
Vendimi i SPAK për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka nxitur tensione të forta mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë. Kryeministri Edi Rama është shprehur publikisht disa herë në mbrojtje të Ballukut, duke e konsideruar vendimin si antikushtetues dhe duke akuzuar SPAK-un për tejkalim të kompetencave.
Deklaratat e Ramës kanë shkaktuar shqetësim te Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, e cila i cilësoi komentet e kreut të qeverisë si presion ndaj drejtësisë. Përplasja mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor është thelluar edhe më shumë pas reagimit të sotëm të kryeministrit, i cili akuzoi shoqatën se po përdor standarde të dyfishta dhe kërkon rritje të pajustifikueshme pagash për gjyqtarët.
Tensionit institucional i është shtuar edhe përplasja politike: Partia Demokratike ka nisur protesta të përjavshme duke kërkuar dorëheqjen e Ramës dhe Ballukut. Ndërsa analistë dhe ekspertë ligjorë e shohin rastin si test të funksionimit të balancës mes pushteteve, disa prej tyre kundërshtojnë tezën e Ramës se ky është një rast “i paprecedentë”, duke sjellë shembuj ndërkombëtarë kur zyrtarë të lartë janë pezulluar ose arrestuar në detyrë.
Rama kundër drejtësisë

Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe trupës gjyqësore është përshkallëzuar sot, pasi kreu i qeverisë reagoi ashpër ndaj deklaratës së Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, e cila e akuzoi atë për ushtrim presioni mbi drejtësinë në lidhje me çështjen “Balluku”.
“Nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ nga ai gjyqësor, në të vërtetë fshihet një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë që kanë për shqyrtim çështjen në fjalë.” – thuhet në deklaratën e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, ku edhe shprehen shqetësimet lidhur me qëndrimet e mbajtura nga kryeministri Edi Rama në platformat e ndryshme të rrjeteve sociale.
Në një postim të publikuar në platformën X, Rama kundërshtoi qëndrimin e Shoqatës, duke deklaruar se gjyqtarët “ose nuk e dinë kuptimin e fjalës presion, ose zgjedhin të heshtin kur presionet i ushtrojnë të tjerë”.
Kryeministri thekson se prej një dekade nuk ka qenë në konflikt me gjyqësorin, por ka mbështetur reformën në drejtësi, ndërsa i cilësoi deklaratat e Shoqatës si të pabazuara.
“Ose nuk e dinë kuptimin e fjalës presion, sepse nuk i kam parë të ankohen për ca të tjerë, që prej vitesh u këndojnë librin e shtëpisë njerëzve të drejtësisë, ose e dinë që kur ankohen për mua, nuk u hyn gjemb në këmbë, sepse unë jam ai që kam 10 vjet që nuk luftoj me ta, po luftoj për ta madje duke i përtypur në heshtje, si çështje të pavarësisë së shpallur botërisht me Reformën në Drejtësi, edhe jo pak “lajthitje” të dhimbshme të gjyqësorit, në dëm të lirive e të drejtave të njerëzve të këtij vendi dhe të interesave të këtij shteti” – shkruan kryeministri Rama.
Rama e përdori reagimin edhe për të kritikuar qëndrimin e gjyqtarëve lidhur me kërkesën e tyre për rritje pagash, duke e quajtur atë “skandaloze” dhe në kundërshtim me kompetencat e ekzekutivit dhe parlamentit.
“Shoqata e gjyqtarëve po tenton të marrë nga buxheti i shtetit, duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin, një rritje të re prej plot 1600 Eurosh po po, 1600 Euro plus pagës aktuale – të pagave të magjistratëve e të këshilltarëve të tyre” – sqaron Rama.
Kryeministri thotë në mesazhin e tij se nuk do të heshtë kur vendimet e prokurorëve dhe gjykatësve, sipas tij, cenojnë pavarësinë e ekzekutivit, duke iu referuar pezullimit të ministres Belinda Balluku nga SPAK, vendim që kreu i qeverisë e konsideron antikushtetues.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 12 dhjetor për shqyrtimin paraprak të çështjes Balluku, që do të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim në themel apo do të refuzohet.
Që kur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u pezullua nga detyra, me vendim të Gjykatës së Posaçme, kryeministri Edi Rama ka bërë katër deklarata të njëpasnjëshme në mbrojtje të ministres së pezulluar.
