Në Lushnje, zërat përtej zyrave bashkiake kishin kohë që flisnin për një histori që s’do të mbyllej aq lehtë.
Një pasuri publike në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, disa dokumente të nënshkruara dhe një denoncim u bënë shkak të nisjes së hetimeve ndaj kryetares socialiste të Bashkisë Lushnje, Eriselda Sefa.
Ajo që nisi si një procedurë e zakonshme për dhënien me qira të një ambienti publik, u kthye në një përplasje ligjore që tashmë ka arritur në dyert e Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Pikërisht kjo gjykatë ka urdhëruar SPAK-un të nisë hetimet ndaj kryetares së Bashkisë Lushnje, e akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.
Sipas dosjes, më 30 shtator, një qytetar nga Lushnja, Altin Haxhiu, ka kallëzuar zyrtarisht kryebashkiaken, duke pretenduar se procedurat për dhënien me qira të pronës publike janë shoqëruar me shkelje ligjore. Në kallëzim përmenden falsifikime në shkresa zyrtare, procesverbale dëgjesash publike dhe në projektin e miratimit të qirasë.
Fillimisht, SPAK vendosi të pushojë çështjen, vendim që u miratua edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë. Por Haxhiu nuk u dorëzua. Ai iu drejtua Apelit, duke argumentuar se hetimi duhet të zhvillohet për të zbardhur të gjitha veprimet e dyshuara të paligjshme.
Ankesa e qytetarit në Apel ka ndryshuar rrjedhën e hetimeve, dhe gjykata urdhëroi rihapjen e hetimeve.
Kështu, dosja që dukej se ishte mbyllur përfundimisht, tani është sërish në duart e prokurorëve të posaçëm.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se çështja ndodhet në fazën fillestare, ndërsa pritet të mblidhen prova dhe dëshmi të reja për të verifikuar nëse janë kryer apo jo shkeljet e pretenduara.
Redaksia e “shteg.org” kërkoi një koment nga vetë kryebashkiakja Sefa, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk ka pasur përgjigje.
Zëdhënësja e Bashkisë Lushnje njoftoi se znj. Sefa nuk ndodhej në zyrë, pasi ishte e angazhuar në një dëgjesë publike.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.



























