Mëngjesin e sotëm, 5 dhjetor 2025, u zhvillua seanca paraprake e radhës për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, e cila u shty për në datën 12 dhjetor. Në këtë seancë, GJKKO pritet të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim ose do t’i kthehet SPAK-ut për hetime të mëtejshme.
Veliaj nuk u paraqit personalisht në gjykatë, por përfaqësohej nga avokati i tij, i cili ripërsëriti të njëjtat kërkesa të parashtruara në seancën e kaluar që ka të bëjë me dorëzimin e dosjes hetimore, që përmban mbi 60 mijë faqe, në një format të lexueshëm dhe të aksesueshëm.
Nga ana tjetër, SPAK kundërshtoi pretendimet për mungesë të aksesit në dosje.
Në një njoftim të publikuar sot, Prokuroria sqaron se të gjitha detyrimet ligjore ndaj të pandehurit dhe mbrojtësit të tij janë përmbushur, duke përfshirë dorëzimin e kopjeve të akteve më 24 korrik 2025, pa asnjë shpenzim. Ky fakt është dokumentuar me procesverbalin përkatës.
“Erion Veliaj është njoftuar edhe me të drejtën për t’u njohur me aktet dhe për të marrë kopje të tyre. Në ushtrim të kësaj të drejte, mbrojtësit e të pandehurit Erion Veliaj, më datë 24.7.2025, pa asnjë shpenzim, kanë marrë një kopje të akteve të procedimit penal,” njoftoi SPAK, teksa shtoi se ky fakt është i dokumentuar me procesverbalin përkatës.
Prokuroria ka shpjeguar gjithashtu dhe dështimin deri tani të seancave të gjykimit paraprak të çështjes Veliaj, që sipas saj janë shtyrë kryesisht për shkak të mungesave të pajustifikuara të mbrojtësve dhe kërkesave të padrejta të tyre, duke penguar përfundimin e procedurës brenda afateve ligjore.
“Gjykata e Posaçme caktoi më 29.9.2025 seancën e parë të gjykimit paraprak. Prej këtij momenti dhe deri tani janë shtyrë 8 seanca gjyqësore për shkak të mungesave të pajustifikuara të mbrojtësve të të pandehurve apo dhe kërkesave të padrejta të tyre, duke penguar përfundimin e gjykimit paraprak brenda afateve të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale,” thuhet në njoftim.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në paraburgim që nga muaji shkurt 2025 dhe akuzohet për një seri veprash penale, duke përfshirë pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre etj. Dosja është e gjerë dhe përfshin zyrtarë të ndryshëm, biznesmenë dhe të afërm të Veliajt. Ndër to, edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, është marrë e pandehur dhe akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.
























