Biznesi i impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura

Ndërsa impiantet publike të trajtimit mungojnë ose nuk funksionojnë, qeveria u kalon barrën bizneseve private, duke i detyruar të investojnë mijëra euro dhe duke i gjobitur për një shërbim që shteti ka detyrimin ligjor për ta garantuar.

Investime të detyruara për impiante private
Credits: shteg.org - Investime të detyruara për impiante private

Në fund të vitit 2023, qeveria shqiptare shpalli emergjencë mjedisore në zonat bregdetare, duke argumentuar se ndotja e ujërave larëse po kërcënonte shëndetin publik dhe turizmin. Me këtë arsyetim u miratua Akti Normativ nr. 8 në dhjetor të vitit 2023, që kërkonte instalimin e impianteve të ujërave larëse për subjektet që derdhnin ujërat në sipërfaqet e ujërave larëse ose përreth tyre.

Në ditët e para të shkurtit 2024, dy ministret, Kumbaro dhe Balluku, nënshkruan një Udhëzim, i cili detyronte çdo operator turistik që ushtron aktivitetin pranë ujërave larëse të vendoste impiante për trajtimin e ujërave të ndotura, një investim ky që varionte nga 40,000 – 150,000 euro.

Me këtë akt, rrethi i subjekteve u zgjerua dhe u shtua në mënyrë arbitrare çdo subjekt që ka veprimtari hotelerie, turizëm, restorant, bujtinë etj., edhe kur këto subjekte janë të lidhur me ujësjellësin dhe kanalizimet dhe uji trajtohet nga këto të fundit.

Ministrja përgjegjëse për trajtimin e ujërave urbane në vend, Belinda Balluku, e paraqiti ndërhyrjen si një masë të domosdoshme për mbrojtjen e mjedisit, duke krijuar perceptimin se çdo kundërshtim ndaj saj ishte, në thelb, kundër interesit publik mjedisor.

Por faktet, dokumentet dhe praktika e zbatimit tregojnë një realitet tjetër. Nën flamurin e mbrojtjes së mjedisit është ndërtuar një mekanizëm zhvatës i parave nga xhepi i mijëra subjekteve, për t’u shkuar në xhepin e vetëm pak operatorëve që tregtojnë impiante të ujërave të ndotura në treg.

Për më tepër, kjo nismë zhvendos përgjegjësinë ligjore të shtetit te bizneset private, pasi trajtimi i ujërave të ndotura, si ai i mbetjeve të ngurta, është funksion i pushtetit lokal. Njëherazi, ky akt, veç kostove të dyfishta për të njëjtin shërbim publik për mijëra subjekte, krijon ndotje mjedisore të jashtëzakonshme, pasi fragmenton trajtimin e ujërave të ndotura, duke prodhuar rrezik real mjedisor, në vend që ta reduktojë atë.

Në këtë kontekst, “mbrojtja e mjedisit” shfaqet më shumë si narrativë justifikuese, sesa si objektiv real i politikës së ndjekur, ndërsa qëllimi i vërtetë është pasurimi i një dore operatorësh tregtarë, të cilët po lulëzojnë me shitjen e impianteve.

Gënjeshtra mjedisore

Impianti i trajtimit të ujërave të ndotura në Kashar që nuk funksionon
Credits: Faqja zyrtare e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku – Impiante për trajtimin e ujërave të ndotura

Narrativa zyrtare e ndërtuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit paraqet se detyrimi i bizneseve për të instaluar impiante private për trajtimin e ujërave të ndotura do të sillte një përmirësim të menjëhershëm të cilësisë së ujërave larëse.

Në realitet, kjo tezë bie ndesh me parimet bazë të menaxhimit mjedisor dhe me praktikat e konsoliduara europiane. Trajtimi i ujërave urbane është një funksion publik që, sipas legjislacionit kombëtar dhe acquis të BE-së, realizohet në mënyrë të centralizuar, përmes impianteve publike, nën kontroll institucional dhe monitorim të vazhdueshëm. 

Akti themelor i BE-së në këtë fushë është Direktiva 91/271/CEE e Këshillit e datës 21 maj 1991, e cila ndryshoi me Direktivën 2024/3019 dhe që ka ndërtuar modelin evropian të trajtimit të ujërave të ndotura mbi parimin e centralizimit dhe përgjegjësisë publike. Kjo direktivë është zbatuar nga shtetet anëtare dhe interpretuar nga Komisioni Evropian dhe Gjykata e Drejtësisë së BE-së (CJEU) si një regjim që funksionon vetëm përmes sistemeve kolektive të kanalizimeve dhe impianteve publike të trajtimit. Direktiva nuk ngarkon konsumatorët, familjarët apo njësitë e shërbimit, përfshirë strukturat akomoduese, me detyrimin për trajtimin e ujërave urbane. Kjo është përgjegjësi e autoriteteve publike. Legjislacioni ynë aktual është tërësisht në përputhje me këtë Direktivë.

