Anulohet mbledhja e Këshillit të Mandateve për Ballukun

Mazhoranca kërkon të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa qytetarët protestojnë para Kuvendit në mbështetje të drejtësisë.

541
Protesta e një grupi qytetarësh para Kryesisë së Kuvendit
Credits: LSA - Protesta e një grupi qytetarësh para Kryesisë së Kuvendit

Këshilli i Mandateve ka anuluar mbledhjen e parashikuar për ditën e sotme, të mërkurën, më 28, ku pritej të shqyrtohej çështja e zv/kryeministres Belinda Balluku. Mësohet se deputetët e Partisë Socialiste kanë kërkuar që të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me pezullimin ose jo të saj nga detyra, me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama ka kërkuar rrëzimin e vendimit të GJKKO-së për pezullimin e Ballukut, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dalë me një vendim përfundimtar. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese u mblodhën ditën e djeshme vetëm për pak minuta për të diskutuar çështjen, por pa marrë një vendim, duke argumentuar se iu nevojitet më shumë kohë për shkak të kompleksitetit të saj.

Ndërkohë, një grup qytetarësh kanë dalë sot në protestë para Kryesisë së Kuvendit në mbështetje të institucioneve të drejtësisë. Protestuesit kërkuan heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut dhe vënien e saj përballë drejtësisë.

Migen Qiraxhi, në një prononcim për mediat, u shpreh se deputetët nuk mund të mbrojnë një ministre të akuzuar për korrupsion.

“Si mundet që deputetët të mbrojnë hajdutët, të mbrojnë milionat e eurove që janë vjedhur. Niko Peleshi është zgjedhur nga qytetarët e Korçës. A i ka pyetur ai qytetarët për të mbrojtur një ministre të korruptuar? Bëjnë tunele dhe prishen, bëjnë rrugë dhe prishen. Nuk mund të mbrohen me urdhër partie ata që bëjnë rrugë 220 milionë euro që prishen. Ulsi Manja është zgjedhur nga qytetarët e Lezhës, a mundet ta përdorë mandatin për të mbrojtur një hajdut?”, tha Qiraxhi.

Një tjetër protestues u shpreh se mbështetja për drejtësinë duhet të jetë e plotë dhe pa selektivitet:

“Qëndrojmë në krah të institucioneve të drejtësisë, por edhe si kërkesë që procesi të shkojë deri në fund dhe të përfshijë të gjithë zyrtarët e korruptuar”.

Ndërsa Andi Tepelena deklaroi: “Belinda Balluku duhet të përballet me drejtësinë”.

Belinda Balluku u pezullua nga detyra me kërkesë të SPAK, si e pandehur për abuzime me tenderin 190 milionë euro të tunelit të Llogarasë dhe ndodhet gjithashtu nën hetim për shtatë procedura të tjera prokurimi që lidhen me ndërtimin e lotëve të Unazës së Madhe. Sipas SPAK, ekzistojnë dyshime se ajo, duke qenë në detyrë, mund të prishë provat hetimore ose të intimidojë dëshmitarët.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama e ka cilësuar vendimin e GJKKO-së si shkelje të kompetencave të ekzekutivit, duke argumentuar se vetëm kryeministri ka të drejtën për pezullimin ose shkarkimin e një anëtari të qeverisë. Pas kërkesës së tij, Gjykata Kushtetuese vendosi rikthimin e përkohshëm të Ballukut në detyrë, deri në shqyrtimin në themel të çështjes.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.