Kryeministri Edi Rama e përshkroi Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si “grupe hetimore të stacionit të trenit” që kanë bërë zakon të njoftojnë akuza në “rrugë të shtrembër”.
Ai quajti pezullimin e ish-ministres Belinda Balluku një “turravrap të pakuptueshëm” dhe një masë absurde, duke e kritikuar ashpër SPAK-un për profesionalizëm të dyshimtë dhe vendimmarrje jo të drejtë.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të hënën, më 9 Mars, Rama theksoi se nuk do të shkelë “vijën e kuqe” ndaj drejtësisë dhe se Balluku do të ketë vetëm mbështetjen e avokatëve të saj, duke i shmangur mbrojtjes politike.
“Nuk kam ndërmend dhe nuk më lejohet t’i mbaj pishën asnjë personi. Nuk kam jo e jo ndërmend ta shpall të pafajshme, apo të shkel për të vijën e kuqe duke e marrë në mbrojtje nga drejtësia.” – tha ai.
Por, në të njëjtën kohë, kryeministri u shpreh qartazi kundër dhënies së autorizimit për arrestimin e ish-ministres.
“Ky është një qëndrim i prerë kundër dhënies së autorizimit për arrest të një deputeteje.” – tha Rama.
Kryeministri relativizoi rëndësinë e dosjes hetimore 16 mijë faqëshe të Ballukut, duke e cilësuar si “dokrrë” dhe “kolpo propagandistike”, dhe e konsideroi këtë një tregues të dobësisë së kërkesës së SPAK. Ai komentoi edhe transkriptin e një bisede elektronike midis punonjësve të ministrisë, përdorur nga prokurorët si provë për kërcënimin e dëshmitarëve, duke thënë se arrestimi i Ballukut u bazua në mesazhe telefoni mes “dy grave” dhe ishte një veprim emocional.
“Kur të vijnë herën tjetër, duhet të vijnë të armatosur me prova, si erdhën në 2 rastet e mëparshme. Ti vish kuvendit me një procesverbal e incizim qesharak me një grua e dy gra? Duke na vënë në pozitë absurde ne që i kemi dhënë shpirtin reformës në drejtësi. – u shpreh Kryeministri.
Rama u ndal edhe në raste të tjera të funksionarëve politikë përballë drejtësisë, duke përmendur Erion Veliaj dhe Ilir Beqaj, dhe duke sugjeruar se të zgjedhurit me votë nuk mund të bëhen “trofe” për SPAK-un.
“Ndryshe nga sa ka ndodhur me kryetarin e bashkisë së Tiranës prezumimi i pafajësisë të së cilit nuk ka ekzistuar as përpara se ai të merrej për herë të parë në pyetje dhe gjyqi mediatik ndaj të cilit ishte një tjetër masakër gurësh dhe pështymash, me libër shpie, e denjë për mesjetën dhe jo për një shoqëri europiane” – tha Kryeministri.
Sulmet e Ramës ndaj SPAK dhe GJKKO nisën gati 4 muaj më parë kur zv/kryeministrja në detyrë, Belinda Balluku u pezullua nga detyra me vendim të gjykatësit Erjon Çela në datën 20 nëntor.
Balluku ishte marrë e pandehur në 31 tetor pasi prokurorët gjetën disa mesazhe në telefonit të ish-drejtorit të ARRSH, Ervis Berberi që tregonin se tenderi për tunelin e Llogarasë u anulua dhe u rihap me disa dhjetëra milion euro më shumë, sipas urdhërit personal të Belinda Ballukut, e cila kishte pasur takime me drejtues të kompanisë turke që u shpall fituese.
Rama konfirmoi se Belinda Balluku do të vazhdojë të jetë drejtuese politike në Fier, duke bërë një përjashtim tjetër, për të gjithë ata zyrtarë socialistë që kanë pasur probleme me SPAK dhe që janë mënjanuar nga detyrat partiake. “Ajo do të vijojë të drejtojë qarkun. Pak kush nga ne mban si Belinda kontaktet me territorin”, deklaroi Rama që fjalën e tij e mbylli gati me një falenderim përulës për Ballukun.