“Asnjë prej objektivave të Direktivës e BE-së nuk parashikon impiante individuale të detyrueshme për subjektet që prodhojnë ujëra urbane, përkundrazi, shtyn shtetet të sigurojnë akses te kanalizimet dhe kërkon trajtim të centralizuar të këtyre ujërave. Legjislacioni vendas që ekziston para miratimit të Udhëzimit, është në përputhje me këtë standard të BE-së. Në asnjë legjislacion nuk e gjen një zgjidhje të tillë, ku ujërat e ndotura urbane siç janë ato që krijohen nga hoteleria të trajtohen individualisht, pasi zgjidhjet individuale krijojnë efekt dëmi mjedisor“, thotë për shteg avokatja Dr. Irena Dule.

Sipas ekspertëve mjedisorë, imponimi i mijëra impianteve individuale nuk garanton respektimin e parametrave mjedisorë, nuk siguron mirëmbajtje të qëndrueshme në kohë dhe e bën monitorimin institucional praktikisht të pamundur.

Olsi Nika drejtor i organizatës Eco Albania
Credits: shteg.org – Olsi Nika drejtor i organizatës Eco Albania

Një nga pasojat më pak të diskutuara publikisht të këtij udhëzimi është dëmi mjedisor që rrjedh nga fragmentimi i trajtimit të ujërave të ndotura. Ndryshe nga impiantet publike të centralizuara, të cilat operojnë mbi bazën e standardeve të unifikuara dhe protokolleve të kontrollit, impiantet individuale krijojnë dhjetëra apo qindra pika potenciale shkarkimi jo-konform.

Ekspertët mjedisorë kanë paralajmëruar se një model i tillë rrit probabilitetin e ndotjes së heshtur, ku dështimi i një impianti individual nuk prodhon alarm institucional, por pasoja kumulative në mjedis. Në këtë kuptim, udhëzimi jo vetëm që nuk e zgjidh problemin e ndotjes, por krijon një rrezik të ri mjedisor, të shpërndarë dhe të vështirë për t’u kontrolluar.

Sipas ekspertëve, në vend që të investohej në përmirësimin e impianteve publike jo-funksionale dhe në trajtimin e ndotësve realë (shkarkimet urbane, industriale dhe pellgjet lumore), politika e ndjekur ka krijuar një iluzion rregullator, ku masa duket e fortë në letër, por është e dobët dhe potencialisht e dëmshme në praktikë. 

“Nga pikëpamja teknike dhe rregullatore, decentralizimi i trajtimit të ujërave të përdorura në nivel njësie individuale (on-site treatment systems) paraqet një rrezik të shtuar për fragmentimin e kontrollit të ndotjes. Ndryshe nga impiantet e centralizuara publike të trajtimit të ujërave të ndotura (WWTP), të cilat operojnë mbi bazën e standardeve të unifikuara, protokolleve të mirëmbajtjes dhe monitorimit të vazhdueshëm, shpërndarja e dhjetëra apo qindra impianteve të vogla krijon një shumësi pikash potenciale të shkarkimit jo-konform. Kjo rrit probabilitetin e mosrespektimit të parametrave të lejuar për BOD, COD, lëndë pezull, nutrientë apo ndotës të tjerë specifikë. Për më tepër, kapaciteti i strukturave inspektuese për të kryer monitorim sistematik, të shpeshtë dhe në kohë reale në një sistem kaq të difuz është i kufizuar praktikisht. Kontrolli i performancës operacionale, i cikleve të mirëmbajtjes dhe i përputhshmërisë me kushtet e lejes mjedisore bëhet shumë më kompleks, duke ulur sigurinë e trajtimit efektiv dhe të qëndrueshëm të ujërave”, shpjegon Nika.

Por, kjo nuk e pengoi Ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku të zhvillojë ture në mbarë vendin për të ndjekur nga afër zbatimin e aktit normativ për trajtimin e ujërave të ndotura nga subjektet hoteliere që operojnë gjatë vijës bregdetare.

