Në Raportin e fundit të Bashkimit Europian liria e medias në Shqipëri mbante një status “mesatar e të kufizuar”, duke treguar se media shqiptare vazhdon të jetë në sferën e shqetësimeve.
Por as kategorizimi i tillë nga Raporti dhe as rekomandimet e tij nuk e kanë shpëtuar median nga polemikat.
Sërish, media bëhet objekt i deklaratave kontradiktore, ku përpjekjet për reforma që standardet e Bashkimit Europian diktojnë, bien ndesh, me terrenin mediatik, i cili, sipas Raportit të vitit 2025 të Komisionit Europian, karakterizohet nga mungesa e transparencës dhe presioni ndaj gazetarëve.
Në Shqipëri duket se debati shpërthen sidomos kur protagonistë të ngjarjeve bëhen individë afër pushtetit.
Kur dezinformimi prek pushtetin, ashpërsohet gjuha politike.
Mbrëmjen e 19 janarit, një aksion i Byrosë Kombëtare të Hetimit goditi një rrjet call center-ash në Tiranë, operacion i kryer në bashkëpunim me autoritetet italiane, ku dyshohet se nëpërmjet aktivitetit të ushtruar zhvateshin miliona euro të qytetarëve europianë përmes mashtrimit.
Nuk vonoi pak orë, kur në portale të ndryshme online, së bashku me lajmin e lokalizimit të call center-it, qarkulloi emri i një prej familjarëve të kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke e akuzuar si drejtuesen e aktivitetit të krimit ekonomik.
Vetë kreu i Grupit Parlamentar të PS-së i hodhi poshtë këto aludime duke i konsideruar lajme të pavërteta, ndërkohë që bënte thirrje për krijimin e instrumenteve në duart e qytetarëve për të kuptuar të vërtetat, gjysmë të vërtetat dhe ato që ai i quajti “gënjeshtra me bisht”.
Por, akoma më i ashpër do të ishte reagimi i nënkryetares së Kuvendit, znj. Klodiana Spahiu, e cila në fjalën e saj u ndal gjatë te dezinformimi, ku pasi dënoi lajmin e paverifikuar, kërkoi gjetjen e mekanizmave për të luftuar fenomenin, duke mos kursyer as kërkesën për masa ndëshkimore penale.
“Duhen gjetur mekanizmat që raste të tilla si ky të marrin përgjegjësitë, qoftë edhe penale, personat që orkestrojnë lajme të rreme të tilla” – ishte deklarata e nënkryetares së Kuvendit, Klodiana Spahiu.
Fenomeni i lajmeve të rreme ka krijuar konfuzion dhe ka cënuar informimin e publikut, megjithatë mënyra se si institucionet zgjedhin t’i përgjigjen këtij realiteti është po aq e rëndësishme sa vetë problemi.
Por, a janë ndëshkimet penale antidoti i duhur i fenomenit të lajmeve dezinformuese?
Ervin Goci, pedagog i gazetarisë, tha për “shteg.org” se deklarata e nënkryetares së Kuvendit nuk ka të bëjë aspak me një politikë të qëndrueshme që të stabilizojë ekosistemin e informimit. Sipas tij, reagimi i fuqishëm erdhi si pasojë e prekjes së rrethit të afërt të politikës.
“Interesi i tyre është shumë i drejtpërdrejtë: ata duan të mos ketë lajme dhe të mos preken ata personalisht, por jo se ata janë kundër dezinformimit, sepse nëse ka një aktor që është më i interesuar për dezinformimin është qeveria. Pra, reagimi kaq i fortë dhe kaq i ndjeshëm ndaj përmendjes së familjarëve të kryetarit të Grupit Parlamentar është pikërisht që të mos preken ata, por ndërkohë të mos ndryshojë ekosistemi i dezinformimit.”
Vlen të theksohet fakti se lajmi i pavërtetuar që përmendte familjarë të kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së nuk u transmetua në asnjë kanal televiziv dhe nuk u botua nga asnjë media serioze, madje as nga ato më kritiket ndaj qeverisë.
Të vetmit që e publikuan ishin portalet online, ku disa syresh prej tyre nuk dihet se si financohen, kush i ka në pronësi apo sa punonjës kanë të deklaruar.
Ervin Goci tha për “shteg.org” se menaxhimi i dezinformimit dhe ndalimi i lajmeve të pavërteta nuk vjen si rezultat i ndëshkimeve penale të individëve të caktuar, duke e quajtur deklaratën e nënkryetares së Kuvendit si një teknikë për relativizimin e situatës.
“Është thjesht një teknikë për të hedhur mjegull, për të relativizuar situatën dhe për të vazhduar gjendja kështu siç është. Është një kaos që, po të donte qeveria, minimumi nuk do të linte 800–900 portale që qarkullojnë vërdallë, do të kërkonte një NIPT, do të kërkonte të kishin një burim financiar, një kontratë pune, minimumi do të kërkonte legalizimin e tyre” – Ervin Goci.
