Dhjetëra dosje të trajtuara nga sistemi i drejtësisë në Shkodër zbulojnë një realitet të errët dhe shpesh të padukshëm të dhunës seksuale ndaj të miturve, kryesisht vajza, por jo vetëm. Raste të ndodhura në periudha të ndryshme, nga viti 2013 deri në vitin 2021, dëshmojnë forma ekstreme abuzimi: dhunë seksuale brenda familjes nga prindi biologjik, shfrytëzim të zgjatur nga persona të rritur që kishin fituar besimin e familjes, si dhe dhunë seksuale në grup ndaj një të miture.
Pavarësisht dallimeve në kohë dhe rrethana, këto histori kanë një element të përbashkët: heshtjen e viktimave dhe mungesën e mbështetjes së menjëhershme institucionale. Në shumicën e rasteve, drejtësia ka ardhur me vonesë, shpesh pas viteve dhune dhe traume, duke e ekspozuar viktimën jo vetëm ndaj krimit fillestar, por edhe ndaj një forme të dytë dhune – riviktimizimit institucional gjatë procesit penal.
Proceset hetimore dhe gjyqësore kanë provuar abuzimet përmes dëshmive të viktimave, ekspertizave psikologjike dhe provave materiale, duke çuar në dënime të rënda penale, përfshirë burgime afatgjata deri në 26 vite. Gjykatat i kanë cilësuar këto raste si ndër format më të rënda të dhunës seksuale ndaj të miturve, për shkak të moshës së viktimave, pozitës dominuese të autorëve dhe pasojave të thella psikologjike që këto krime lënë pas.
Megjithatë, statistikat zyrtare nga policia, prokuroria dhe gjykatat tregojnë se dhuna në familje mbetet një problematikë e përhapur në qarkun e Shkodrës, ndërsa rastet e dhunës seksuale ndaj të miturve rezultojnë të pakta në shifra, por serioze në përmbajtje – një tregues i qartë i nën-denoncimit. Raporte kombëtare konfirmojnë se shumica e viktimave të krimeve seksuale janë të mitura dhe se mbështetja ligjore dhe psikologjike për to mbetet shpesh e pamjaftueshme.
Fëmijëri e shkatërruar brenda mureve të shtëpisë

Në një fshat të Velipojës, ku fëmijët zakonisht rriten mes tokës dhe bagëtive, jetonte Manjola me nënën, motrën dhe vëllain më të vogël. Kishte edhe motra të tjera, por ato ishin larguar prej kohësh – në Itali, Suedi dhe Lushnje. Familja jetonte në kufirin e varfërisë, por deri diku e sigurt, deri në ditën kur babai doli nga burgu, diku në mesin e vitit 2013.
Që nga ajo ditë, shtëpia nuk ishte më një vend i sigurt. Babai vendoste rregulla të rrepta dhe ndante punët: dikush në tokë, dikush me bagëtitë. Manjola, më e vogla e familjes, qëndronte shpesh në shtëpi. Babai punonte si roje nate, por dhuna e tij nuk kufizohej vetëm jashtë. Brenda mureve të shtëpisë, ai kontrollonte çdo hap të familjes përmes frikës dhe dhunës.
I rrihte, i shante dhe askush nuk guxonte t’i kundërpërgjigjej. Pas datës 7 mars 2013, ai filloi të abuzonte seksualisht me më të voglën e shtëpisë. Jo një herë, jo rastësisht, por vazhdimisht, për muaj me radhë.
Të nesërmen e një prej episodeve të abuzimit, vajza tentoi t’i jepte fund jetës duke pirë helm, por fatmirësisht i shpëtoi vdekjes.
“Doja të vdisja,” i tregoi ajo më vonë prokurorëve, ndërsa babai e kërcënonte se do ta vriste nëse tregonte – thuhet në dokumentet gjyqësore.
Në fillim të vitit 2014, e dërrmuar psikologjikisht dhe e paaftë për ta përballuar më tej situatën, Manjola u rrëfye familjarëve dhe bëri denoncimin në polici. Kjo shënoi nisjen e një procesi të gjatë dhe të rëndë, që do të zgjaste shumë më tepër se një vit – shumë më tepër se një pjesë e jetës që ajo do të donte ta fshinte nga kujtesa.