Monitorimi i vendosjes së impianteve për trajtimin e ujërave u mbështet edhe nga kryeministri Edi Rama i cili në postimet në rrjetet sociale tregonte suksesin e grupit të task-forcës.

Dhe pse çdo operator turistik është i detyruar të nënshkruajë kontratë me Ujësjellës-Kanalizimet për përpunimin e ujërave të ndotura, dhe bashkitë kanë detyrimin ligjor për vendosjen e impianteve, në kulmin e sezonit turistik bizneset u gjobitën nga aksionet masive që kryen inspektorët e task-forcës.

Shumë pronarë deklaruan se gjobat ishin të larta, selektive dhe shpesh të lidhura me ndikime politike dhe financiare, duke krijuar një atmosferë ku emergjenca shërbeu më shumë si justifikim për presion ekonomik, sesa për mbrojtje reale mjedisore.

Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve në një përgjigje zyrtare i tha “shteg.org” se inspektorët e task-forcës nuk kanë vendosur asnjë masë për heqjen e licencës së subjekteve që nuk kanë vendosur impiante kushtueshme.

Por ky institucion refuzoi të japë informacion mbi numrin e gjobave të vendosura nga marsi i 2024 deri në nëntor të 2025. Zyra e shtypit të këtij institucioni ofroi vendimin e qeverisë, por pa bërë transparencë asnjë vendim tjetër të marrë nga inspektorët në dëm të operatorëve privatë.

Por të dhënat e hapura tregojnë se që prej miratimit të aktit normativ në fund të vitit 2023, me qëllim mbrojtjen e ujërave nga ndotjet e subjekteve, deri në gusht të vitit 2025 janë vënë gjithsej 115 masa administrative.

Masat administrative dyshohet se mund të jenë më të larta dhe dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se shumica e këtyre akteve janë kundërshtuar në gjykatat administrative. Referuar kërkesave të padive, operatorët turistikë janë gjobitur edhe pse disa dispononin kontrata me operatorë privatë për vendosjen e impianteve, apo dhe me ndërmarrjen e ujësjellës-kanalizimeve për përpunimin e ujërave të ndotura.

Pse vetëm bizneset bregdetare

Bregdeti Shqiptar

Në ditën e parë të punës së Kuvendit, më 3 janar 2024, në sekretari u depozitua kërkesa e qeverisë për miratimin e një akti normativ që synonte zgjidhjen e një herë e mirë të çështjes së ujërave të ndotura në vend, sidomos në zonën bregdetare.

Dy komisione parlamentare, ai i çështjeve ligjore dhe për veprimtaritë prodhuese, e miratuan aktin në dy mbledhje të zhvilluara në platformat online, në datat 16 dhe 17 janar, dhe 5 ditë më vonë, ky akt normativ u miratua edhe nga mazhoranca parlamentare socialiste.

Po me kaq urgjencë vepruan edhe dy ministritë e linjës, që propozuan ligjin, duke nënshkruan një udhëzim i cili shtoi në mënyrë të pa ligjshme sipas ekpertëve, që edhe operatorët turistik që kishin kontrata me UK-në, të vendosnin impiante për trajtimin e ujërave të ndotura, një investim ky që varion nga 40,000 – 150,000 euro.

Një element që vë në pikëpyetje qëllimin mjedisor të udhëzimit është përqendrimi pothuajse ekskluziv te bizneset turistike në zonat bregdetare, si subjektet ndotëse të ujërave ndërkohë që ndotja e ujërave ka karakter të gjerë dhe buron nga shkarkimet urbane të patrajtuara nga UK-të, nga veprimtaritë industriale dhe nga pellgjet lumore që përfundojnë në det. Këtë thonë raportet e vlerësimit në mjedis të AKM-së (raportet 2021, 2022). Në asnjë nga raportet e AKM-së nuk raportohen si ndotës hoteleritë bregdetare ose jo.

Ujërat e ndotura nuk njohin kufij administrativë apo sezonal. Ato mblidhen në rrjetet urbane, përshkojnë pellgjet lumore dhe derdhen në det, pavarësisht origjinës së tyre.

Fakti që masa nuk adreson ndotjen urbane në brendësi të territorit, as shkarkimet industriale apo funksionimin e UK-ve joefikase, tregon sipas ekspertëve se qëllimi nuk ka qenë pastrimi sistemik i ujërave, por vendosja e një barre të drejtpërdrejtë mbi një kategori të caktuar biznesesh.

