Në pamje të parë, procedurat e prokurimit në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dukeshin si një proces digjital pa dritëhije. Por, sipas hetimeve të Prokurorisë dhe raportit të KLSH-së, fshihet një mekanizëm i frikshëm ku ligji u përdor si armë për të asgjesuar konkurrencën dhe për të kanalizuar miliona euro drejt një celule private të drejtuar nga Ergys Agasi.
Zanafilla e korrupsionit nuk ishte dita e shpalljes së tenderit, por takimet klandestine në zyrat private të Agasit. Aty, drejtueset e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe Hava Delibashi, koordinonin hartimin e kritereve teknike të tenderave, që i përshtateshin vetëm kompanive të paracaktuara, duke lënë jashtë operatorët që ofronin çmime deri në 30% më të ulëta.
KLSH konfirmon në raportin e tij se këto kritere ishin “sforcime teknike” të panevojshme dhe në shumë procedura janë shpallur fitues kompani që KLSH e cilëson si “mungesë totale transparence”.
Në labirintin e dokumenteve të sekuestruara nga SPAK, një emër shfaqet si destinacioni fundor i miliona eurove: “EA Solution”.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), “EA Solution” u krijua në një moment kyç, kur AKSHI nisi të lëvronte fondet masive për Sigurinë Kibernetike dhe dixhitalizimin.
Megjithëse në letra shfaqeshin emra të afërmish ose bashkëpunëtorësh të Ergys Agasit, prokuroria ka provuar përmes komunikimeve të enkriptuara dhe dëshmive se kontrolli real ushtrohej nga vetë Agasi.
Në kohën kur kompania arkëtonte miliona, ajo rezultonte me zero specialistë IT të siguruar dhe pa asnjë seli që i ngjante një kompanie teknologjike.
Deri në momentin e goditjes nga SPAK, “EA Solution” llogaritet të ketë qarkulluar rreth 1.98 milionë euro të përfituara ekskluzivisht nga kjo skemë. Këto para, sipas dosjes, janë përdorur më pas për blerje asetesh, përfshirë mjete luksoze, si jaht apo dhe Range Rover, dhe investime të tjera që synonin humbjen e gjurmëve të parave publike.
Dixhitalizimi i Shqipërisë

Në një nga katet e qendrës tregtare “Vesa Center” në rrugën Abdyl Frashëri, aty ku ndodhen edhe zyrat e një kompanie të lidhur me biznesin e cigarëve, u vulos fati i dhjetëra milionë eurove të taksapaguesve shqiptarë.
Pikërisht aty ndodhen zyrat e biznesmenit kontravers, Ergys Agasi, ku sipas hetimeve të prokurorisë shndërruan Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) në një “repart teknik” në shërbim të tij.
“Shtetasja Mirlinda Karçanaj është vëzhguar duke hyrë në ambientet private të shtetasit Ergys Agasi në orare që nuk përkojnë me axhendën zyrtare të institucionit që ajo drejton. Këto takime ishin të shpeshta dhe zhvilloheshin kryesisht përpara fazave kritike të prokurimeve publike,” thuhet në dosjen hetimore.
Nga një ish-zyrtar i dorës së dytë, krejt në hije, që ngjiti shallët e karrierës falë edhe lidhjeve politike, është djali i ish-Sekretarit të Partisë Socialiste; emri i tij u bë i njohur në media pas intervistës së Arben Ahmetajt për Rai3, ku hodhi akuza për kryeministrin Edi Rama dhe lidhjet e tij të pretenduara me krimin e organizuar, të cilat, sipas Ahmetajt, koordinoheshin nga Ergys Agasi.
10 ditë pasi Kryeministri Edi Rama shpalli Shqipërinë e dixhitalizuar si lider në rajonin e Ballkanit, më 15 shtator 2023, Ergys Agasi, 36 vjeç, themeloi kompaninë EA Solution me kapital 1,000 lekë (10 euro) dhe aktivitet në fushën e teknologjisë së informacionit.
Në bilancin e depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania deklaroi të ardhura 242.4 milionë lekë dhe fitime para tatimit mbi fitimin 232.1 milionë lekë, nga 15 shtatori 2023 deri më 31 dhjetor 2023. Normat e fitimit neto ishin 95.7%, ndërsa kthimi mbi kapitalin themeltar 220,000 herë.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme zbuluan se EA Solution ishte një kompani pa aktivitet real (shell company), pa zyra të veçanta dhe me punonjës fiktivë, të regjistruar formalish te EA Solution, por që punonin për Soft & Solution, pronë e Ermal Beqirit.
Ndërsa punonjësit e regjistruar formalish ishin punonjës të Soft & Solution që nuk njihnin administratoren e EA Solution, Ina Ciko.
Soft & Solution, themeluar në 2011 dhe blerë nga Ermal Beqiri në korrik 2021, ka raportuar rritje të të ardhurave dhe fitimeve që nga viti 2021. Në vitin 2024, kompania regjistroi afro 18 milionë euro të ardhura dhe pothuajse 11 milionë euro fitime.
Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit konstatuan se zyrat e deklaruara të EA Solution në rrugën “Hoxha Tahsin” në Tiranë ishin në fakt zyra të një kompanie tjetër. Punonjësit e gjetur aty deklaruan se ishin të punësuar nga Soft & Solution dhe po punonin për Regjistrin e Çështjeve të Policisë së Shtetit.
