Kuvendi miraton dekriminalizimin e pjesshëm të shpifjes për gazetarët

Organizatat e medias e cilësojnë ndryshimin të paplotë, duke theksuar se referencat ndaj “gazetarëve të regjistruar dhe të njohur” krijojnë pasiguri juridike dhe rrezikojnë mekanizma kontrolli mbi gazetarinë.

566
Liria shprehjes
Credits: Respublika - Liria shprehjes

Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal me 85 vota pro, 9 kundër dhe asnjë absenim. Ndër ndryshimet më të debatuara është dekriminalizimi i pjesshëm i veprës penale të shpifjes, i cili parashikon heqjen e përgjegjësisë penale vetëm për gazetarët, ndërkohë që Kodi i Ri Penal vijon të jetë në proces konsultimi.

Sipas dispozitës së miratuar, gazetarët e punësuar ose të vetëpunësuar, të regjistruar dhe të njohur si të tillë sipas legjislacionit në fuqi, nuk do të mbajnë përgjegjësi penale për shpifje, në rastet kur përhapin me mirëbesim të dhëna apo informacione përmes mediave të shkruara, audiovizive, elektronike apo platformave të tjera të komunikimit publik. Ligji përcakton gjithashtu disa kushte, përfshirë mungesën e dijenisë se informacioni është i rremë, përpjekjet e arsyeshme për verifikim dhe veprimin pa vonesë në rast ankimimi nga personi i prekur.

Organizatat në mbrojtje të lirisë së medias, përfshirë Rrjetin SafeJournalists, partnerët e Mekanizmit të Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR), Reporterët pa Kufij (RSF), si dhe 17 organizata të shoqërisë civile në Shqipëri, e kanë kundërshtuar këtë qasje, duke e cilësuar si të pjesshme dhe të pazbatueshme. Ato kërkojnë dekriminalizimin e plotë të shpifjes edhe për aktivistët e të drejtave të njeriut apo advokuesit e tjerë të fjalës së lirë, jo vetëm për gazetarët e regjistruar.

Në një protestë simbolike para seancës plenare, përfaqësuesit e këtyre organizatave theksuan se liria e shprehjes duhet të mbrohet për shkak të interesit publik që shërben dhe jo mbi bazën e statusit profesional të folësit. Sipas tyre, referencat ndaj “gazetarëve të regjistruar dhe të njohur” krijojnë pasiguri juridike dhe rrezikojnë të hapin rrugën për mekanizma kontrolli mbi gazetarinë, në kundërshtim me standardet evropiane.

Ndërkohë, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i përshëndeti ndryshimet, duke i cilësuar si një hap të parë të rëndësishëm drejt forcimit të lirisë së shprehjes, por njëkohësisht inkurajoi dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe përdorimin e masave civile proporcionale.

“Forcimi i mbrojtjes për gazetarët pasqyron një rekomandim të hershëm të OSBE-së. Ne vijojmë të inkurajojmë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe përdorimin e masave civile proporcionale”,- thuhet në reagim.

Ndryshimet në Kodin Penal përfshijnë gjithashtu shtimin e dhunës ndaj gazetarëve si vepër penale në kuadër të nenit për “Goditjet për shkak të detyrës”.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.