Kjo përzgjedhje selektive krijon jo vetëm pabarazi ekonomike, por edhe një qasje të gabuar mjedisore, që nuk trajton burimet reale të ndotjes.

“Kjo nismë ligjore ngre shqetësime serioze për mënyrën se si trajton bizneset, pasi krijon një situatë të pabarabartë dhe me kosto të lartë financiare. Në praktikë, subjektet vendosen përballë dy alternativave të vështira: ose të përballen me gjoba që mund të arrijnë deri në vlerën e impiantit, ose të detyrohen të realizojnë investimin përkatës, pa ofruar një mekanizëm të arsyeshëm ndërmjetësues apo mbështetës. Një qasje e tillë rrezikon të perceptohet si e padrejtë dhe penalizuese ndaj sektorit privat,” thotë Olsi Nika, drejtor i organizatës “Eco Albania.”

Në terma praktikë, ky ndryshim administrativ shënoi një zhvendosje të qartë të një funksioni publik, trajtimit të ujërave urbane, nga shteti dhe njësitë e qeverisjes vendore te bizneset private, përmes imponimit të investimeve individuale që variojnë nga 40,000 deri në 150,000 euro për një impiant të vetëm.

Biznese që operojnë në sektorin e hoteleri-turizmit i thanë “shteg.org”, në kushtet e anonimatit për shkak të presionit institucional, se ndihen të shfrytëzuara dhe të “vjedhura me ligj,” pasi detyrohen të paguajnë dy herë për të njëjtin shërbim publik ose të përballen me masa ndëshkuese disproporcionale.

Ekspertët mjedisorë theksojnë se decentralizimi i trajtimit të ujërave përmes impianteve individuale rrit rrezikun e mosfunksionimit, e bën monitorimin institucional praktikisht të pamundur dhe krijon një efekt kumulativ ndotjeje, që në shumë raste mund të jetë më i dëmshëm se sistemi ekzistues publik.

“Ndodh që një biznes e trajton ujin siç duhet, tjetri ngjitur nuk mund ta trajtojë sepse s’ka para për ta mirëmbajtur siç duhet, në fund do derdhin në të njëjtin kolektor, edhe shtëpisë dhe uji do të jetë po njësoj i ndotur. Këtu del që qëllimi nuk na qenka ky, qëllimi është i pastër ‘hajde të shesim impiante’. Kjo është një skemë e pastër për të shitur impiante dhe jo për të patur një cilësi shumë të mirë, apo të mirë të ujërave larës,” – thotë Nika.

Impiantet, një biznes në lulëzim

Inspektorët e Task Forcës duke monitoruar vendosjen e impianteve
Credits: Faqja zyrtare e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku – Inspektorët e Task Forcës duke monitoruar vendosjen e impianteve

Namik Sadiku është ndër operatorët turistikë, në Shkëmbin e Kavajës, që u gjobit me 24 milionë lekë më 18 shtator 2024 nga inspektorët e Task Forcës. Ai zotëron një të tretën pjesë të një pallati-kompleks me 200 hyrje. Dokumentet tregojnë se për ushtrimin e aktivitetit të tij, Namiku ka një kontratë me Ujësjellës-Kanalizime Durrës dhe ujërat e ndotura i shkarkon vetëm në rrjetin e kanalizimeve, shërbim për të cilin ai paguan çdo muaj.

Por pavarësisht se kishte nënshkruar çdo dokument dhe kryente çdo pagesë me ndërmarrjen e ujësjellës-kanalizimit të Durrësit, pa përfunduar ende sezoni turistik, në dyert e kompleksit u shfaqën inspektorët e kësaj ndërmarrjeje.

“Erdhën 3 djem dhe gjatë kohës komunikonin me të tjerët ku duket se merrnin urdhra. Pa më shpjeguar se çfarë akti bëhej fjalë, vendosën gjobë” – tregon për “shteg.org” Namik Sadiku.

Gjatë kontrollit, inspektorët konstatuan se në kompleks nuk ishte vendosur impianti i trajtimit të ujërave të ndotura, siç edhe urdhërdhëronte akti normativ i qeverisë.

Dhe pse Namiku ushtronte aktivitetin e tij me të paktën 3 bashkëaksionerë në të njëjtin godinë, inspektorët gjobitën vetëm Namikun me 24 milionë lekë të vjetra.

“Gjobat po vendosen në mënyrë subjektive. Në të njëjtin pallat, ndërtuesi ka 50 dhoma dhe nuk ka marrë asnjë gjobë” – tregon Namik Sadiku mbi gjobën, e cila i “rrëmbeu” gjithçka që ai kishte futur gjatë sezonit turistik të 2024.

