Apeli konfirmon masat ndaj Ballukut, ndalohet dalja jashtë vendit

Gjykata e Posaçme e Apelit konfirmon masat ndaj Belinda Ballukut, duke lënë në fuqi pezullimin dhe ndalimin e daljes jashtë vendit ndërsa SPAK vijon hetimet.

464
Belinda Balluku duke dalur nga SPAK
Credits: LSA - Belinda Balluku duke dalur nga SPAK

Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar ankimin e Belinda Balluku, e cila kishte kërkuar shfuqizimin e vendimit të Shkallës së Parë për pezullimin e saj nga detyra e zv/kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Trupa gjykuese, e përbërë nga gjyqtarja Miliana Muça, vendosi më 9 mars 2026 që pezullimi i Ballukut dhe masa e ndalimit të daljes jashtë vendit të mbeten në fuqi, duke konfirmuar kufizimet e vendosura më parë.

16 nëntor 2025 SPAK kërkoi heqjen e imunitetit të zv/kryeministrit për Belinda Ballukun për akuzën “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, konkretisht në lidhje me ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe Unazën e Madhe Tiranë.

Balluku vendosi t’a ankimojë këtë vendim në Apelin e Posaçëm, duke kërkuar të rikthehej në detyrë, por shqyrtimi i ankimit u shty disa javë për shkak të pritjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Më pas, me vendim të Shkallës së Parë më 20 nëntor 2025, Belinda Balluku u pezullua nga funksionet e larta shtetërore dhe iu ndalua të dalë jashtë vendit për shkak se ekziston rreziku i largimit.

Këtë të hënë, 9 mars 2026, Apeli i Posaçëm u mblodh formalisht për të vendosur nëse ankimimi i ish-zv/Kryeministres do të miratohet apo do të bjerë. Mbledhja ishte formale, pasi Belinda Balluku u shkarkua nga cilësia e zv/Kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës së Energjisë më 26 shkurt të këtij viti, duke e lënë atë vetëm nën cilësinë e deputetit.

Rihapja e shqyrtimit të ankimit konfirmoi masat e vendosura nga Shkalla e Parë duke e lënë Ballukun të pezulluar nga detyra dhe nuk mund të largohet jashtë vendit, ndërkohë që procedimi penal ndaj saj vijon.

Kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të mazhorancës dolën në mbrojtje të Belinda Ballukut, duke argumentuar se pezullimi dhe shkarkimi i saj nga detyra ishte bërë pa një vendim gjyqësor përfundimtar dhe në shkelje të Kushtetutës. Ata i drejtuan çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila më pas konfirmoi masat e pezullimit, duke rrëzuar pretendimet e ankuesve.

Prej 31 tetorit 2025, zv/kryeministrja Balluku është marrë e pandehur me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera gjatë procesit të ndërtimit të tunelit të Llogarasë. Projekti konsiderohet një nga më të shtrenjtët në pesë vitet e fundit në infrastrukturën e vendit.

Në tenderin me objekt ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë, me fond limit më shumë se 18.9 miliardë lekë pa TVSH, të zhvilluar nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë evidentuar veprime të kundraligjshme ndaj të pandehurës Belinda Balluku, e cila në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, prej fazës përgatitore, e deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues.

Sipas dokumenteve që kanë rrjedhur në media, hetimi është zgjeruar dhe aktualisht përfshin pothuajse të gjithë investimet në Unazën e Madhe, si dhe procedurën koncesionare PPP për aksin Thumanë-Kashar, me një vlerë të parashikuar rreth 245 milionë euro.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.