Balluku pezullohet nga detyra, SPAK paralajmëron hetime të mëtejshme

GJKKO vendosi pezullimin dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit për zëvendëskryeministren Balluku, duke argumentuar rrezikun e largimit, përsëritjes së veprës dhe ndërhyrjes në provat e hetimit.

1445
Belinda Balluku duke dalur nga SPAK
Credits: LSA - Belinda Balluku duke dalur nga SPAK

Me vendim të GJKKO-së, zëvendëskryeministrja dhe ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, është pezulluar nga detyra dhe i është ndaluar dalja jashtë territorit të Shqipërisë.

Vendimi i gjykatës, i shpallur të enjten, vlerëson se ndaj Ballukut dhe dy vartësve të saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, ekziston një rrezik konkret i largimit, përsëritjes së veprës penale dhe ndërhyrjes në provat e hetimit.

Gjykata e Posaçme bëri të ditur se masat e sigurimit kanë karakter sekret dhe se për momentin nuk ka një njoftim zyrtar për median dhe publikun. “Në momentin e duhur procedural, do të njoftoheni zyrtarisht nga ana e gjykatës,”  njoftoi zyra e shtypit.

Por nga ana tjetër, në media ka rrjedhur vendimi gjykatës, sipas të cilit GJKKO ka vendosur masat ndaluese për shkak se ekziston rreziku i largimit të të pandehurve, duke u bazuar në sanksionin e parashikuar nga ligji për veprën penale që ata dyshohen, e cila parashikon nga një deri në pesë vjet burgim.

Në vendim theksohet se rreziku shtohet nga fakti se të pandehurit dyshohen për kryerjen e kësaj vepre dy herë dhe në bashkëpunim, si dhe nga mundësia e kryerjes së veprave të ngjashme për shkak të detyrave të tyre shtetërore dhe menaxhimit të fondeve publike.

Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që mund të ndikojnë në marrjen dhe verifikimin e provave, përfshirë rreziqet që të pandehurit mund të ndërhyjnë ose të pengojnë hetimin për shkak të detyrave të tyre.

Dy javë më parë, Balluku u mor e pandehur nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera gjatë procesit të ndërtimit të tunelit të Llogarasë. SPAK pretendon se ajo ka ndjekur dhe kontrolluar çdo hap të projektit, me vlerë rreth 190 milionë euro, dhe ka paracaktuar fituesin në kundërshtim me kriteret standarde të prokurimit publik. Projekti konsiderohet një nga më të shtrenjtët në pesë vitet e fundit në infrastrukturën e vendit.

Veç masave të pezullimit nga detyra dhe ndalimit për daljen jashtë shtetit të Ballukut, është caktuar masa e sigurisë arrest shtëpiak ndaj administratorit të KESH, Erald Elezi dhe drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Gentian Gjyli. Sipas SPAK, masat e sigurimit janë ekzekutuar të enjten.

Prokuroria sqaron se nga hetimet janë evidentuar shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike, në kuadër të dy procedurave të rëndësishme prokurimi.

Në tenderin me objekt ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë, me fond limit më shumë se 18.9 miliardë lekë pa TVSH, të zhvilluar nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë evidentuar veprime të kundraligjshme të pandehurës Belinda Balluku, e cila në cilësinë e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, prej fazës përgatitore, e deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues.

“E pandehura Belinda Balluku, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues ‘I….dhe A…..’”, citohet në njoftim.

Po ashtu, shpjegohet se në kohën e kryerjes së veprimeve, i pandehuri Evis Berberi ka mbajtur funksionin si drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar; Erald Elezi ka qenë drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar; Gentian Gjyli si drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar, ndërsa të pandehurat Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica kanë qenë specialist të nivelit të Lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Tenderi i dytë në të cilin Balluku është gjetur përgjegjëse është ai i Lotit 4 të Unazës së Jashtme Tiranë në vitin 2021, me fond limit 2 miliardë lekë pa TVSH, të zhvilluar nga ARRSH. Sipas SPAK, ka rezultuar se dhe në këtë rast, Balluku ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik të zhvilluar nga ARRSH, institucion në varësi të ministrisë që ajo drejton.

Edhe në këtë rast, Balluku akuzohet se në bashkëpunim me Berberin, tre anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit J.Ç, A.K. e D.Xh, si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Erald Elezi, K.K. e M.Sh., kanë paracaktuar fituesin e tenderit duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë të shpallur fitues.

Gjatë një seance parlamentare të zhvilluar të mërkurën, Balluku deklaroi se akuzat ndaj saj janë të pabaza.

“Më duhet të them disa fjalë, jo për të kompensuar baltën, aludimet, gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtrat e thëna me bollëk këto kohë, por për detyrimin që kam ndaj kujtdo që beson te puna dhe jo te balta,” tha ajo nga foltorja e Kuvendit.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.