Hetimet nisën, u kryen ekspertiza dhe u ndoqën procedurat ligjore. Çdo hap kërkonte kohë: verifikime, mbledhje provash, ekspertiza psikologjike, dokumente dhe seanca gjyqësore. Një çështje që nisi me një denoncim të qartë në vitin 2014 përfundoi me vendim gjykate vetëm në fund të vitit 2022.
Më 14 dhjetor 2022, rreth dhjetë vjet pas abuzimit të parë dhe gati nëntë vjet pas denoncimit, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër shpalli babanë fajtor për veprat penale “marrëdhënie seksuale me të mitur” dhe “marrëdhënie seksuale me persona në kujdestari”. Gjykata e cilësoi rastin si një nga format më të rënda të dhunës seksuale brenda familjes dhe vendosi dënimin maksimal ndaj autorit.
Por dokumentet gjyqësore tregojnë se ky nuk është një rast i izoluar në qarkun e Shkodrës.
Në dosjet e shqyrtuara nga “shteg.org”, të miturat përballen me të njëjtin model dhune. Abuzim seksual, frikë dhe heshtje. Vajzat jetojnë për vite me radhë në një realitet ku dhuna fillimisht normalizohet, për t’u shndërruar më pas në një makth të përhershëm. Në çdo rast, autorët janë persona të njohur ose të besuar nga viktimat, të cilët përdorin pushtetin e tyre për të manipuluar, kërcënuar dhe shkatërruar jetën e një fëmije.
Statistikat zyrtare të institucioneve të drejtësisë tregojnë se dhuna në familje mbetet shqetësimi kryesor, ndërsa rastet e dhunës seksuale ndaj të miturve janë më të pakta në numër, por me pasoja jashtëzakonisht të rënda.
Për periudhën janar 2024 – shtator 2025, Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër ka shqyrtuar 97 çështje për dhunë në familje, ndërsa Prokuroria raporton 154 procedime për të njëjtën vepër penale.
Avokatja Edlira Bylo, e cila ka trajtuar dhjetëra çështje të ndjeshme të dhunës seksuale, e sheh këtë realitet si dëshmi të dobësive strukturore të shtetit ligjor në Shqipëri.
“Kodi Penal shqiptar është i plotë në letër. Nga neni 100 deri te 108/a, ligji parashikon çdo formë dhune seksuale – nga marrëdhëniet me të mitur, përdhunimi dhe ngacmimi, deri te shpërdorimi i detyrës apo kujdestarisë. Por ligji nuk ka vlerë nëse nuk zbatohet me shpejtësi dhe ndjeshmëri,” shprehet ajo.
Sipas Bylo-s, sistemi i drejtësisë mbetet i fokusuar kryesisht në ndëshkim dhe jo në mbrojtjen e viktimës. Proceset janë të ngadalta, të ndërlikuara dhe shpesh e ekspozojnë viktimën ndaj traumës së dytë: përballjes së përsëritur me autorin, me opinionin publik dhe me mosbesimin institucional.
“Drejtësia e vonuar është një dënim i dytë për viktimën. Nëse një vajzë e mitur duhet të presë me vite për një vendim, sistemi nuk po e mbron, por po e lëndon sërish.” – thotë ajo.
Bylo thekson se viktima duhet të trajtohet si subjekt aktiv procedural, jo thjesht si “provë” në një dosje penale, duke pasur të drejtë për përfaqësim ligjor, këshillim psikologjik dhe mbrojtje gjatë gjithë procesit.
“Në shumë gjykata mungojnë psikologët, punonjësit socialë janë formalë dhe seancat zhvillohen si çështje teknike, jo si histori njerëzore që kërkojnë ndjeshmëri,” shpjegon ajo.
Sipas saj, mungesa e ekspertëve dhe zvarritjet burokratike bëjnë që shumë viktima të mitura të tërhiqen nga procesi, të heqin dorë nga padia ose të pranojnë ‘pajtimin’ si formë mbijetese. Në disa raste, edhe nënat e vajzave bëhen bashkëpunëtore të heshtura të dhunuesve, duke e fshehur krimin “për hir të nderit familjar”.
