detare, molusqe, krustace, peshq, zvarranikë dhe cetace, të mbrojtura nga një sërë konventash ndërkombëtare, si Konventa e Barcelonës, Konventa e Bonit, CITES dhe Konventa e Bernës.

Në letër theksohet se livadhet e Posidonia oceanica dhe shpellat bregdetare të Sazanit janë habitate kyçe për këto specie dhe të pazëvendësueshme për ekosistemin e Mesdheut.

Organizatat mjedisore sjellin në vëmendje se monitorimi sistematik i kryer që nga viti 2019 ka konfirmuar praninë e qëndrueshme të fokës së Mesdheut dhe një biodiversitet të pasur në zonën e mbrojtur Karaburun-Sazan.


Shënim: Ky publikim, është mundësuar me mbështetjen financiare të projektit GreenAL, i zbatuar nga Co-PLAN, COSV dhe VIS Albania. Pikëpamjet dhe përfundimet e përfshira këtu nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë Suedeze ose të Sida-s, Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim për Zhvillim (Sida).

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.