Vullnet Muça mohon lidhjen me grupin kriminal dhe atentatin ndaj prokurorit Ndoja

Vëllai i ‘Rrumit të Shijakut’ mohon çdo përfshirje të familjes në ngjarjet e vitit 2019 dhe lidhjet me të pandehurit, ndërsa hetimet e SPAK tregojnë përfshirjen e tij në tjetërsimin e pronave bregdetare dhe bashkëpunimin me grupin Avdyli.

1208
Grup Kriminal
Credits: exit.al - Grup Kriminal

Vullnet Muça, i akuzuar për tjerësim pronave në Durrës dhe anëtar i grupit kriminal u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme si dëshmitar në seancën ndaj pandehurve Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçja.

Muça u paraqit i prangosur përpara gjykatës dhe gjatë dëshimës, mohoi  çdo lidhje me pandehurët ose përfshirje të familjes së tij në ngjarjet kriminale.

Ai deklaroi se nuk njeh asnjë prej të pandehurve të çështjes dhe se familja e tij është “bërë viktimë e një ngjarjeje që s’ka lidhje me ta”.

“Plaurent Dervishin e njoh vetëm si qytetar të Durrësit, si kontingjent kriminal nga gojëdhënat, por s’më ka interesuar më tej,” u shpreh ai.

I pyetur për arsyen e shoqërimit të tij nga forcat policore, Muça sqaroi se ishte arrestuar më herët “për punë ca mesazheve që kanë të bëjnë me çështje pronësie, por jo për falsifikim”, duke insistuar se janë gjetjet e prokurorisë janë vetëm dyshime dhe jo prova.

Megjithatë, rreth dy javë më parë SPAK njoftoi finalizimin e një operacioni të gjerë kundër një prej skemave më të sofistikuara kriminale, që përfshinte vrasje me pagesë dhe përvetësime pronash shtetërore në zonat bregdetare përmes falsifikimeve masive.

Mes tetë urdhër-arresteve të ekzekutuara ishte edhe Vullnet Muça, i dyshuar për pesë vepra penale, duke përfshirë falsifikimin e dokumentave, kryerjen e veprave penale në emër të organizatës kriminale, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal, korrupsionin aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike dhe korrupsionin e dëshmitarëve dhe ekspertëve.

“Kjo është një situatë pa lidhje. Ne jemi gabimisht në këtë histori,” përfundoi Muça, duke ruajtur një qëndrim plotësisht mohues ndaj çdo akuze që lidhet me atentatin e vitit 2019.

Por hetimet e SPAK tregojnë të kundërtën. Sipas dosjes hetimore, që çoi në goditjen e grupit kriminal ku përfshiheshin Avdylajt dhe Aleksandër Laho (Rrumi i Shijakut), rezulton se kishte lidhje të drejtpërdrejta mes tyre dhe “mllef” të hapur ndaj grupit rival të Plaurent Dervishajt.

Në komunikimet e zbardhura në SkyECC, zbulohet se grupi i Lahos, ku bën pjesë edhe Vullnet Muça dhe i shpalluri në kërkim Agron Bejdolli, kishte akses të gjerë në Kadastrën e Durrësit për të tjetërsuar prona në Gjirin e Lalzit.

SPAK ka dokumentuar dhjetëra akte të marrjes në pronësi (AMTP) të falsifikuara, me pagesa që arrinin deri në 5 milionë lekë për zyrtarë lokal.

Sipas hetimeve, “Rrumi i Shijakut” përdorte këtë ndikim në administratë për të siguruar prona për grupin e Avdylajve, në këmbim të ndihmës për eliminimin e kundërshtarëve.

Në të njëjtën seancë gjyqësore dëshmoi edhe Beqir Broja, pajtues gjaqesh, i cili rrëfeu përpjekjet për të arritur paqe mes familjeve Rraja dhe Maloku pas ngjarjes ku mbeti i vrarë Genci Maloku.

Sipas dëshmisë së tij, Asllan Rraja, babai i Redjan Rrajës, i kishte kërkuar të ndërmjetësonte që familja Maloku të mos merrte hak “të paktën deri në vendimin e drejtësisë”.

Gjykata njoftoi se në seancën e ardhshme do të thirren sërish disa dëshmitarë, përfshirë Luan Matën, babain e Ervin Matës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Për shkak të mospërgjigjes në thirrjet e mëparshme, gjykata urdhëroi shoqërimin e detyrueshëm të tij.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.