Seanca paraprake për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, dhe të pandehurit e tjerë, e zhvilluar sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar GJKKO, është shtyrë më 2 dhjetor 2025.
Seanca pritej të vendoste për nisjen e hetimit gjyqësor, por shtyrja u vendos pas kërkesës së avokatëve të Veliajt për të marrë më shumë kohë për t’u njohur me aktet e hetimit.
Avokatët kërkuan gjithashtu që klienti i tyre të mund të shqyrtojë dokumentacionin vetë në burg dhe të përdorë një laptop për leximin e materialeve. Prokurori i SPAK reagoi duke theksuar se Veliaj dhe mbrojtja e tij tashmë janë njohur me aktet dhe se kërkesa nuk mund të përdoret për të shmangur paraqitjen në gjykatë.
Veliaj Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 dhe prej asaj kohe ndodhet në paraburgim.
SPAK ka ngritur katër akuza të rënda ndaj kryebahkiakut si korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje të sendeve të paligjshme në burg. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, është gjithashtu e përfshirë në hetim për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Sipas hetimeve, Veliaj dhe bashkëshortja e tij janë përfshirë në një mekanizëm të komplikuar, ku fonde publike nga Bashkia Tiranë janë alokuar në mënyrë të dyshuar drejt bizneseve dhe organizatave që kanë lidhje me familjen e tyre.
Një nga rastet konkrete lidhet me biznesmenin Mirton Lika, i cili i ka vënë në dispozicion Ajola Xoxës një zyrë në godinën “Sky Tower” me kontratë “hua përdoruse”, që hetuesit e konsiderojnë si të dyshimtë dhe me qëllim pastrim parash.
Në të njëjtën çështje janë përfshirë edhe disa emra të njohur të biznesit në Tiranë.
Ndërsa akuzat e SPAK mbështeten mbi lidhjet mes bashkisë, biznesmenëve dhe kompanive të lidhura me Ajola Xoxën, kryebashkiaku vijon të mohojë çdo përfshirje.
“Ky është një proces kafkian,” ka deklaruar Veliaj në seanca të mëparshme, por përpjekjet e tij për të rifituar lirinë kanë dështuar në çdo shkallë gjyqësore deri më tani.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
























