Pas disa seancash të shtyra, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi këtë të enjte leximin e kërkesës për dërgimin e çështjes në gjyq për ish-presidentin Ilir Meta. Materiali i prokurorisë, i përbërë nga 214 faqe, u lexua vetëm pjesërisht, ndërsa seanca u shty për të vijuar më 29 janar.
SPAK arriti të lexojë 41 faqe nga kërkesa e dërgimit në gjyq, ndërsa pjesa tjetër do të vijojë në seancën e ardhshme. Në sallë ishte i pranishëm edhe Ilir Meta, i cili ndodhet i paraburgosur në ambientet e paraburgimit 313, si dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Në këtë çështje janë të përfshirë edhe persona të tjerë, mes të cilëve ish-drejtuesi i AKEP, Pirro Xhixho, i akuzuar për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, dhe Fatime Kryemadhi, e cila akuzohet për pastrim parash së bashku me Ema Çokun.
Ilir Meta ndodhet në burg që nga tetori i vitit 2024, ndërsa Monika Kryemadhi është nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Meta ka kërkuar në disa raste zëvendësimin e masës së sigurisë me një më të lehtë, por kjo kërkesë u refuzua edhe sot nga gjykata.
Hetimi i SPAK për çështjen Meta-Kryemadhi ka si pikënisje aferën CEZ–DIA, një marrëveshje e vitit 2009 mes kompanisë çeke CEZ dhe asaj shqiptare DIA për mbledhjen e borxheve të energjisë. Prokuroria dyshon se kjo marrëveshje është përdorur për përfitime të paligjshme, rreth 6.5 milionë euro, ndërsa Meta dyshohet se ka përfituar pagesa të konsiderueshme.
Akuzat përfshijnë edhe ndërhyrje në tregun e fibrave optike në vitin 2014, ku dyshohet se çifti Meta–Kryemadhi favorizoi një kompani të huaj për të hyrë në tregun shqiptar dhe përfitoi financiarisht përmes kartave krediti të padeklaruara. Pirro Xhixho akuzohet se ka ndihmuar në këtë proces në kundërshtim me ligjin.
SPAK ka hetuar edhe kontratat e lobimit të lidhura nga Meta si kryetar i LSI-së me kompani amerikane gjatë viteve 2016–2017. Një shumë prej 463 mijë dollarësh dyshohet se nuk është deklaruar dhe nuk është pasqyruar në bilancet zyrtare të partisë në KQZ.
Një tjetër pistë hetimi lidhet me blerjen e një apartamenti me vlerë 310 mijë euro në emër të nënës së Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, i paguar i gjithë me para cash. SPAK dyshon se kjo transaksion ishte një mbulesë për pastrimin e parave nga aktiviteti i paligjshëm i çiftit.
Akuzat për mosdeklarim pasurie përfshijnë edhe shpenzime mjekësore të padeklaruara gjatë viteve 2013–2019 në vlerën e 106 mijë euro, nga të cilat 86 mijë janë paguar në cash.
Seanca e ardhshme për leximin e pjesës tjetër të materialit pritet të zhvillohet më 29 janar, ndërsa SPAK vijon hetimet dhe grumbullimin e provave në këtë dosje që ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.


























