Gjyqtarët kërkojnë masa urgjente për të shmangur kolapsin e sistemit gjyqësor

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve i ka kërkuar ndërhyrje urgjente Këshillit të Lartë Gjyqësor për shkak të mbingarkesës ekstreme me çështje, mungesës së gjyqtarëve dhe stafit administrativ, si dhe kushtet e dobëta të sigurisë.

712
Sistemi Gjyqësor Shqiptar
Credits: shteg.org - Sistemi Gjyqësor Shqiptar

Gjykatat shqiptare përballen me një stok alarmant çështjesh të prapambetura, duke rrezikuar seriozisht funksionimin e drejtësisë dhe respektimin e afateve ligjore për shqyrtimin e tyre. Të dhënat e bëra publike nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve tregojnë një situatë kritike në të gjitha nivelet e sistemit gjyqësor.

Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, një gjyqtar ka mesatarisht në shqyrtim mbi 1 100 dosje prej rreth 7 vitesh, ndërsa vetëm gjatë vitit 2024 janë regjistruar 4 289 çështje të mbartura nga vitet e mëparshme.

Situata paraqitet edhe më e rëndë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e cila ka hyrë në vitin 2024 me një stok prej 37 662 çështjesh të prapambetura, kryesisht të juridiksionit civil. Sipas Shoqatës, ky volum i lartë reflekton problematika të akumuluara ndër vite në shqyrtimin e dosjeve.

Edhe Gjykata e Lartë vijon të përballet me një numër të konsiderueshëm çështjesh të pashqyrtuara. Sipas raportit vjetor të performancës për vitin 2024, deri më 31 dhjetor janë regjistruar gjithsej 20 827 çështje të mbartura, prej të cilave 5 914 administrative, 13 230 civile dhe 1 683 penale.

Sipas Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, kjo mbingarkesë është përkeqësuar pas procesit të vetingut, për shkak të uljes së ndjeshme të burimeve njerëzore. Organikat e paplotësuara kanë detyruar gjyqtarët dhe administratën gjyqësore të punojnë përtej orarit zyrtar dhe gjatë ditëve të pushimit, duke krijuar një presion të vazhdueshëm profesional.

“Këto gjykata, dhe jo vetëm, janë përballur me një situatë mbingarkese të paprecedentë, të zgjatur në kohë, të shoqëruar me mungesë të theksuar të burimeve njerëzore, si në nivelin e gjyqtarëve ashtu edhe të administratës gjyqësore.” – thuhet thuhet në rezolutën drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Sipas Shoqatës, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës një gjyqtar, prej 7 vitesh tashmë, ka në shqyrtim mesatarisht mbi 1 100 dosje, ndërkohë që vetëm për vitin 2024 janë regjistruar 4 289 çështje të mbartura nga vitet e mëparshme.

“Ky stok i lartë çështjesh reflekton problematikat e akumuluara ndër vite në shqyrtimin e çështjeve, veçanërisht në ato të juridiksionit civil.” – thuhet në raport.

Rezoluta thekson se kjo situatë cenon drejtpërdrejt parimin kushtetues të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm dhe krijon pasoja të rënda si për qytetarët që presin drejtësi, ashtu edhe për vetë gjyqtarët, të cilët përballen me një presion të vazhdueshëm profesional.

Një tjetër problem serioz i evidentuar është mungesa e sigurisë në ambientet e gjykatave. Shoqata e Gjyqtarëve shprehet se kontrolli i personave që hyjnë në godinat e drejtësisë kryhet nga persona të patrajnuar, pa standarde të unifikuara sigurie dhe me trajtim financiar të ulët.

“Kontrolli i personave që hyjnë në ambientet e gjykatave kryhet nga persona të patrajnuar dhe pa standarde të unifikuara sigurie, me trajtim finanaciar të ulët.” – vijon rezoluta.

Sipas Shoqatës, situata ka tejkaluar kufijtë e një vështirësie të përkohshme dhe po dëmton efikasitetin e administrimit të drejtësisë, si dhe besimin e publikut ndaj sistemit gjyqësor.

Në dokument përmendet edhe rasti tragjik i gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, i cili humbi jetën pasi u qëllua brenda ambienteve të gjykatës më 6 tetor 2025.

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe institucioneve përgjegjëse ndërhyrje të menjëhershme për përballimin e situatës, duke përfshirë plotësimin urgjent të vakancave të gjyqtarëve, shtimin e stafit administrativ, përmirësimin e sigurisë në ambientet gjyqësore, investime në infrastrukturë dhe rishikimin e standardeve të vlerësimit të punës së gjyqtarëve.

Pa masa të tilla emergjente, rrezikohet jo vetëm përkeqësimi i mëtejshëm i situatës në gjykata, por edhe cënimi i besimit të publikut te sistemi i drejtësisë dhe funksionimi i shtetit të së drejtës.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.