Reforma e drejtësisë nën presion politik

Sadushi dhe Xhafaj theksojnë nevojën për konsolidim dhe integritet, ndërsa Strazimiri paralajmëron rreziqet e kapjes së sistemit dhe mungesës së besimit të qytetarëve.

1013
Gjykata Kushtetuese
Credits: exit.al - Gjykata Kushtetuese

Reforma në drejtësi në Shqipëri mbetet në qendër të debatit publik dhe politik, sipas diskutimeve gjatë konferencës “30 Vjet Partneritet dhe Progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”.

Teksa drejtoi takimin e sotëm, Presidentja e Komisionit të Venecias, Hanna Suchocka, kujtoi bashkëpunimin me autoritetet shqiptare që prej vitit 1998, kur u hartua Kushtetuta e parë e Shqipërisë post-komuniste, dhe sipas saj, vendi ynë ka shënuar një progres të rëndësishëm në reformën gjyqësore.

Komisioni i Venecias përgëzon autoritetet shqiptare për përgatitjen dhe zbatimin e Reformës Kushtetuese për gjyqësorin, dhe dialogu ynë vazhdon të jetë i përhershëm,” deklaroi Suchocka.

Por sipas kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, reforma është ngadalsuar për shkak të mungesës së vullnetit për ta zbatuar atë me të njëjtin idealizëm dhe integritet si në fillim. Ai theksoi: “Pavarësisht sfidave dhe pengesave, thelbi i saj mbetet i pandryshuar, sepse reforma nuk ka dështuar. Ajo është ngadalësuar nga mungesa e vullnetit për ta zbatuar me të njëjtin idealizëm dhe integritet, me të cilin u ndërtua.”

Sadushi nënvizoi se reforma nuk është vetëm çështje e drejtësisë, por sfidë kombëtare.

“Reformimi nuk është vetëm detyrë e drejtësisë, por edhe e politikës, e administratës dhe e çdo institucioni që mban përgjegjësi ndaj qytetarit. Vetëm kur këto dy shtylla ecin paralelisht, reforma merr kuptim dhe vazhdimësi.”

Sipas Fatmir Xhafajt, një nga autorët e reformës në drejtësi, arritja më të rëndësishme ka qenë garantimi i pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

“Reforma në drejtësi ka sjellë efekte pozitive, por sfidat më të mëdha lidhen me ndryshimin e mentalitetit të njerëzve brenda sistemit dhe me zhvillimin e një kulture të fortë shërbimi publik. Kjo është një betejë afatgjatë që kërkon kohë dhe përkushtim nga të gjithë,” u shpreh Xhafaj.

Ndryshe nga parafolësit e tjerë të cilët ndanë një mendim optimist për reformën e drejtësisë shqiptare, deputeti demokrat Gent Strazimiri u shfaq kritik ndaj mënyrës së zbatimit të kësaj reforme. 

Teksa e cilëson vettingun si “gjueti shtrigash”, Strazimiri u shpreh se mazhoranca miratoi njëanshmërisht ligjet e reformës, duke kapur sistemin.

“Vettingu është kthyer në një gjueti shtrigash. Për 4 vite Shqipëria mbeti pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë. Janë mbi 138 mijë dosje të bllokuara në gjyqësor. Kemi një drejtësi që nuk funksionon dhe një qeveri që gjoja kërkon ta ‘rregullojë’ me një paketë të re,” deklaroi ai.

Strazimiri solli në vëmendje edhe një nga rastet e ndodhura së fundi që tronditi të gjitha institucionet shqiptare, vrasjen e gjyqtarit Kalaja në sallën e gjyqit. Për demokratin, më shqetësuese se vrasja e gjyqtarit gjatë seancës gjyqësore është glorifikimi i vrasësit të tij nga qytetarët, të cilët me këtë veprim treguan nivel të ulët besimi ndaj drejtësisë shqiptare.

“Qeveria po flet për një paketë të re ligjore për të ‘riparuar’ sistemin, por po shohim të njëjtën qasje si në 2016. Kam një thirrje dhe një alarm për ta shpëtuar drejtësinë nga dështimi,” përfundoi Strazimiri.

Eriselda Mikeli
+ posts

Eriselda është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH). Ajo ka përfunduar studimet universitare në nivel bachelor në Fushën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës.
Me përkushtim ndaj gazetarisë hulumtuese, Eriselda fokusohet kryesisht tek çështjet që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe transparencën institucionale.