Në mesazhet e tij publike, Rama ka kritikuar SPAK-un për tejkalim të kompetencave, duke e cilësuar pezullimin si “absurd” dhe “bllokues për funksionimin e ekzekutivit”.
“Këtë risi botërore të drejtësisë sonë të re, unë nuk e quaj dot asgjë tjetër përveçse një nga ato rrëzimet e fëmijës që sapo ka mësua të eci.” – shprehet kryeministri Rama në njërin prej postimeve në rrjetet e tij sociale.
Deklaratat e ashpra të kryeministrit Rama dhe reagimi i Shoqatës së Gjyqtarëve kanë nxitur një valë komentësh nga analistët, të cilët shohin rrezikun e një krize të re mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor.
Ndërsa disa theksojnë përgjegjësinë politike që duhet të mbajnë zyrtarët e lartë kur përballen me akuza zyrtare, të tjerë kundërshtojnë pretendimin e Ramës se pezullimi i një ministri është praktikë e padëgjuar në demokracitë perëndimore.
Analisti politik Lutfi Dervishi vlerëson se rasti Balluku duhet të trajtohet para së gjithash në planin politik. Ai thekson se dorëheqja është reagim i natyrshëm kur një zyrtar i lartë akuzohet zyrtarisht, duke shtuar se “krizat politike zgjidhen nga politika dhe jo në sallat e gjyqit”.
“Në demokraci, krizat politike zgjidhen nga politika dhe përgjegjësia politike nuk transferohet në sallat e gjyqit. Përballë një akuze zyrtare, dorëheqja është reagimi normal që ruan integritetin e qeverisjes.” – thotë analisti Politik, Lutfi Dervishi.
Për Dervishin, prezumimi i pafajësisë nuk përjashton përgjegjësinë politike të kujtdo që mban një post të rëndësishëm ekzekutiv.
“Parimi i prezumimit të pafajësisë është për të gjithë, por ai nuk e heq detyrimin për përgjegjësi politike kur je në majën e pushtetit.” – sqaron Dervishi.
Kryeministri në të gjitha deklaratat e tij e ka trajtuar çështjen nga ana juridike duke e quajtur antikushtetues vendimin për pezullimin e numrit 2 të qeverisë.
“Se më thoni që kjo qenka kaq normale, paçka se s’ësjtë parë kurrë, askund, në botën demokratike…” u shpreh kryeministri i vendit.
Politologu Afrim Krasniqi kundërshton deklaratën e kryeministrit sipas së cilës pezullimi i një ministri nuk ka precedent në vendet demokratike.
Krasniqi sjell shembuj konkretë nga vendet europiane, duke kujtuar rastet kur zyrtarë të nivelit shumë të lartë, përfshirë zv.presidentë dhe drejtues të institucioneve ndërkombëtare, janë pezulluar ose arrestuar gjatë ushtrimit të detyrës. Sipas tij, ky është një mekanizëm normal i kontrollit demokratik.
“Teza që në asnjë vend demokratik nuk ndodh që një ministër pezullohet, në fakt ka ndodhur në vendet demokratike që deri në zv president të arrestohen në detyrë ose zyrtarë të tjerë të lartë. Rasti i fundit është në Parlamentin Europian ku kemi pasur praktika të zv kryetarit të parlamentit europian dhe zyrtarë të tjerë të lartë që janë marrë me Shqipërinë.” – thotë politologu, Agrim Krasniqi.
Zv.kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është marrë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Më 31 tetor, SPAK njoftoi se Balluku është pandehur për veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike”. Hetimi lidhet konkretisht me procedurat e tenderit të tunelit të Llogarasë, si dhe me tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe.
Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 12 dhjetor për shqyrtimin paraprak, ku tetë anëtarët do të vendosin nëse çështja do të kalojë për shqyrtim në themel ose do të refuzohet për trajtim të mëtejshëm.
Ndërsa, Partia Demokratike ka thirrur protesta të përjavëshme, duke mobilizuar qytetarët për t’u mbledhur poshtë ndërtesës së Kryeministrisë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe funksionarëve të tjerë publik.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.

