Investimi për instalimin e një impianti varion nga 40,000 – 150,000 euro, një shumë që sipas pronarëve të subjekteve është shumë e lartë duke marrë parasysh faktin që vendosja e impianteve që trajtojnë ujërat e ndotura është detyrim dhe funksion i bashkive të ushtruar përmes Ujësjellës-Kanalizimeve.

“Legjislacioni EU përcakton qartë që trajtimi i ujërave të ndotura është detyrim ligjor i shtetit dhe komunave, jo i biznesit përvetës. Shumë biznese janë të lidhura tashmë me rrjetin ose kanë gropa septike të miratuara në lejet e ndërtimit, dhe nuk mund të detyrohen të investojnë sërish në sisteme të reja pa rimbursim.” – thotë për “shteg.org” kreu i shoqatës së operatorëve turistikë, Zak Topuzi.

Ndërsa Olsi Nika thotë se janë njësitë e qeverisjes vendore që duhet të trajtojnë ujërat e përdorura dhe mbetjet e ngurta urbane të gjeneruara në territorin e administrimit të tyre, ndërsa detyrimi i bizneseve për vendosjen e impianteve nuk është gjë tjetër veçse një skemë biznesi.

“Këto lloj nismash ligjore paraqiten si masa për përmirësimin e cilësisë së ujërave të ndotura, por në thelb nuk garantojnë arritjen e qëllimit të shpallur. Në skenarin më optimist, ndikimi i tyre mbetet minimal, pasi detyrimi u adresohet vetëm bizneseve, të cilat përbëjnë më pak se gjysmën e njësive që gjenerojnë ujëra të përdorur, duke lënë jashtë një pjesë të konsiderueshme të burimeve të shkarkimit, si njësitë e banimit. Në këto kushte, përmirësimi sistemik i cilësisë së ujërave larës është i kufizuar. Në skenarin më problematik, një qasje e tillë mund edhe ta përkeqësojë situatën, duke promovuar një model trajtimi të fragmentuar dhe difuz, që rrit numrin e pikave potenciale të ndotjes dhe e bën monitorimin efektiv të vështirë. Kjo krijon dyshime të arsyeshme se nisma të tilla mund të mos jenë të orientuara primarisht drejt përmirësimit të parametrave mjedisorë, por drejt favorizimit të tregtimit të impianteve individuale, pa siguruar domosdoshmërisht rritje reale të cilësisë së ujërave” – shpjegon Nika.

Inspektorë të ujësjellës kanalizimeve duke ushtruar kontrolle në biznese
Credits: Faqja zyrtare e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku – Inspektorë të ujësjellës kanalizimeve duke ushtruar kontrolle në biznese

Dokumentet tregojnë se në kulmin e operacioneve të inspektorëve të ujësjellës-kanalizimeve, kompani të njohura në fushën e ndërtimit filluan të ofronin shërbimin e vendosjes së impianteve.

Një ndër kompanitë që vetëreklamohet si lider në fushën e ujësjellës-kanalizimeve dhe menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri është “Water Treatment Albania”. Kompania është pjesë e Ismailaj Group, e njohur për investimet në infrastrukturë dhe në sektorin e ndërtimit.

Një tjetër subjekt që operon në këtë fushë është WAST WATER STORE, e njohur më parë si “Water Shop”, e themeluar më 3 qershor 2024. Kjo shoqëri ka lidhur kontrata me dy subjekte dhe ka pësuar një zgjerim të rëndësishëm të objektit të veprimtarisë së saj. Më datë 19 qershor 2024, objekti fillestar, i cili përfshinte import-eksportin dhe tregtimin e aparaturave për trajtimin e ujit të pijshëm, u ndryshua dhe u zgjerua për të përfshirë import-eksportin dhe tregtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza, si me shumicë ashtu edhe me pakicë. Ky zgjerim erdhi pas miratimit të Aktit Normativ nr. 8.

Një kompani e tretë është Ecosoft Albania, e cila në faqen e saj reklamon vendosjen e disa impianteve në jugun e vendit. Kompania zotërohet nga “TEOREN” e cila, sipas ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Biznesit ka shtuar në aktivitetin e saj tregtar vendosjen dhe mirëmbajtjen e sistemeve hidraulike dhe elektrike.

Shoqëria e përmendur në dy nga tetë subjektet që paditën AKUK është ISEC SHPK e themeluar më 5 janar 2014.

