Gjykata Kushtetuese zhvilloi më 22 janar një seancë plenare publike maratonë, e cila zgjati rreth katër orë, për shqyrtimin e ankimit të Kryeministrit Edi Rama ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), që vendosi masën e sigurisë “pezullim i ushtrimit të detyrës publike” ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Seanca u zhvillua pa praninë e Ballukut, dhe pas dëgjimit të palëve dhe administrimit të provave, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, shpalli mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe njoftoi se trupa do të tërhiqej për vendim, i cili do të shpallet në një datë të mëvonshme, ende të pacaktuar.
Ankimi është depozituar nga Kryeministria, me pretendimin se vendimi i GJKKO-së cenon kompetencat kushtetuese të Kryeministrit dhe funksionimin normal të pushtetit ekzekutiv. Sipas qeverisë, GJKKO nuk ka kompetencë të pezullojë nga detyra një anëtar të Këshillit të Ministrave, pasi emërimi dhe shkarkimi i ministrave është kompetencë ekskluzive e Kryeministrit.
Përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave, Irma Qosja, argumentoi se masa e vendosur ndaj Ballukut përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në veprimtarinë e qeverisë.
“GJKKO duke pezulluar ministrin nga detyra, ka pezulluar jo vetëm vendimmarrjen e ministrit brenda ministrisë përkatëse, por edhe vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave në atë fushë, sepse ministri nuk mund të propozojë asnjë projekt në kompetencë të tij”, deklaroi Qosja.
Sipas saj, Këshilli i Ministrave vjen në këtë gjykim si organ të cilit i është pezulluar veprimtaria në sektorë kyç si infrastruktura dhe energjia.
Qeveria i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të interpretojë nenin 103 të Kushtetutës, i cili i njeh anëtarëve të qeverisë imunitetin e deputetit. Sipas këtij interpretimi, një ministër, njësoj si një deputet, nuk mund të pezullohet nga ushtrimi i mandatit pa autorizim të Kuvendit.
Qosja theksoi se çdo masë gjyqësore që ndikon në ushtrimin e detyrës së një ministri kërkon miratim parlamentar, pasi përndryshe krijohet precedent i rrezikshëm për funksionimin e ekzekutivit.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e qeverisë bënë të ditur se nga momenti kur Gjykata Kushtetuese hoqi përkohësisht masën e pezullimit deri në shqyrtimin e ankimit, Balluku ka marrë të paktën 50 akte që lidhen me fushën e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko kundërshtuan pretendimin e qeverisë duke thënë se nuk ka asnjë konflikt kompetencash mes dy pushteteve. Sipas SPAK, pezullimi i një ministri nuk është kompetencë e kryeministrit, i cili vetëm emëron ose shkarkon, dhe për rrjedhojë nuk mund t’ia marrin Edi Ramës një kompetencë që nuk e ka.
Prokurorët e SPAK i thanë Gjykatës Kushtetuese se me vendimin e saj për ta rikthyer në detyrë, Belinda Balluku ka cenuar marrjen e provave. Për rrjedhojë, ata kërkuan që të ngelet në fuqi vendimi i GJKKO-së për pezullimin e saj nga detyra, pasi ekziston rreziku që ajo të “helmojë provat”.
“Pezullimi i një ministri nuk është kompetencë e Kryeministrit. Ai vetëm emëron ose shkarkon, ndaj nuk mund t’i merret një kompetencë që nuk e ka”, argumentuan përfaqësuesit e SPAK, sipas të cilëve masat e sigurimit janë të ankimueshme vetëm përmes shkallëve të zakonshme të gjyqësorit, Apelit të GJKKO-së dhe Gjykatës së Lartë dhe se Gjykata Kushtetuese nuk mund të shërbejë si instancë e drejtpërdrejtë ankimi.
Helmimi i provave
Një nga argumentet kryesore të SPAK ishte rreziku që qëndrimi i Ballukut në detyrë përbën për procesin hetimor. Prokurori Dritan Prençi deklaroi se rikthimi i saj në funksion ka ndikuar në marrjen e provave.
“Duke pasur parasysh rolin dhe funksionin e lartë shtetëror të zonjës Balluku, kemi argumentuar mbi parimin e proporcionalitetit dhe nevojat për marrjen e provave. Realisht ka pasur ndërhyrje në procesin e hetimit dhe është cenuar marrja e provave”, u shpreh Prençi.
Ai shtoi se vendimi i përkohshëm i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pezullimit ka dhënë efekt të drejtpërdrejtë negativ në hetim.
Edhe prokurorja Dorina Bejko theksoi se vijimi i ushtrimit të detyrës nga Balluku përbën rrezik për interesin publik.
“Vetë përfaqësuesi i Kryeministrit tha se e hetuara ka propozuar 50 akte. Ne jemi sot para gjykatës për të bërë të ditur se kjo e hetuar ka cenuar interesin publik dhe rreziku që ajo të vazhdojë ta cenojë është konkret”, deklaroi Bejko.
Sipas saj, ekziston edhe rreziku që Balluku të kryejë vepra penale të të njëjtës natyrë dhe të “helmojë provat”.
Prej 31 tetorit 2025, zv/kryeministrja Balluku është marrë e pandehur me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera gjatë procesit të ndërtimit të tunelit të Llogarasë. Projekti konsiderohet një nga më të shtrenjtët në pesë vitet e fundit në infrastrukturën e vendit.
Gjyqtari Erjon Çela vendosi më 20 nëntor 2025 pezullimin e Ballukut nga detyra dhe bllokimin e pasaportës, duke evidentuar rrezikun e përsëritjes së veprimeve nga zv/kryeminsitrja. Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese më 12 dhjetor e riktheu atë në detyrë, duke pranuar argumentin e Ramës se ishte cënuar ndarja e pushteteve dhe se emërimi i ministres ishte kompetencë ekskluzive e kryeministrit.
Kushtetuesja argumentoi se vendimet e pezullimit duhen stopuar përkohësisht, pasi çështja lidhet me kompetencat e institucioneve dhe balancën mes pushteteve, duke kërkuar një analizë më të thelluar.
Gjykata Kushtetuese vendosi me shumicë votash kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike që do të zhvillohet më 22 janar 2026, por edhe sot ende nuk ka një vendimmarrje për fatin e zv/kryeministres.
Ligjërisht anëtarët e gjykatës kushtetuese kanë kaluar afat 30 ditë për të dalë me një vendimmarrje, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia që javën e ardhshme gjyqtarët të kenë dalë me një vendim.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rikthimin në detyrë të zv/kryeministres Belinda Balluku, shkaktoi reagime politike që e komentojnë vendimin si një mbrojtje të interesave të kryeministrit Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama është shprehur publikisht disa herë në mbrojtje të Ballukut, duke e konsideruar vendimin si antikushtetues dhe duke akuzuar SPAK-un për tejkalim të kompetencave.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka depozituar në Kuvend edhe kërkesën për autorizimin e arrestimit të Ballukut, ndërsa mbledhja e radhës e Këshillit të Mandateve pritet të zhvillohet më 28 janar.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.


