“Unë e falënderoj sot Belindën për punën e madhe që bëri në detyrat që i besova për 6 vjet me radhë dhe i uroj fatin që meriton, cilido qoftë fati që meriton, në betejën ligjore për të cilën do të ketë në krah, vetëm avokatët e saj dhe i kërkoj ndjesë për refuzimet e përsëritura të tre dorëheqjeve të veta” u shpreh kryeministri.
Ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, prezantoi para deputetëve socialistë raportin e përgatitur nga 5 anëtarë të Këshillit të Mandateve të PS, duke argumentuar se kushtet për dhënien e një mase më të ashpër ndaj Ballukut nuk plotësohen. Ai shtoi se masa aktuale “ndalim i daljes jashtë shtetit” është e mjaftueshme dhe respektimi i saj nga ish-ministrja nuk lë vend për arrestim, duke iu referuar parimit të proporcionalitetit.
Manja kundërshtoi edhe pretendimet e SPAK për prishjen e provave dhe rrezikun e rikryerjes së veprës penale, duke argumentuar se shkarkimi i Ballukut nga detyra e Ministres së Infrastrukturës rrëzon këto pretendime.
“Paraburgimi mbetet mjeti i fundit. Edhe me shtimin e episodeve të reja të pretenduara, ama ka një fakt që nuk ndryshon, natyra e veprës penale mbetet e njëjta – shkelje e barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike.” – tha në fjalën e tij Ulsi Manja.
Raporti i PS bie ndesh me qëndrimin e opozitës, e cila kërkon heqjen e menjëhershme të imunitetit të Ballukut. Deputetët e PD argumentojnë se Kuvendi nuk ka kompetencë për shqyrtim ligjor dhe se mospranimi i kërkesës së SPAK mund të dekurajojë luftën kundër korrupsionit, duke kthyer Parlamentin në “mburojë politike” për zyrtarët e akuzuar.
Opozita pritet të marrë qëndrim për votën pro kërkesës së Prokurorisë së Posaçme bazuar në provat e sjella nga SPAK në Kuvend. Kjo u pa dhe në qëndrimin e sotëm të Gaz Bardhit: “SPAK-u ka paraqitur prova për 11 tendera me vlerë 1.1 miliardë euro, si dhe prova për presion ndaj dëshmitarëve përmes të fortëve dhe parave. Në çdo demokraci normale, Parlamenti do t’i hapte rrugë drejtësisë. Por sot pamë diçka tjetër: jo vetëm Kryeministri është peng, por edhe Parlamenti po mbahet peng për të mbrojtur sistemin e korrupsionit, me arkitekt Edi Ramën dhe zbatuese Belinda Ballukun e shumë të tjerë si ajo“, thuhet në reagimin e Bardhit.
Votimi për imunitetin e Ballukut pritet të mbahet në seancën e 12 marsit, në limitet kohore të një vendimmarrje ligjore nga Kuvendi, pasi mazhoranca e zvarriti procesin për 3 muaj me radhë. Ky qëndrim ka shkaktuar edhe reagime te forta të BE e sidomos Gjermanisë, që e kanë parë këtë çështje si një gur prove në procesin e integrimit.
Në fund të janarit, gjatë një mbledhjeje në Bruksel, të Grupit të Punës për Zgjerimin dhe Vendet që Negociojnë Anëtarësimin në BE, Shqipërisë iu dha sinjali i qartë se, rruga e integrimit mund të pësonte ngecje.
Më pas, Komisioni kërkoi në mënyrë ultimative shqyrtimin e imunitetit të Ballukut, që shumica qeveritare po e zvarriste.
Nga ana tjetër, opozita ka paralajmëruar protestë ditën kur do të mbahet seanca e miratimit të raporteve të Komisionit të Mandatave. Kreu i PD, Sali Berisha, ka zbuluar se protesta e radhës e PD, e planifikuar për datën 12 mars, do të zhvillohet në orën 10:00.
Ai bëri thirrje për të gjithë shqiptarët që të mblidhen para Parlamentit, ku brenda tij në atë moment do të mbahet seanca për votimin e heqjes së imunitetit të ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK kërkon arrestimin.
“Më 12 mars, të gjithë shqiptarët para Parlamentit. Është dita e përmbysjes së madhe të narkoregjimit. Në orën 10, e gjithë Shqipëria te Parlamenti,” u shpreh Berisha.
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.


























