Banorët e Tragjasit, Orikumit dhe Dukatit protestuan këtë të hënë para Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke denoncuar tjetërsimin e pronave të tyre.
Përmes një kallëzimi të dorëzuar në SPAK, banorët dhe avokati i tyre, Arben Llangozi, pretendojnë se në skemën e tjetërsimit të pronave janë të përfshirë zyrtarë të qeverisë, biznesmenë, si dhe persona të tjerë brenda dhe jashtë vendit.
Sipas avokatit Llangozi, dyshimet shtrihen deri tek shtetas amerikanë, të cilët, sipas kallëzimit mund të kenë luajtur rol në pastrimin e parave dhe zhvendosjen e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme.
“Dyshimi se pjesë e këtij grupi janë edhe shtetas amerikanë e bën situatën edhe më të ndërlikuar, pasi kjo tregon që aktiviteti kriminal nuk ka kufij territorial. Pasuritë e përfituara me dokumenta të falsifikuara mund të jenë përdorur për të pastruar produktet e veprës penale në sisteme financiare ndërkombëtare”, thuhet në kallëzim.
Sipas banorëve, grupi i dyshuar ka përdorur forma të sofistikuara për fshehjen e origjinës së fondeve, përfshirë kompani “shell”, transaksione të dyshimta dhe investime të kamufluara si të ligjshme. Në dokumentin e depozituar në SPAK theksohet se, për shkak të përfshirjes së personave të huaj, hetimi duhet të shtrihet edhe në juridiksione të tjera.
Kallëzimi kërkon që autoritetet amerikane, përfshirë FBI dhe agjenci të tjera federale, të përfshihen në verifikimin e llogarive bankare, kompanive, investimeve dhe komunikimeve elektronike që mund të lidhen me çështjen.
“Zgjerimi i hetimit në SHBA është i domosdoshëm për të identifikuar rrjetin e plotë, pasuritë e përfituara jashtë vendit dhe për të ndalur rrjedhën e parave të paligjshme. Vetëm përmes një hetimi të tillë të detajuar mund të zbardhet i gjithë mekanizmi dhe të ndëshkohen përgjegjësit”, thuhet ndër të tjera në kallëzim.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.




















