Prokuroria e Vlorës ka urdhëruar sekuestrimin e pasurive me vlerë rreth 4 milionë euro në pronësi të shtetasit Pelivan Canaj dhe familjarëve të tij. Kjo masë e sekuestrimit është vendosur pasi dyshohet se janë kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Sipas Prokurorisë, hetimet për familjen Canaj kanë nisur në vitin 2023, periudhë gjatë së cilës të dyshuarit janë proceduar në gjendje të lirë.
Hetimi çoi në identifikimin e 12 pasurive të konsideruara të dyshimta, konkretisht “Truall me sipërfaqe 1600 m2” në emër të Pelivan Canaj dhe njëmbëdhjetë pasuri të tjera si “Bodrum”, “Apartament”, “Njësi” e të tjera, në emër të të birit, Fatos Canaj. Të gjitha këto pasuri janë vendosur nën masën e sekuestrimit, me qëllim ruajtjen e tyre derisa çështja të vlerësohet nga Gjykata.
Burime brenda organit të akuzës bëjnë të ditur se Pelivan Canaj, rreth 90 vjeç, dyshohet se ka vepruar në bashkëpunim me familjarët e tij, duke kryer ndërtime në truall të falsifikuar ose të përfituar përmes dokumentacionit të dyshimtë.
Të dhënat e hapura tregojnë që Fatos Canaj ka një kompani të themeluar që prej vitit 1999 nën emrin “FAED SHPK” me anë të së cilës tregtojnë me shumicë e pakicë të artikujve të ndryshëm, bëjnë punime dheu, ndërtim etj. Kjo kompani është nën pronësinë e dy vëllezërve Fatos dhe Erion Canaj me nga 50% të aksioneve, duke i bërë ata bashkëpronarë.
Në qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton kompania “FAED SHPK” është çregjistruar.
Prokuroria e Vlorës ka bërë të ditur se çështja penale do t’i kalojë Gjykatës, ku pritet që të shqyrtohen provat, dokumentet dhe mënyra e përfitimit të pasurive.
Shteg.org e kishte të pamundur të komunikonte me të hetuarit Pelivan Canaj dhe familjarë të tij lidhur me akuzat e bëra nga Prokuroria e Vlorës pasi nuk pranuan të flisnin.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.






















