Dënimet për trafikun e drogës, zbardhen detajet e grupit Habilaj

Moisi Habilaj dhe Nezar Seiti u shpallën fajtorë për trafikim droge në katër episode gjatë viteve 2013–2017, në territorin e Shqipërisë dhe Italisë, duke mbyllur kështu një nga çështjet më të bujshme të drejtësisë shqiptare për krimin e organizuar.

654
Grupet kriminale shqiptare
Credits: shteg.org - Grupet kriminale shqiptare

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë vendimin përfundimtar ndaj Moisi Habilajt dhe Nezar Seitit, të shpallur fajtorë për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Vendimi vjen pas shqyrtimit të dëshmive, dokumenteve zyrtare dhe provave të administruara gjatë procesit gjyqësor.

Në dëshminë e tij para organit të akuzës, Moisi Habilaj ka pranuar se është përfshirë në trafikimin e marijuanës nga Shqipëria drejt Italisë që prej vitit 2012. Ai ka deklaruar se aktivitetin kriminal e ka nisur me këshillën e një personi të quajtur “Fatosh” apo “Toshi”, pronar hoteli, me të cilin ishte njohur përmes Sabaudin Çelajt. Sipas Habilajt, transportet kryheshin përmes detit, me peshkarexha italiane, dhe janë realizuar gjithsej katër episode trafiku.

Habilaj ka sqaruar se një nga ngarkesat më të mëdha ishte ajo prej 1 600 kilogramësh marijuanë, e sekuestruar në Brucoli të Italisë. Ai ka pohuar se në Shqipëri vepronte “Fatoshi”, ndërsa në Itali përfshiheshin persona të tjerë, mes tyre Nezar Seiti, i cilësuar si financieri i grupit. Habilaj ka theksuar se komunikimi bëhej në mënyrë të kujdesshme, pa përmendur emra në përgjime telefonike dhe se drejtuesi i grupit ndryshonte shpesh numrat e telefonit për të shmangur hetimet.

Në dëshminë e tij, Moisi Habilaj ka mohuar se grupi kishte mbrojtje nga autoritetet shtetërore, duke deklaruar se pretendimet për mbështetje ishin vetëm për të qetësuar palën italiane. Ai ka mohuar gjithashtu çdo lidhje direkte me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, duke deklaruar se e kishte parë vetëm në televizor dhe se emrin e tij e kishte përmendur “nga injoranca dhe për t’i dhënë rëndësi vetes”.

Hetimi ka zbardhur edhe episode që lidhen me përdorimin e mjeteve lundruese. Sipas procesverbaleve të Kapitenerisë së Portit të Vlorës, Moisi Habilaj rezulton të jetë paraqitur për të kërkuar leje nisjeje jashtë shtetit me një mjet ujor, pa disponuar dokumentacionin e nevojshëm. Në një rast, në listën e pasagjerëve ishte shënuar emri i Saimir Tahirit si kapiten i mjetit, fakt që ka shkaktuar debat mes Habilajt dhe punonjësve të Kapitenerisë.

Ish-kapiteni i Portit të Vlorës, Dhoinis Andoni, ka deklaruar se përdorimi i emrit të ish-ministrit u konsiderua fillimisht si shaka, por më pas ngriti dyshime serioze. Sipas tij, leja e nisjes u dha vetëm pasi u plotësuan kushtet e sigurisë dhe me kufizim lundrimi pranë bregut.

Pas shqyrtimit të të gjitha provave, GJKKO dënoi Moisi Habilajn me 15 vite burg, dënim i cili ulet në 10 vite heqje lirie për shkak të gjykimit të shkurtuar. Nezar Seiti u dënua me 12 vite burg, që përfundimisht reduktohen në 8 vite.

Ndërkohë, gjykata vendosi pushimin e çështjes për Fatmir Minajn dhe Meridian Sulajn, për mungesë provash të mjaftueshme.

Moisi Habilaj dhe Nezar Seiti u shpallën fajtorë për trafikim droge në katër episode gjatë viteve 2013–2017, në territorin e Shqipërisë dhe Italisë, duke mbyllur kështu një nga çështjet më të bujshme të drejtësisë shqiptare për krimin e organizuar.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u akuzua nga Prokuroria si pjesë e grupit kriminal Habilaj dhe ndaj tij u ngritën akuza për tre vepra të rënda penale: “Korrupsion i zyrtarëve të lartë”, “Trafik i lëndëve narkotike i kryer në bashkëpunim” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Çështja penale ndaj Tahirit nisi në tetor të vitit 2017, pas publikimit të përgjimeve të anëtarëve të grupit “Habilaj”, në të cilat përmendej emri i tij dhe aludohej për përfitime në formë dhuratash.

Anëtarët e organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Habilaj u arrestuan në tetor të vitit 2017 nga autoritetet italiane, teksa tentonin të trafikonin një sasi të konsiderueshme lënde narkotike nga Shqipëria drejt Italisë. Po në vjeshtën e atij viti, në Babicë të Vlorës, në një magazinë u gjetën dhe u sekuestruan rreth 4 tonë cannabis sativa, episod që u shoqërua me procedim penal edhe në Shqipëri.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.