“shteg.org” iu drejtua kryetares së Komisionit për “Të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik”, znj. Jorida Tabaku, për qëndrimin që komisioni do të kishte lidhur me deklaratën e nënkryetares së Kuvendit.
Tabaku tha se qëndrimi i saj do të ishte i panegociueshëm kundër kësaj deklarate dhe se, sipas saj, ndëshkimi nuk është zgjidhja.
“Besoj se ndëshkimi nuk është zgjidhja. Përkundrazi, çdo formë presioni ligjor rrezikon të kthehet në censurë. Beteja me lajmin e rremë nuk fitohet duke kufizuar lirinë, por duke e garantuar atë plotësisht” – u shpreh kryetarja e komisionit parlamentar.
Java që lamë pas ishte e mbushur me deklarata kontradiktore në raport me median.
Radio Televizioni Shqiptar ishte në qendër të polemikave. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, kryeministri Edi Rama e përshkroi Televizionin Publik Shqiptar si një institucion të “dështuar”, duke vënë në dyshim legjitimitetin dhe financimin e tij publik dhe duke lënë të hapur opsione që shkonin deri te privatizimi apo mbyllja. Deklaratat e tij ngjallën shqetësim te rrjeti Safe Journalists, i cili theksoi rëndësinë e mbrojtjes së lirisë dhe autonomisë së medias publike.
Por ndërsa RTSH cilësohej si e papërshtatshme për publikun, deklaratë që nxiti debat publik, vetëm pak ditë më vonë kryetari i Parlamentit, Niko Peleshi, prezantoi një “media hub” të ri për Kuvendin, me një kosto që në nisje prej 500 mijë eurosh.
Forumi i ri mediatik do të përmbajë transmetime live, intervista dhe bashkëpunim të plotë me RTSH-në, pavarësisht se ky i fundit është i pajisur me një kanal të dedikuar “RTSH Kuvend”.
Për ekspertin e medias, Elvin Luku, ky projekt është një shpërdorim i parasë publike, i cili do të përqendrojë informacionin në duart e qeverisë.
“Në gjykimin tim, krijimi i një ‘media room’ për institucionin e Kuvendit është një investim krejtësisht i panevojshëm dhe më duket më shumë si një përpjekje për të pasur akoma më shumë kontroll mbi informacionin në funksion të propagandës. Kjo do të sjellë shpërdorimin e gjysmë milioni euro nga taksapaguesit për të përqendruar informacionin” – u shpreh pedagogu i gazetarisë, Elvin Luku.
Këto zhvillime po ndodhin në një moment kur Shqipëria është angazhuar në përmbushjen e standardeve me qëllim aderimin në Bashkimin Europian. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, në konferencën e datës 22 janar për mediat, u shpreh se Shqipëria po përgatit ligjin që dekriminalizon shpifjen për gazetarët.
Por, 17 organizata të shoqërisë civile u shprehën të pakënaqura lidhur me këtë zhvillim, pasi argumentuan se ndryshimet janë të pjesshme. Sipas tyre, riformulimi i neneve 119 dhe 120 nuk arrin të sigurojë një dekriminalizim të vërtetë, pasi ende parashikon përgjegjësi penale për shprehje që mund të interpretohen si fyerje.
Sipas propozimit, gazetarët nuk mund të mbahen përgjegjës në rast se shpërndajnë shpifje të bëra nga të tjerët dhe e bëjnë këtë në mirëbesim. Gazetari mund të mbahet përgjegjës në rast se nuk arrin të provojë para gjykatës se ai nuk ishte në dijeni që të dhënat e publikuara janë të pavërteta. Por problemi më i madh me propozimin konsiston në faktin që qeveria i jep të drejtë vetes të përkufizojë se çfarë është një gazetar. Sipas propozimit, mbrojtje nga nenet 119 dhe 120 të Kodit Penal përfiton ai që është “gazetar i punësuar ose i vetëpunësuar, i regjistruar dhe i njohur si i tillë në përputhje me legjislacionin në fuqi”.
Ndërsa debati publik për median është i ndezur, Raporti i Komisionit Europian tregon se media në Shqipëri karakterizohet nga mungesa e transparencës në financim, probleme me pronësinë dhe presione ndaj gazetarëve, të cilët përballen me klientelizëm politik apo rreziqe që cënojnë sigurinë e tyre.
Në këtë klimë, mes deklaratash kontradiktore dhe thirrjeve për masa ndëshkimore, pyetja mbetet e hapur: a do të arrihet rregullimi i ekosistemit mediatik dhe ndalimi i lajmeve të pavërteta nëpërmjet forcimit të fjalës së lirë në media, apo nëpërmjet mbajtjes së saj nën frikën e ndëshkimit …
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.






