Nga verifikimet e gazetarëve të “shteg.org” rezulton se subjektet e listuara më sipër janë ato që ofrojnë impiante për trajtimin e ujërave të ndotura dhe gjithashtu janë subjektet që kanë lidhur më shumë kontrata gjatë vitit të fundit.

Asnjëra prej kompanive nuk iu përgjigj pyetjeve për koment, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Turizmit deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kanë komentuar pasojat e shkaktuara tek biznesi nga udhëzimi i firmosur prej dy ministrave, Balluku dhe Kumbaro.

Balluku dhe Kumbaro shpërndajnë barrën e paligjshme tek mijëra biznese

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro gjatë miratimit të udhëzimit të përbashkët për detyrimin e bizneseve në vendosjen e impianteve
Credits: Faqja zyrtare e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku – Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro gjatë miratimit të udhëzimit të përbashkët për detyrimin e bizneseve në vendosjen e impianteve

Elvisit, një prej operatorëve që ushtron aktivitetin në bregdetin e Durrësit, muaj për muaj i vijnë faturat e furnizimit, largimit dhe trajtimit të ujrave të ndotura. Dokumentet që shteg.org ka, tregojnë se pagesat e këtyre faturave të ardhura nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës, për shërbimin e largimit dhe trajtimit të ujrave të ndotura, janë paguar nga viti 2019, që përkon me hapjen e aktivitetit turistik deri në janar të 2026.

Dhe pse prej 6 vjetësh që ushtron aktiviteti, Elvisi ka paguar çdo detyrim për trajtimin e ujrave të ndotura, në janar i vjen gjobë e vendosur nga task-forca në masën e 24 milion lekëve (të vjetra), pasi inspektorët e konsideruan subjektin si ndotës të ujrave dhe se nuk kishte instaluar impiantin e udhëzuar nga akti normativ i dy ministrive.

Përveç gjobës, subjekti u paralajmërua, nëse nuk do të kishte blerë impiantin e ujrave, brenda fundit të marsit do të gjobitej sërish nga task-forca me 50 milion lekë të tjera.

“Shteg.org” pati të paktën 13 vendime administrative ku pala e paditur nga operatorët turistikë ishte agjencia e Ujësjellës-Kanalizimeve; inspektorët e të cilëve kanë vendosur gjoba që varionin nga 15 milion deri në 24 milion lekë të vjetra, ndërsa të dhënat tregojnë se ndaj këtij institucioni janë ngritur mbi 58 procese gjyqësore.

Udhëzimi, i cili në pamje të parë synon të rregullojë standardet teknike për trajtimin e ujërave të ndotura pranë ose në ujëra larëse, ka shkuar shumë përtej këtij qëllimi, duke krijuar detyrime të reja, të kushtueshme dhe të paautorizuara me ligj.

Në bazë të nenit 5 të Aktit Normativ nr. 8, datë 28.12.2023, ministritë ishin të autorizuara vetëm për të miratuar rregulla teknike. Megjithatë, përmes nenit 6 të Udhëzimit të Përbashkët, është zgjeruar në mënyrë arbitrare rrethi i subjekteve që i nënshtrohen detyrimit për instalimin e impianteve private të trajtimit të ujërave të ndotura.

Ky formulim përfshin edhe bizneset që janë të lidhura me rrjetin publik të ujësjellës-kanalizimeve (UK) dhe që, sipas ligjit, paguajnë rregullisht për shërbimin e trajtimit të ujërave të ndotura nga operatorët publikë.

Sipas kuadrit ligjor ekzistues, trajtimi i ujërave urbane është funksion publik, që realizohet nga shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve në varësi të bashkive. Vetë materiali shpjegues i Aktit Normativ nr. 8/2023 e pranon qartë se problemi kryesor lidhet me zonat: “që mbulohen pjesërisht me rrjet kanalizimesh” dhe ku subjektet “përdorin zgjidhje të papërshtatshme individuale, si gropat septike” – sqaron akti normativ.

Megjithatë, me nënshkrimin e përbashkët të udhëzimit, dy ministritë kanë vendosur që edhe subjektet që kanë kontrata me ndërmarrjet e ujësjellësve kanalizime detyrohen të ndërtojnë impiante private.

