Balluku nuk tërhiqet nga kërkesat në gjykatë

Ish-zv/kryeministrja kërkoi revokimin e masës së sigurisë, por gjykata vlerësoi se nuk ka elementë të rinj për ndryshimin e vendimit.

451
Ish-zv/kryeministrja dhe ministrja për infrastrukturën dhe energjinë, Belinda Balluku duke dalur nga ambientet e SPAK.
Credits: LSA - Ish-zv/kryeministrja dhe ministrja për infrastrukturën dhe energjinë, Belinda Balluku duke dalur nga ambientet e SPAK.

Ish-zv/kryeministrja Belinda Balluku vijon përpjekjet për të ndryshuar masën e sigurisë ndaj saj, duke mos hequr dorë nga kërkesat në gjykatë për heqjen e pezullimit nga detyra. Megjithatë, tentativa e fundit është rrëzuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila ka vendosur të lërë në fuqi masën ekzistuese.

Vendimi erdhi pas shqyrtimit të kërkesës së depozituar më 13 mars 2026, përmes së cilës ish-ministrja kërkonte revokimin e menjëhershëm të masës së sigurimit personal që e pezullon nga ushtrimi i funksioneve dhe shërbimeve publike.

Mbrojtja e saj kërkoi ndryshimin e masës së mëparshme nën argumentin se pezullimi nga detyra nuk ishte i nevojshëm në këtë fazë të procedimit, si dhe kërkonte gjithashtu konstatimin e shuarjes së kësaj mase sigurimi.

Pas shqyrtimit të argumenteve të palëve në seancë, trupa gjykuese në drejtimin e gjyqtarit Erjon Çela vendosi ta rrëzojë kërkesën, pas vlerësimit se nuk kishte elementë që të justifikonin ndryshimin e vendimit të mëparshëm.

Masa për “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” u vendos nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 19 Nëntor 2025, ndërsa shfuqizimi i kësaj mase është kërkuar edhe nga Kryeministri Rama, nëpërmjet një kërkese të cilën e depozitoi në Gjykatën Kushtetuese.

Kërkesa e tij u rrëzua pas një seance maratonë që zgjati mbi 10 orë, ku tetë gjyqtarët e Kushtetueses u ndanë në mënyrë të barabartë, me 4 vota pro dhe 4 kundër, duke bërë që kërkesa të rrëzohet dhe të mbetet në fuqi vendimi i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO).

Ish- zv/kryeministrja, u shkarkua nga Rama pas mbledhjes maratonë të grupit socialist më datë 26 Shkurt, për tu zëvendësuar nga Albana Koçiu, ndërsa në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës vendin e saj e mori Enea Karakaçi.

Belinda Balluku u mor zyrtarisht e pandehur nga SPAK më 31 tetor 2025, nën akuzën për shkelje të barazisë në tendera gjatë procesit të ndërtimit të tunelit të Llogarasë.

Por, sipas dokumenteve dhe njoftimit të SPAK, hetimi është zgjeruar ndjeshëm dhe tashmë përfshin pothuajse të gjithë investimet në Unazën e Madhe, si dhe procedurën koncesionare PPP për aksin Thumanë – Kashar, me vlerë të parashikuar rreth 245 milion euro.

Më 16 Dhjetor 2025 SPAK kërkoi heqjen e imunitetit të deputetit për Belinda Ballukun, për ti hapur rrugë masës së arrestit ndaj saj, por pas një zvarritjeje prej 3 muajsh, socialistët të kryesuar nga Kryeministri Edi Rama, rrëzuan kërkesën e SPAK.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.