Apeli ndryshon masën e sigurisë për Taulant Tushën

Ish-drejtori i Bashkisë Tiranë kalon nga arresti në burg në arrest shtëpiak në dosjen “5D”.

637
Inceneratori i Tiranës, Tusha deklaron se projekti u miratua nga qeveria
Credits: shteg.org - Taulant Tusha

Apeli i Gjykatës së Posaçme ka pranuar kërkesën e ish-drejtorit të Bashkisë Tiranë, Taulant Tusha, duke zëvendësuar masën e sigurisë “arrest në burg” me arrest shtëpiak. Vendimi i gjykatës pritet të ndryshojë dinamikën e procesit gjyqësor, duke lehtësuar kushtet e të akuzuarit në pritje të zhvillimeve të mëtejshme në dosjen e njohur si “5D”.

Në këtë dosje, përveç Tushës, janë përfshirë edhe dy ish-drejtorë të Bashkisë Tiranë, Mariglen Qato dhe Redi Molla, si dhe administratorë dhe punonjës të kompanisë “5D”. Qato dhe Molla u arrestuan në mars të vitit 2024 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), në kuadër të hetimeve për tendera të dyshuar të favorizimit në Bashkinë e Tiranës.

Sipas dosjes së SPAK, kompania “5D Konstruksion” u përdor si një mjet për të përfituar nga fondet publike në mënyrë të paligjshme. Ajo rezulton të ketë fituar 32 tendera publikë, me një vlerë totale mbi 2.8 miliardë lekë, të dhëna nga institucione që lidheshin drejtpërdrejt me pozitat zyrtare të Mollës dhe Qatos.

Kompania ndryshoi disa herë pronësinë, duke kaluar nga Eduard Meta, tek Muhamet Petriti dhe më pas në vitin 2021 tek Nestor Muhametllari, mik i afërt i Redi Mollës.

SPAK thotë se të gjitha këto kalime ishin formale, pa transaksione reale dhe kishin si synim fshehjen e pronësisë së vërtetë dhe evitimin e përgjegjësisë penale. Në shumë tendera, kompania fituese ndonëse nuk përmbushte kriteret teknike apo ligjore. Në disa raste, anëtarë të komisioneve të vlerësimit rezultuan më pas punonjës të kompanisë, një skemë e qartë konflikti interesi.

Më 17 qershor 2024, Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka dhënë dënime me 4 vite burg për pesë të pandehur në një nga fraksionet e dosjes “5D”, lidhur me tenderin e “Tirana Parking”. Në këtë pjesë të hetimit, Eglantina Zere u dënua me 1 vit burg për manipulim të procesit tenderues. Sipas gjykatës, Zere, në rolin e titullarit të autoritetit kontraktor, bashkë me anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kanë favorizuar kompaninë “5D” për rikonstruksionin e sheshit të parkimit te Selman Stermasi në tetor 2019.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënim për Leonard Tushën lidhur me aferën e inceneratorëve, ku ai akuzohet për shpërdorim detyre dhe favorizim të paligjshëm. Nga ana e tij, Tusha ka insistuar se çdo veprim i tij si ish-drejtor i Bashkisë Tiranë ishte pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, duke përmendur edhe propozimin e bonusit për inceneratorin, i cili sipas tij ishte miratuar nga qeveria.

Në letrën e tij, Tusha ka argumentuar se çdo veprim i tij duhet të konsiderohet si veprim zyrtar i Bashkisë, duke theksuar se ai kishte të drejtë të propozojë një vlerësim deri në 10 pikë. Ai ka shtuar se Bashkia e Tiranës ka bërë përpjekje maksimale për të zgjidhur menaxhimin e mbetjeve dhe ka cilësuar arrestimin e tij si të padrejtë, duke kërkuar shpalljen e pafajësisë.

Në ngarkim të Leonard Tushës janë edhe akuza të tjera që lidhen me shkatërrimin e Teatrit Kombëtar dhe rritjen e faturave për ndërtimin e shkollës “Sami Frashëri”.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.