Projekt ligji për tokën, liberalizim apo kanal paralel privatizimi?

Projektligji i ri për shitjen e tokës bujqësore shtetërore krijon një regjim të veçantë për shtetasit e huaj, anashkalon kufizimet ekzistuese dhe ngre pikëpyetje mbi barazinë para ligjit, si edhe mbi procesin e kompensimit të ish-pronarëve.

31
Toka bujqësore në shitje
Credits: shteg.org - Toka bujqësore në shitje

Në Qeveri, e shumë shpejt edhe në Kuvend, është në shqyrtim një projektligj për shitjen e tokës bujqësore shtetërore personave të huaj. Problemi nuk është ideja në vetvete, por mënyra si është ndërtuar: një ligj i posaçëm që krijon një regjim paralel, privilegjon të huajt mbi vendasit dhe mundëson privatizimin e tokës, të cilin e shet si “investim i huaj.”

Shqipëria ka ndërtuar me kalimin e viteve një model të njohur ligj(sh)bërjeje (nuk po rendis shembuj, sepse të tillë ka plot dhe nuk është kjo tema). Kur dëshiron të arrijë një rezultat që e drejta ekzistuese nuk e lejon ose e lejon, por me kufizime të papëlqyera, nuk ndryshohet ligji ekzistues. Krijohet një ligj i ri paralel. Ai shfuqizon vetëm ato dispozita të ligjit të vjetër që pengojnë, ruan ato që i japin pamjen e mbrojtjes dhe krijon një regjim të ri me dukje rregullimi, por me efekt liberalizimi selektiv. Projektligji për kalimin e pronësisë së tokës bujqësore te personat e huaj është shembull klasik i këtij modeli dhe i radhës, megjithatë jo ndër më të sofistikuarit.

Testi i thjeshtë që e zbulon gjithçka është ky: nëse qëllimi i vërtetë i këtij projektligji ishte mosdiskriminimi i personave të huaj, siç pretendon neni 1, zgjidhja juridike minimale dhe korrekte do të ishte një nen i vetëm: shfuqizimi i nenit 4 të Ligjit nr. 8337/1998, “Për shitblerjen e tokave bujqësore…” (ekzistues dhe në fuqi), i cili i përjashton të huajt nga regjimi i përgjithshëm, dhe lënia e tyre të trajtohen njëlloj si shtetasit shqiptarë, me të njëjtat kufizime, të njëjtat procedura dhe të njëjtat të drejta. Kaq. Një nen. Një faqe. Jo dymbëdhjetë nene, jo ligj i posaçëm, jo regjim paralel.

Fakti që u zgjodh rruga e kundërt e zbulon axhendën. Ligji i posaçëm vetëm për personat e huaj nuk është instrument mosdiskriminimi; është instrument trajtimi të veçantë. Dhe trajtimi i veçantë, sipas nenit 18 të Kushtetutës, kërkon justifikim objektiv dhe proporcional. Ky ligj nuk ofron asnjë justifikim të tillë, sepse nuk ka. Asimetria e krijuar është e qartë: neni 3 i Ligjit nr. 8337/1998, i cili e lidh blerjen e tokës bujqësore shtetërore me përfundimin e procesit të kompensimit të ish-pronarëve, mbetet në fuqi për shqiptarët. Për të huajt, drafti hap një kanal të ri paralel. Shqiptari pret radhën e kompensimit. I huaji nuk pret.

Kjo asimetri nuk është defekt teknik i draftimit, por është rezultati i synuar. Por ka edhe një problem më thelbësor që drafti mundohet ta maskojë me emërtim. Ajo që ligji e quan “kalim pronësie” është, juridikisht dhe substancialisht, privatizim i tokës bujqësore shtetërore. Toka është shtetërore, kalon nga shteti te subjekti privat, me akt noterial, kundrejt çmimit, përgjithmonë. Neni 3 i Ligjit nr. 8337 e ndaloi pikërisht këtë, jo rastësisht, por sepse procesi i kompensimit të ish-pronarëve nuk kishte përfunduar dhe toka shtetërore mbetej e ekspozuar ndaj pretendimeve të tyre. Drafti i ri nuk e zgjidh këtë problem juridik themelor: as kompensimin nuk e përfundon, as pretendimet e ish-pronarëve nuk i adreson. Thjesht krijon një kanal anësor që e anashkalon nenin 3 për një kategori blerësish. Privatizimi i shmangur nga procedura e rregullt, i riemërtuar si “investim i huaj.”

