SPAK dërgon në gjyq dy ish-prokurorët për korrupsion

Kledian Llaho dhe Çlirim Shahini akuzohen për ndërhyrje të paligjshme në procedura gjyqësore dhe marrje të përfitimeve monetare në këmbim të favorshmërisë ndaj një të pandehuri.

638
Kledian Llaho dhe Çlirim Shahini ish-prokurorë
Credits: shteg.org - Kledian Llaho dhe Çlirim Shahini ish-prokurorë

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet për dy ish-prokurorë dhe ka depozituar në gjykatë kërkesën për kalimin e çështjes për gjykim. Kledian Llaho, ish-prokuror dhe ish-drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Sarandës, akuzohet për korrupsion pasiv, ndërsa ish-prokurori tjetër, Çlirim Shahini, aktualisht avokat, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

Hetimet e SPAK zbardhin një aferë korrupsioni ku ish-prokurorët dyshohet se ndërhynin në procedurat gjyqësore në këmbim të përfitimeve monetare.

Nga hetimi i nisur më 6 janar organi i akuzës dyshon se Llaho ka kryer veprime korruptive, nga të cilat do përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrri i tij. Ky nuk është rasti i vetëm, por SPAK thotë se ka dyshime se gjatë ushtrimit të detyrës së tij si prokuror dhe kryetar i Prokurorisë së Sarandës, Llaho ka kryer veprime të paligjshme edhe në raport me persona të tjerë duke abuzuar kështu me funksionin e tij.

“Personi nën hetim, magjistrati, Kledian Llaho dyshohet se ka kryer veprime me natyrë korruptive, duke kërkuar përftime të parregullta materiale, nga të cilat do të përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrri i tij, shtetasi. V.GJ, si dhe ka dyshime për veprime të kundraligjshme edhe në raport me persona të tjerë. Magjistrati K.Ll, në cilësinë e prokurorit të çështjes penale, nr 774/2021 dhe asaj me nr.720/2024, dyshohet se ka abuzuar me funksionin e tij”, njoftoi SPAK më 16 janar 2025.

Ish-prokurorët e Sarandës dyshohen se u përfshinë në një aferë korrupsioni për zbutjen e masës së sigurisë ndaj Pando Papuçi, i cili ishte shpallur në kërkim për ‘ndërtim pa leje’. Ky i fundit, pasi arriti t’i shmangej drejtësisë për dy vite, u arrestua dhe doli para gjykatës për vlerësimin e masës, e cila u gjykua dhe u ndryshua brenda 1 ore nga gjyqtarja Edona Vajushi me kërkesë të prokurorisë.

SPAK dyshon se ish-prokurorët i kanë kërkuar para Papuçit në këmbim të zbutjes së masës së sigurimit. Sipas hetimeve, Kledian Llaho dyshohet se ka marrë 30 mijë euro nga biznesmeni Vasil Bakalli, ndërsa Çlirim Shahini 25 mijë euro, duke rezultuar në një shumë totale prej 55 mijë eurosh për ndërhyrje në procesin gjyqësor. Në këtë skemë është nën hetim edhe Bakalli, i cili dyshohet se ka luajtur rolin e sekserit mes prokurorit dhe të pandehurit.

Procedimi penal, i regjistruar me numrin 73 të vitit 2024, lidhet me veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësi” sipas nenit 319/ç të Kodit Penal. Më 14 janar 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi pezullimin e ushtrimit të detyrës për Kledian Llahon, si masë sigurie gjatë procedimit penal.

Ndërkohë, më 8 gusht të vitit 2025, Kolegji i Posaçëm i Apelimit i KLGJ-së vlerësoi se Kledian Llaho kishte kryer deklarime kontradiktore, të pasakta dhe të pamjaftueshme për pasurinë, si dhe kishte mangësi profesionale, duke vendosur shkarkimin e tij nga detyra e prokurorit. Ky vendim thekson edhe më tej rëndësinë e hetimeve të pavarura dhe të mekanizmave të kontrollit mbi funksionarët e drejtësisë.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.