“Në një shoqëri ku morali matet me turpin dhe jo me drejtësinë, nderi i familjes vendoset mbi jetën e një fëmije,” thekson ajo.
Bylo apelon për një drejtësi parandaluese, që ndërhyn herët në shkolla, komunitete dhe familje.
“Dhuna duhet ndalur përpara se të bëhet krim. Drejtësia nuk është vetëm ndëshkim. Ajo është shërim. Dhe pa shërim, shoqëria mbetet e sëmurë.”
Të dhënat kombëtare për vitin 2024 tregojnë se dhuna dhe krimet ndaj grave dhe fëmijëve nuk janë fenomene të izoluara, por pjesë e një realiteti social ku familja, paradoksalisht, shpesh kthehet në hapësirën e parë të rrezikut. Sipas INSTAT, gjatë vitit 2024, 1,456 gra kanë raportuar dhunë në familje, me Tiranën që mban numrin më të lartë të rasteve, e ndjekur nga Durrësi dhe Fieri.
Në të njëjtën periudhë, 1,447 të mitur janë identifikuar si viktima të veprave penale, nga të cilët 401 ishin vajza dhe 1,046 djem. Vajzat përbënin 15.5% të viktimave të krimeve seksuale, një shifër që, sipas ekspertëve, nuk pasqyron përmasat reale të fenomenit, por vetëm rastet e raportuara.
Këto të dhëna përputhen me raportin e Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare (QNL), publikuar në vitin 2025, sipas të cilit 67% e viktimave të krimeve seksuale janë të mitura dhe 85% prej tyre janë vajza. Megjithatë, vetëm 38% e viktimave kanë pasur përfaqësim ligjor gjatë procesit penal, duke nxjerrë në pah boshllëqe serioze në garantimin e të drejtave të tyre.
Raporti “Viktima e krimeve seksuale në kuadrin e procesit të rregullt ligjor”, i cili analizon 88 vendime gjyqësore të dhëna nga gjykatat shqiptare për periudhën 2020–2024, e konsideron dhunën seksuale ndaj të miturve si një nga problematikat më të rënda të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Në të gjitha rastet e analizuara, autorët rezultojnë meshkuj, ndërsa në shumicën dërrmuese të vendimeve mungon informacioni mbi mbështetjen psikologjike të ofruar për viktimat ose mbi faktin nëse ato janë informuar realisht për të drejtat e tyre procedurale.
Raporti thekson se mënyra se si zhvillohen proceset hetimore dhe gjyqësore shpesh çon në riviktimizim, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijë dhe adoleshentë. Për shumë prej tyre, drejtësia nuk përjetohet si mbrojtje apo shërim, por si një proces i gjatë, i ftohtë dhe emocionalisht i rëndë, që i detyron të rikthehen vazhdimisht tek trauma.
Shënim: “Ky publikim, është mundësuar me mbështetjen financiare të AMSHC-së. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e autorit, opinioni i shprehur në të nuk është domosdoshmërisht opinion i AMSHC-së”.
Ergys Kavaja është gazetar në Shkodër që prej vitit 2006. Ka përfunduar studimet për Gazetari–Komunikim në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, duke ndërtuar karrierën e tij mbi raportimin në terren, ndjekjen e ngjarjeve të rëndësishme dhe pasqyrimin e realitetit lokal.
Gjatë mbi 19 viteve përvojë, ka punuar në media lokale dhe kombëtare, duke mbuluar zhvillime politike, sociale, kulturore dhe çështje me interes publik për qytetin e Shkodrës dhe qarkun verior. Për disa vite ka mbajtur role drejtuese si drejtues i TV Star Plus në Shkodër dhe më pas në RTSH Shkodra, ku ka kontribuar në ndërtimin e përmbajtjeve informative dhe formimin e strukturave redaksionale.
Aktualisht është pjesë e Report TV, dhe bashkëthemelues i portalit eetimestv.com, një platformë mediatike e fokusuar te lajmi lokal, historitë njerëzore dhe pasqyrimi i jetës së përditshme të qytetit, me synimin për të ndërtuar një media të pavarur dhe të qëndrueshme.






