“Ndodh që një biznes e trajton ujin siç duhet, tjetri ngjitur nuk mund ta trajtojë sepse s’ka para për ta mirëmbajtur siç duhet, në fund do derdhin në të njëjtin kolektor, edhe shtëpisë dhe uji do të jetë po njësoj i ndotur. Këtu del që qëllimi nuk na qenka ky, qëllimi është i pastër ‘hajde të shesim impiante’. Kjo është një skemë e pastër për të shitur impiante dhe jo për të patur një cilësi shumë të mirë, apo të mirë të ujërave larës.” – thotë Nika.

Ndërsa operatorët turistik enden dyerve të gjykatave, dy organizata përfaqësuese të sektorit të turizmit iu drejtuan zyrës ligjore “Res Publika” për ti kërkuar Gjykatës Kushtetuese, shpalljen antikushtetue të udhëzimin ministror si i paligjshëm dhe i dëmshëm, jo vetëm për operatorët turistikë, por edhe për interesin publik mjedisor.

Udhëzim klientelist dhe antikushtetues

Tabelat që bizneset janë të detyruara të vendosin që sipas juristëve janë poshtëruese
Udhëzim klientelist dhe antikushtetues

Operatorët turistikë të grupuar në dy organizata iu drejtuan Qendrës së ResPublika për t’u përfaqësuar para gjykatës për shfuqizimin e udhëzimit.

Sipas tyre, ishte pikërisht Neni 6 i Udhëzimit i cili i detyronte subjektet e strukturave akomoduese, edhe kur ato janë të lidhura me rrjetin publik të ujësjellës-kanalizimeve, të instalojnë impiante private të trajtimit të ujërave të ndotura.

Shoqatat u shprehën të shqetësuara për trajtimin e ujërave të ndotura dhe se detyrimi për të ndërtuar impiante private për të njëjtin shërbim përkthehet në kosto të dyfishta, përveçse nuk zgjidh problemin mjedisor që është në interesin e të gjithë bizneseve të bregdetit më së pari.

Në kërkesën e operatorëve, drejtuar Gjykatës Kushtetuese kundër nenit 6 të Udhëzimit të dy ministrive, “Për miratimin e rregullores teknike mbi standardet për trajtimin e ujërave të ndotura për subjektet që shkarkojnë ujëra të ndotur dhe të patrajtuara pranë ose në ujëra larëse”, dhe konkretisht të frazës “…të lidhur ose jo me rrjetin publik të kanalizimeve” u renditën shumë shkelje kushtetuese.

“Kjo kërkesë bazohet në faktin se neni 6 i marrëveshjes imponon detyrime që janë antikushtetuese në formë dhe përmbajtje, dhe cenojnë një sërë të drejtash ligjore, ekonomike të subjekteve të lidhura me rrjetin publik të ujësjellës-kanalizimeve, por edhe të drejtat e konsumatorit, barazinë para ligjit. Ky akt është në kundërshtim me acqui communitaire, parime të shtetit të së drejtës, dhe interesa mjedisore” – thuhet në kërkesën e avokatëve Dorian Matlija dhe Irena Dule, drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Sipas avokatëve, zbatimi i nenit 6 ka prodhuar pasoja të menjëhershme dhe të pakthyeshme për mijëra operatorë të lidhur me rrjetin publik, të cilët po përballen me detyrimin për investime prej mijëra eurosh që nuk kthehen, me gjoba të rënda që ekzekutohen menjëherë, me rrezikun e pezullimit të aktivitetit dhe me vendosjen e tabelave poshtëruese, duke cenuar në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtën e pronës, lirinë ekonomike, reputacionin profesional dhe pritshmëritë legjitime.

Nga pikëpamja mjedisore, avokatët theksojnë se detyrimi për impiante individuale nuk sjell përfitim publik. Sipas tyre, ujërat e familjarëve, bizneseve në thellësi të territorit së bashku me ujërat e bizneseve pranë bregdetit, në fund do të përzihen në rrjetin publik. Instalimi i impianteve nga vetëm një fragment ndotësish rrit rrezikun e ndotjes dytësore dhe krijon një iluzion administrativ, që largon vëmendjen nga ndotësit realë dhe ul motivimin për mirëmbajtjen e impianteve publike.

“Raportet e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për vitet 2021–2022 tregojnë se ndotësit kryesorë të ujërave bregdetare janë shkarkimet e UK-ve dhe ndotjet industriale, jo strukturat akomoduese të lidhura me kanalizimet,” – thuhet në ankimin kushtetues.

Kërkesa nënvizon se trajtimi i ujërave të ndotura është funksion i bashkive, i ushtruar përmes UK-ve, dhe transferimi i detyrimeve te subjektet private shkel parimin e subsidiaritetit dhe nenet 13 dhe 108 të Kushtetutës.

