Shqipëria në alarm mjedisor. Mbetjet pushtojnë vijën bregdetare

Brigjet shqiptare po përballen me një alarm mjedisor ditët e fundit, ku si pasojë e rreshjeve intensive, tonelata të tëra mbetjesh kanë dalë në sipërfaqe.

3531
Shqipëria në alarm mjedisor
Credits: shteg.org - Shqipëria në alarm mjedisor

Brigjet shqiptare kanë përjetuar ditët e fundit një situatë alarmuese mjedisore ku tonelata mbetjesh plastike dhe materiale të tjera, mbuluan plazhet. Zonat më të prekura përfshijnë Durrësin, Velipojën, Fierin dhe Shkodrën, ku vijat bregdetare dukeshin si landfill.

Mbetjet përfunduan edhe në Dubrovnik, Kroaci, duke irrituar autoritetet lokale, ndërsa analizat treguan se një pjesë e tyre kishte origjinë shqiptare.

Ekspertët e mjedisit thonë se problemi nuk është i izoluar dhe lidhet kryesisht me papërgjegjshmërinë në hedhjen e mbetjeve pranë lumenjve dhe mungesën e një sistemi efektiv menaxhimi të mbetjeve në Shqipëri. Pavarësisht aksioneve të pastrimit dhe fushatave ndërgjegjësuese, mbetjet vazhdojnë të grumbullohen në përrenj, lumenj dhe më pas në det. Bashkitë kanë përgjegjësi ligjore për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve, por shpesh nuk disponojnë kapacitetet e nevojshme për të menaxhuar situatën.

Nga ana tjetër, ligji për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve ka pësuar ndryshime për t’u përafruar me standardet e BE-së, dhe reforma e fundit përfshinte krijimin e një kompanie publike dhe investime për landfille të reja. Megjithatë, ekspertët thonë se ndryshimet nuk zgjidhin problematikën e cila kërkon ngritjen e një sistemi të qëndrueshëm dhe efektiv menaxhimi të mbetjeve, duke nisur nga burimi.

Shirat nxjerrin mbetjet në det të hapur

Tonelata mbetjesh plastike, shishe dhe materiale të tjera pushtuan bregdetin, duke e kthyer plazhin në një landfill të hapur. Në Fier dhe Shkodër, lumenjtë, të mbushur me mbetje, i shtynin ato drejt detit, duke lënë pas një rrëmujë të dukshme dhe një aromë të fortë të papastërtisë.

Shumë nga këto mbetje përfunduan në Dubrovnik, Kroaci, duke irrituar autoritetet lokale. Shishe me etiketa në shqip dhe ambalazhe “Made in Albania” treguan origjinën e tyre, duke sjellë shqetësim ndërkombëtar.

Ekspertët e mjedisit vënë në dukje se problemi nuk është i izoluar dhe lidhet kryesisht me papërgjegjshmërinë në hedhjen e mbetjeve pranë lumenjve dhe mungesën e një sistemi efektiv menaxhimi të mbetjeve në Shqipëri.

“Eshtë e provuar që shumë prej mbetjeve jane me origjinë shqiptare pasi kanë ambalazhe made in apo Albania që shiten në Shqipëri, kanë etiketa në shqip. Ky është një fenomen i përsëritur dhe do vazhdojë të përsëritet përsa kohë Shqipëria nuk është në gjendje të ndërtojë dhe të vërë në funksion një sistem menaxhimi të mbetjeve efektiv” – thotë Olsi Nika, drejtuesi i organizatës Eco Albania.

Pavarësisht aksioneve të pastrimit dhe fushatave ndërgjegjësuese, mbetjet vazhdojnë të grumbullohen në përrenj, lumenj dhe më pas në det. Bashkitë kanë përgjegjësi ligjore për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve, por shpesh nuk disponojnë kapacitetet e nevojshme për të menaxhuar situatën.

“Ka patur gjithmonë, aksione promovimi ndërgjegjësimi, aksione të shumëfishta pastrimi ku ka aty edhe përfaqesues të instiutucioneve të ushtrisë, ministrat e mjedisit, por shumë pak është bërë realisht në vendosjen e një sistemi efektiv menaxhimi të mbetjeve që filon nga koncepti i 3 R-ve: të reduktohen të riciklohen të ripërdoren dhe në fund fare të bëhet procesi i asgjësimit. Pra ndarja në burim ka ngelur gjithmonë në kuadrin e projekteve pilot që eshtë hallka e parë e këtij menaxh efekti” – shpjegon ekperti mjedisor.

