SPAK ka kërkuar një valë të re kontrollesh në kuadër të hetimeve ndaj Belinda Ballukut, ish-zv/kryeministre dhe ish-ministre e Infrastrukturës, e dyshuar për abuzime me tendera rrugësh me vlera qindra milionë euro.
Në media u raportua se me vendim gjykate janë miratuar të paktën 15 kontrolle në kuadër të dosjes “Balluku”. Këto kontrolle përfshijnë jo vetëm persona të lidhur drejtpërdrejt me të, por edhe familjarë.
Kontroll është ushtruar edhe në banesën e Mired Reçit, i afërm i Ballukut (djali i tezes së saj), si dhe tek persona të tjerë të lidhur me të, në funksion të hetimeve që po zhvillohen edhe për verifikimin e pasurive.
Nga të dhënat paraprake, Mired Reçi rezulton ortak me 49% të aksioneve në dy kompani: “XL MARKET” sh.p.k. dhe “Hippo Tregu Elektrik” sh.p.k. Ortaku tjetër është Meland Qirko, kunati i Ballukut, i martuar me motrën e saj, Pamela Qirko.
Kontrollet janë kryer gjatë ditës së martë, ndërsa zyra e shtypit e SPAK bëri të ditur se, për shkak se hetimet janë në vijim, nuk ka ende informacion shtesë për t’u bërë publik.
Këto veprime hetimore pasojnë kontrollet e kryera nga agjentët e BKH-së në dhjetor 2025 dhe janar të këtij viti.
Gjatë këtyre kontrolleve janë sekuestruar sërish celularë dhe dokumente që, sipas prokurorëve, janë të rëndësishme për zbardhjen e çështjes.
Në kuadër të hetimit, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar gjithashtu informacion edhe jashtë vendit përmes letërporosive.
Ndaj ish-zv/kryeministres Balluku janë në fuqi dy masa sigurie: ndalimi i daljes jashtë vendit dhe pezullimi nga ushtrimi i funksioneve publike, ndërsa prokuroria ka ngritur akuza për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, lidhur me procedurat e prokurimit të Tunelit të Llogarasë.
Gjithashtu SPAK ka listuar edhe shtatë procedura të tjera prokurimi, 6 prej të cilave janë për sa i përket ndërtimit të Unazës së Madhe Tiranë, ku zv/kryeministrja dyshohet për kryerjen e së njëjtës vepër penale si me tunelin e Llogarasë.
“Plotësimin dhe vazhdimin e punimeve Sheshi Shqiponja–Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT; Ndërtimin e segmenteve rrugore Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri, Loti 2 dhe Loti 3; Ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4 deri në Loti 7” – thuhet në njoftimin e SPAK.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.



























