Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi deklarimin fajtor për ish-drejtoreshën e “Tirana Parking”, Eglantina Zëre, si dhe për katër zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, por ka zbutur masën e dënimit duke pezulluar ekzekutimin e burgimit.
Vendimi u shpall më 29 janar 2026 nga trupa gjykuese e përbërë nga Miliana Muça, Saida Dollani dhe Tereza Merkaj. Apeli konfirmoi se në vitin 2019, pesë zyrtarët e Bashkisë së Tiranës kanë manipuluar procedurat e prokurimit për rikonstruksionin e sheshit të parkimit pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, duke favorizuar kompaninë “5D Konstruksion”.
Sipas vendimit, Eglantina Zëre, Rivjola Baxha, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Kristo Zhulati kanë krijuar avantazhe të padrejta për “5D”, kompani që, sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), kontrollohej në mënyrë të fshehtë nga ish-drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Redi Molla, dhe ish-kreu i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Mariglen Qato.
Ndryshe nga Gjykata e Shkallës së Parë, e cila kishte vendosur vuajtjen e dënimit me burg, Apeli aplikoi nenin 59 të Kodit Penal dhe vendosi pezullimin e dënimit, duke i lënë të pandehurit në shërbim prove për 12 muaj. Ndërkohë, masa plotësuese e ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike për pesë vite mbetet në fuqi.
Çështja ndaj zyrtarëve të “Tirana Parking” përbën një nga degëzimet e dosjes voluminoze të njohur si “5D”, një hetim i SPAK që përfshin disa ish-drejtues të Bashkisë së Tiranës dhe dyshime për një skemë të organizuar të manipulimit të tenderave publikë.
Sipas SPAK, procedurat e prokurimit në disa institucione të Bashkisë së Tiranës, përfshirë UKT-në dhe “Tirana Parking”, ishin kthyer në formalitete burokratike. Në disa raste, vlerësimi i ofertave nuk kryhej nga Komisionet e Vlerësimit të Ofertave, por nga punonjës të vetë kompanisë “5D Konstruksion”.
Hetimet tregojnë se “5D” u regjistrua në janar të vitit 2016, pak javë përpara se Redi Molla dhe Mariglen Qato të emëroheshin në poste drejtuese në Ujësjellës-Kanalizimet Tiranë. Brenda gjashtë muajsh nga krijimi, kompania fitoi tenderin e parë publik, pikërisht nga UKT, ndonëse nuk plotësonte kriteret ligjore.
Për një periudhë gjashtëvjeçare, deri në nëntor 2022, “5D” u shpall fituese në të paktën 32 tendera publikë me një vlerë mbi 2.8 miliardë lekë. Sipas SPAK, shkelje janë konstatuar në rreth gjysmën e këtyre procedurave.
Në shumicën e rasteve, “5D” fitonte tenderat si bashkim operatorësh me kompani të tjera, ndërsa pjesa kryesore e punimeve realizohej nga partnerët e saj. Pjesa më e madhe e tenderave u akorduan nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet në varësi të saj, ku Molla dhe Qato kishin ndikim të drejtpërdrejtë përmes lidhjeve me drejtues të tjerë të lartë.
SPAK dyshon se fondet e përfituara nga tenderat publikë janë nxjerrë nga “5D” përmes skemave të pagesave për punë fiktive dhe tërheqjeve të shumta në cash, për t’u riinvestuar më pas në sipërmarrje të tjera, kryesisht në sektorin e ndërtimit.
Nga viti 2021, kompania nisi të përfitojë edhe leje ndërtimi për objekte shumëkatëshe në Tiranë, ndërsa më 9 korrik 2024, “5D” dhe projektet e saj u vendosën nën sekuestro preventive, nën dyshimin për përvetësim fondesh publike dhe pastrim parash.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.


























