Prokuroria konfiskon 3 milionë euro pasuri të Dasho Alikos në Gjirokastër

Hetimet tregojnë se pasuritë nuk mund të justifikoheshin nga burime të ligjshme; Prokuroria dyshon se ato janë fituar në mënyrë të paligjshme.

889
Dasho Aliko
Credits: LSA - Dasho Aliko

Prokuroria e Gjirokastrës ka konfiskuar pasuri me vlerë rreth 3 milionë euro në pronësi të Dasho Alikos, anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike në Gjirokastër, pasi hetimet kanë treguar se këto pasuri nuk mund të justifikoheshin nga burime të ligjshme.

Në një njoftim zyrtar, Prokuroria deklaron se “nga hetimet rezulton se shtetasi D.A. nuk ka burime të ligjshme për krijimin e këtyre pasurive” dhe shpreh angazhimin për të vijuar hetimet dhe sekuestrimin e çdo pasurie që mund të jetë fituar në mënyrë të paligjshme.

Pasuritë e konfiskuara përfshijnë: 7 trualla, 1 arë, 1 banesë, 1 karburant, 1 ndërtesë zyrash, 1 lokal, 3 magazina, 1 gurore dhe 1 nyje betoni, të shpërndara në qytetin e Gjirokastrës, Lazarat, Grehot dhe Kordhocë.

Konfiskimi u krye në kuadër të hetimit pasuror nr.2 të vitit 2019, sipas ligjit Nr.10192/2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit dhe Korrupsionit nëpërmjet Masave Parandaluese Kundër Pasurisë”. Prokuroria njofton se do të vijojë hetimin me prioritet të procedimeve pasurore, duke marrë masa për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të tjera, në zbatim të ligjit.

Dasho Aliko është një figurë e njohur politike në Gjirokastër, themelues i PD në këtë qytet dhe kryetar i Komunës së Lazaratit për 12 vjet. Në tetor të vitit 2018, ai u zgjodh kryetar i degës së PD në Gjirokastër, duke fituar mbi kandidatin Gjergji Dudi me 166 vota kundrejt 76 votave të kundërshtarit, në një proces ku morën pjesë 255 delegatë nga tre njësitë vendore: Bashkia Gjirokastër, Bashkia Libohovë dhe Bashkia Dropull.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.