Për t’i dhënë gjithë kësaj pamjen e një ligji të kujdesshëm, nenet 5, 6 dhe 7 vendosin një raft të tërë kushtesh dhe detyrimesh. Parakushtet para blerjes bëhen problematike kur bien pas fitimit të pronësisë. Përdorimi ekskluziv bujqësor, mosndryshimi i destinacionit, aktiviteti real i dokumentuar dhe, mbi të gjitha, revokimi i pronësisë si sanksion për mosrespektim. Ligji mund ta kufizojë përdorimin e pronës, por nuk mund t’ia rimarrë pronën blerësit pa një procedurë të qartë, arsye të forta, proporcionalitet dhe kompensim. Drafti përdor termin “revokim i pronësisë”, por nuk shpjegon as si bëhet, as kush e vendos, as çfarë ndodh me paratë e paguara. Kjo nuk është garanci juridike, por një dispozitë e paqartë që mund të rrëzohet lehtësisht në gjykatë. Pronësia e fituar plotësisht nuk mund të kufizohet pas transferimit nëpërmjet detyrimeve ligjore të njëanshme, pa kompensim. Kjo bie ndesh me nenin 41 të Kushtetutës dhe me Protokollin nr. 1 të KEDNJ-së. Çdo ekspert ligjor e kupton që kufizimi i mos-tjetërsimit dhe revokimi ekzistojnë vetëm për t’i hedhur hi syve opinionit publik, për t’i thënë: “Ja, ne vendosëm garanci”, ndërsa investitori i huaj e di mirë që këto nuk do t’i rezistojnë një sfide gjyqësore.

Tabela e krahasimit me të drejtën evropiane e mbyll çështjen. Asnjë shtet anëtar i BE-së nuk ka krijuar një ligj të posaçëm që u jep të huajve më shumë të drejta mbi tokën shtetërore sesa vendasve. Ky draft nuk ka precedent evropian, jo vetëm kaq, por as ballkanik, dhe jo sepse është inovativ, por sepse është i palogjikshëm si instrument i politikës ligjore.

Ajo që mbetet pas analizës nuk është portreti i ligjbërjes inkompetente. Inkompetenca e vërtetë prodhon ligje kaotike, pa drejtim. Ky ligj ka një drejtim shumë të qartë. Ai shmang procedurën e privatizimit, anashkalon kufizimet e kompensimit, privilegjon blerësin e huaj dhe mbulon gjithçka me retorikën e investimit. Diletantizmi është fasada. Qëllimi është substanca.

Irena Dule
+ posts

Irena Dule është avokate dhe eksperte ligjore e angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, interesit publik dhe shtetit të së drejtës.
Me një eksperiencë të gjatë në çështje administrative, mjedisore dhe të të drejtave të konsumatorëve, ajo ka bashkëpunuar për vite me radhë me organizata të shoqërisë civile, veçanërisht me Qendrën Res Publica, duke përfaqësuar qytetarë dhe grupe interesi në procese gjyqësore kundër institucioneve publike.
Dule njihet për angazhimin e saj në kauza që lidhen me transparencën, llogaridhënien dhe mbrojtjen e interesit publik në Shqipëri.
Po ashtu, ajo ka qenë pjesë e ekipit ligjor që kundërshtoi në gjykatë planifikimin urban të Bashkisë së Tiranës, në një çështje ku gjykata konstatoi shkelje procedurale dhe tejkalim kompetencash nga autoritetet vendore.