Policia shpërndan me dhunë protestën para Kuvendit

Policia e Shtetit shoqëroi rreth 20 protestues dhe raportoi se 15 efektivë u lënduan gjatë përplasjeve, ndërsa përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e turmës.

20
Dita e 33 e protestës para Kuvendit
Credits: LSA - Dita e 33 e protestës para Kuvendit

Era e gazit lotsjellës mbeti pezull mbi bulevard edhe pasi autobotët e policisë pushuan së hedhuri ujë. Asfalti përpara Parlamentit ishte ende i lagur, ndërsa protestuesit, të shpërndarë në grupe të vogla, vazhdonin të brohorisnin të njëjtat thirrje që kishin mbushur sheshin për pesë orë rresht: “Rama, jep dorëheqjen!”

Në një cep të rrugës, disa qytetarë lanin sytë me ujë pas ekspozimit ndaj gazit lotsjellës. Disa metra më tej, forca të shumta policie formonin një tjetër kordon sigurie. Përplasja kishte mbaruar, por tensioni jo.

Ajo që kishte nisur pak pas orës 09:00 si dita e 33-të e protestave kundër kryeministrit Edi Rama përfundoi si një nga përballjet më të ashpra mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit në muajt e fundit.

Qindra qytetarë u mblodhën përpara Kuvendit me synimin për të bllokuar zhvillimin normal të seancës plenare dhe për të penguar daljen e deputetëve dhe ministrave nga godina.

Për disa orë, protesta mbeti kryesisht paqësore. Protestuesit u ulën në asfalt, duke bllokuar hyrjen kryesore të Parlamentit, ndërsa brenda ndërtesës vijonte seanca.

Situata ndryshoi kur tensionet u përshkallëzuan pas një incidenti mes protestuesve dhe një deputeti. Më pas nisi hedhja e vezëve dhe miellit drejt kordonit policor. Forcat e rendit u kundërpërgjigjën fillimisht me spraj irritues dhe, më vonë, me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë me presion.

Për disa minuta, hyrja e Parlamentit u shndërrua në një skenë përplasjesh. Policia i shtyu protestuesit disa metra pas, duke thyer kordonin njerëzor që mbante të bllokuar daljen kryesore të godinës.

Pikërisht në atë moment, automjetet zyrtare të ministrave dhe deputetëve të mazhorancës nisën të largoheshin me shpejtësi nga ambientet e Kuvendit, të shoqëruara nga forcat e policisë, të cilat kishin krijuar një korridor sigurie.

Pas hapjes së kordonit policor dhe krijimit të një korridori sigurie për daljen e zyrtarëve nga Parlamenti, situata u tensionua sërish në shesh.

Efektivë të Policisë së Shtetit u panë duke përdorur shkopinj gome për t’i larguar protestuesit nga zona përreth hyrjes së Kuvendit. Menjëherë pas kësaj nisi një valë shoqërimesh të dhunshme, edhe pse situata dukej e qetësuar.

Zona përreth Kuvendit përngjante me një skenë krimi. Dhjetëra policë u panë duke tërhequr zvarrë protestuesit, duke i goditur ata me shkopinj gome apo edhe duke i shoqëruar dhunshëm në komisariate.

Sipas burimeve nga shërbimet shëndetësore, disa protestues morën ndihmë mjekësore pas ekspozimit ndaj gazit irritues, ndërsa autoritetet thanë se 15 punonjës policie u dërguan në spital me lëndime të marra gjatë përleshjeve.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se efektivët kanë pësuar lëndime si pasojë e sulmeve me gurë, sende të forta dhe mjete piroteknike gjatë përplasjes me protestuesit.

Drejtori Hita u garantoi atyre mbështetjen institucionale dhe kujdesin e nevojshëm deri në rikuperimin e plotë.

Nga ana tjetër, edhe protestuesit raportojnë se kanë pësuar dëmtime gjatë ndërhyrjes së policisë. Disa prej tyre kanë deklaruar se situata u bë e vështirë për shkak të përdorimit të gazit lotsjellës dhe mjeteve të tjera për shpërndarjen e turmës.

Një protestues tha se “era e gazit lotsjellës ishte aq e fortë, sa për disa minuta nuk arrija të shihja qartë ekranin e kamerës. Sytë më digjnin dhe frymëmarrja ishte vështirësuar”, ndërsa të tjerë përshkruan se u detyruan të largoheshin mes ujit me presion, sprajit irritues dhe tymit që mbuloi hyrjen kryesore të Parlamentit.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, mbrojti ndërhyrjen e policisë, duke deklaruar se Kuvendi kishte të drejtën t’i zhvillonte normalisht punimet.

Balla u tha gazetarëve se personat që sulmojnë punonjësit e policisë “do të përballen me forcën e ligjit”.

Megjithëse zyrtarët arritën të largoheshin, protesta nuk përfundoi.

Policia e Shtetit shoqëroi rreth 20 protestues në komisariatet e Tiranës. Një pjesë e qytetarëve u zhvendos menjëherë drejt Komisariatit nr. 4, ku kërkuan lirimin e të ndaluarve.

Të tjerë shkuan në mbështetje të protestuesve në Komisariatin nr. 3 dhe në Komisariatin nr. 1, ku ndodhen protestuesit e ndaluar.

Policia e Shtetit ende nuk ka publikuar një njoftim të plotë mbi numrin e personave të shoqëruar apo mbi përdorimin e mjeteve të forcës gjatë operacionit.

Por kryeministri Edi Rama reagoi pas përplasjeve që shoqëruan protestën e së enjtes përpara Kuvendit, duke e cilësuar zhvillimin e saj si një kalim nga një tubim qytetar në një skenë dhune.

Në një postim në platformën X, Rama tha se protesta, e cila sipas tij nisi si një shprehje e qytetarisë, atdhedashurisë dhe pastërtisë, u shndërrua në “filmin e vjetër të konfliktit, sherrit dhe dhunës”.

“Protesta e bukur e qytetarisë, atdhedashurisë, pastërtisë, ia ka lënë vendin tanimë filmit të vjetër të konfliktit, sherrit, dhunës, ku thonjtë e politikës së dështimit dhe zemërimit po dalin në pah me pisllëkun e tyre karakteristik”, shkroi kryeministri në X.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.