“Udhëzimi përmbys këtë strukturë kushtetuese duke i transferuar detyrimet publike te subjektet private, pa bazë ligjore dhe në kundërshtim me parimin e subsidiaritetit” – argumentojnë avokatët të cilët në emër të dy organizatave kërkojnë Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e Nenit 6 të Udhëzimit të dy ministrive.

“Përgjegjësia duhet të qëndrojë aty ku ligji e parashikon, tek shteti dhe institucionet publike,” përfundon kërkesa sipas të cilës shfuqizimi i pjesshëm i nenit të kundërshtuar do të sillte jo vetëm shpëtimin nga mbyllja të dhjetëra bizneseve, por edhe do të përmirësonte objektivin për mbrojtjen e mjedisit.

Miliona euro për impiante që nuk funksionojnë

Impianti i trajtimit të ujërave të ndotura në Kashar që nuk funksionon
Credits: shteg.org – Impianti i trajtimit të ujërave të ndotura në Kashar që nuk funksionon

Në vitin 2023, kur u iniciua nisma e qeverisë që ia kalonte barrën sektorit privat për trajtimin e ujërave të ndotura, Shqipëria u promovua si një histori suksesi turistik me mbi 9 milionë vizitorë dhe cilësia e ujërave larëse arriti nivelin më të keq të dekadës së fundit. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbuloi se investimet në impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura urbane kanë ardhur në rënie nga viti në vit, ndërsa fondet publike janë përdorur kryesisht për të mbajtur në funksion impiantet ekzistuese, jo për të ndërtuar kapacitete të reja.

Qeveria shqiptare ka investuar mbi 112 milionë euro për ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura, ndërsa 100 milionë të tjera janë shpenzuar për një impiant që nuk ekziston, si ai i Kasharit.

“Impianti i trajtimit të ujërave të përdorur të Qytetit të Tiranës nuk është vënë në funksion, nuk i mbledh ujërat, të bëjë trajtimin siç duhet, nuk ka, nuk ekziston fare.

Pellgu i Ishmit i vuan, pra të gjithë këta lumenj grumbullohen në Ishëm dhe aty derdhen, derdhen në det të patrajtuara. Lana është më emblematiku sepse është me të vërtetë një kolektor i madh i ujërave të përdorur” – thotë Olsi Nika.

Edhe pse numërohen 16 impiante të trajtimit të ujërave të ndotura, vetëm 10% e popullsisë e merr këtë shërbim, ndërsa ujërat e zeza dhe industriale vijojnë të shkarkohen në lumenj e dete, duke krijuar dëme të pallogaritshme për mjedisin dhe shëndetin e popullsisë.

“Për të tretin vit radhazi, raportet e Agjencisë Europiane të Mjedisit evidentojnë Shqipërinë ndër vendet me performancën më të dobët sa i takon cilësisë së ujërave larës. Vlerësimet tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e tyre klasifikohet në kategori “e dobët” ose “e pamjaftueshme”, çka lidhet drejtpërdrejt me mungesën e eficiencës në trajtim dhe me mungesën e impianteve funksionale në zona të caktuara. Ndërkohë, fokusi publik është përqendruar kryesisht në zonat bregdetare, ku nevoja për impiante trajtimi është e qartë. Megjithatë, ndotja ka karakter difuz dhe buron shpesh nga brendësia e territorit. Shkarkimet urbane dhe industriale në basenet lumore transmetohen përmes lumenjve deri në det, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e ujërave bregdetare. Kjo nënvizon nevojën për një qasje të integruar në nivel pellgu ujëmbledhës, dhe jo vetëm për ndërhyrje të fragmentuara në vijën bregdetare” thotë Olsi Nika.


Shënim: Ky publikim, është mundësuar me mbështetjen financiare të projektit GreenAL, i zbatuar nga Co-PLAN, COSV dhe VIS Albania. Pikëpamjet dhe përfundimet e përfshira këtu nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë Suedeze ose të Sida-s, Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim për Zhvillim (Sida).

Gazetare at  | [email protected] |  + posts

Lindita Çela është një gazetare investigative e shquar, e njohur për raportimet e saj të përpikta dhe të guximshme mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri. Me një karrierë që shtrihet për mbi dy dekada, Çela është konsoliduar si një figurë e rëndësishme në fushën e gazetarisë investigative, duke fituar vlerësime si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar për punën e saj.

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.