Shteg iu drejtua Ministrisë dhe Agjensisë Kombëtare të Mjedisit, me pyetje mbi masat e ndërmarra, si dhe mbi përgjegjësinë e qeverisë shqiptare për situatën e krijuar nga ndotja që shtrihet nga bregdeti shqiptar deri në Kroaci. Deri në momentin e publikimit të këtij materiali, Ministria ka refuzuar të japë shpjegimet e nevojshme.

Por, sipas dokumentit të politikave Strategjike dhe Planit Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të mbetjve, përgjegjegjësia për mbledhjen dhe trajtimin e mbetjeve në zonat e tyre janë bashkitë. Këto përgjegjësi përfshijnë organizimin për ofrimin i shërbimit të grumbullimit, transportimit, trajtimit dhe depozitimit të mbetjeve bashkiake. Por, sipas ekspertëve ato nuk i kanë kapacitetet e duhura.

Bashkitë, një hallkë kyçe e pazgjidhur

Ndërsa tonelata mbetjesh pushtojnë brigjet shqiptare dhe përfundojnë deri në Dubrovnik, një pjesë e madhe e përgjegjësisë bie mbi bashkitë. Sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore dhe Planit Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, bashkitë janë institucionet kryesore që duhet të organizojnë mbledhjen, transportin, trajtimin dhe depozitimin e mbetjeve në territorin e tyre. Megjithatë, ekspertët thonë se shumë bashki nuk kanë kapacitetet e nevojshme, as njerëzore, as financiare, për të menaxhuar situatën në mënyrë të integruar.

“Menaxheri kryesor është bashkia sepse ligji për vetëqeverisjen vendore ngarkon bashkinë si instucionin kryesor që merret me menaxhimin e mbetjeve në terrritor.

Jo të gjitha bashkitë i kanë të gjitha kapacitet njerëzore financiare për ti menaxhuar në mënyrë të intëgruar packa se ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve ngarkon bashkitë me përgjegjësi  dhe shohim situatën në zonat bregdetare  ku tonelata me mbetje përfundojnë në det sepse ato gjenerohen sidomos në zona rurale sepse në zona urbane deri diku shtrihet zinxhiri i grumbullimit por jo i menaxhimit, dhe ato që janë të pagrumbulluara nga shtëpitë e fshatit apo të zonave rurale depozitohen në përrenjtë e vegjël më pas në lumenjtë e mëdhenj  më pas në det. – shpjegon Olsi Nika.

Problemi theksohet edhe nga raportimet e banorëve dhe aksionet lokale të pastrimit, pavarësisht përpjekjeve, mungesa e një sistemi të qëndrueshëm të menaxhimit bën që mbetjet të rikthehen në mënyrë ciklike.

Ligji për menaxhimin e Integruar të mbetjeve, ka pësuar një sërë ndryshimesh në vite që kanë ardhur si nevojë e përafrimit të legjislacionit Shqiptar me direktivat e BE. Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Mjedisit e aso kohe Mirela Kumbaro, me 26 Gusht të këtj viti prezantuan  një reformë të re për menaxhimin e mbetjeve, e cila konsistonte në krijimin e një kompanie publike si dhe investimeve për ndërtimin e landfilleve të reja.

Ky premtim, vjen pas shpenzimit të miliona eurove për ndërtimin e tre inceneratorëve të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit, te cilët u shndërruan në një aferë korruptive dhe nuk u bënë kurrë efektive. Kështu, edhe ngritja e Operatorit Kombëtar të mbetjeve nuk duket shumë premtuese për ekspertët.

Ndryshimet e bëra në Strategjinë Kombëtare për menaxhimin e integruar të mbetjeve, si edhe projektligji që u miratua së fundi, nuk sjellin risi të rëndësishme apo thelbësore. Ajo që bie më shumë në sy është rikthimi te parimi i ndarjes në burim, pasi u provua se incenerimi dhe gjithë problematika që shoqëroi çështjen e inceneratorëve – përfshirë procedurat e ndërtimit dhe korrupsionin – nuk ofrojnë një zgjidhje të qëndrueshme. Në vetvete, incenerimi nuk mund të zëvendësojë hallkat e tjera të zinxhirit; ai është vetëm faza e fundit e menaxhimit të integruar të mbetjeve.


Shënim: Ky publikim, është mundësuar me mbështetjen financiare të projektit GreenAL, i zbatuar nga Co-PLAN, COSV dhe VIS Albania. Pikëpamjet dhe përfundimet e përfshira këtu nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë Suedeze ose të Sida-s, Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim për Zhvillim (Sida).

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.