Në librat kontabël të EA Solution mungojnë elementët bazë të një kompanie IT me xhiro milionëshe: blerje pajisjesh, licenca software dhe shpenzime operative. Megjithatë, kompania ka arkëtuar rreth 8 milionë euro dhe ka blerë një automjet luksoz në Gjermani me vlerë 280 mijë euro.
Skema, sipas hetuesve, lidhet ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), institucionin që administron infrastrukturën digjitale të shtetit shqiptar, drejtoresha e së cilës është Mirlinda Karçanaj.
Në dosje evidentohen 19 procedura tenderimi, për të cilat dyshohet se grupi ka ndërhyrë në forma të ndryshme, për të përfituar, që nga takimet sekrete e deri tek pengmarrja e konkurentëve.
Sipas shifrave të përmendura në vendimin e gjykatës, vlera totale e këtyre kontratave, pa TVSH, arrin rreth 59 milionë euro.
Prokuroria pretendon se procedurat janë manipuluar në mënyrë që të fitoheshin nga kompania “Soft & Solution” e Beqirajt, “Fastech” e Andis Papës dhe “First” sh.p.k. e Gëzim Hoxhës.
“Nga analiza e këtyre dy procedurave të prokurimit, në përputhje me shpjegimet e punonjësve të shoqërisë ‘EA Solution’, krijohet bindja se tenderat janë fituar nga subjekte të kontrolluara nga shtetasi Ermal Beqiri, në bashkëpunim me shtetasin Andis Papa, ndërsa përfitimet financiare janë transferuar në mënyrë fiktive te shoqëria ‘EA Solution’, në pronësi të shtetasit Ergys Agasi,” thuhet në vendimin e gjykatës së posaçme.
Tendera “sekret” dhe certifikata mashtruese

Për ekspertët e sigurisë, fakti që kompanitë nuk kanë përmbushur kriteret teknike nuk mund të garantojë sigurinë e sistemeve dixhitale me të cilat krenohet qeveria shqiptare.
“Shumë prej kompanive që dyshohet se kanë përfituar nga këto tendera kanë staf minimal, mungesë eksperience të provuar dhe fitimi i kontratave nuk ka ardhur nga konkurrenca reale, por nga kritere të ndërtuara enkas për to. Një kompani me kapacitete të kufizuara teknike nuk mund të garantojë sigurinë, qëndrueshmërinë dhe mbrojtjen e sistemeve kritike shtetërore,” thotë Besmir Semanaj, specialist IT.
Hetimet e Prokurorisë zbuluan përdorimin e procedurave “sekret shtetëror” dhe kriteret e certifikatave të sigurisë, për të kufizuar konkurrencën dhe për të paracaktuar fituesit, edhe në raste kur nuk ekzistonte asnjë informacion i klasifikuar sipas ligjit.
“AKSHI ka vendosur certifikata si CSP (Cloud Service Provider) dhe standarde specifike CSI, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me nevojat reale të shërbimit, por synonin skualifikimin e menjëhershëm të çdo operatori që nuk bënte pjesë në marrëveshjen paraprake,” thuhet në dosje.
Përballë dyshimeve të forta se kriteret teknike (si standardet CSP dhe CSI) ishin “qepur” me porosi, Karçanaj ka mbajtur një qëndrim mohues kur u pyet nga prokurorët e SPAK.
Ajo u shpjegoi hetuesve se në 12 vite përvojë nuk ka ndërhyrë asnjëherë në hartimin apo modifikimin e kritereve, duke ia lënë përgjegjësinë grupeve të punës dhe institucioneve kërkuese.
Sipas saj, ndërhyrja e saj ishte vetëm “e karakterit teknik”, ndërsa për përzgjedhjen e emrave në grupet e punës konsultohej me drejtorët për të parë ngarkesën dhe ekspertizën.
Megjithatë, SPAK vërejti se ishin pikërisht këto “karaktere teknike” që krijuan barriera eliminuese për çdo operator që nuk ishte “mik” i zyrës së Agasit.
Karçanaj deklaroi se nuk kishte dijeni që Agasi ishte pronar i “EA Solution” dhe as që ai kishte bashkëpunim financiar me Beqirin.
Sidoqoftë, ajo pranoi një udhëtim të përbashkët me Beqirin dhe operatorë të tjerë në Greqi, gjatë një fushate punësimi të kërkuar nga kryeministri Rama dhe zv/kryeministrja Balluku.
Por nga ana tjetër, prokuroria dyshon se kompanitë e Beqirit kanë qenë nyja lidhëse e rrjetit të kompanive që përfitonin tenderë publikë, shpesh përmes procedurave të shpallura “sekret shtetëror”.
Sipas ekspertit të IT, Edmond Liçaj, vetëm 3 vitet e fundit dyshohet se AKSHI ka realizuar rreth 250 procedura të tilla.
“Nga të dhënat e deri tanishme nuk kuptohet qartë a është dhënë shërbimi që është tenderuar, por nga mënyra si ka funksionuar si një strukturë e lidhur fort mes një grupi të ngushtë dhe pushtetit, ka ngritur një dyshim në çdo procedure dhe shërbim që është ofruar. Ne kemi pasur një problem prezent në realitetin tonë, atë të besueshmërisë ndaj institucioneve,” thotë eksperti.
Hetimet tregojnë se kërkesa për Certifikatë Sigurie është përdorur sistematikisht për të kufizuar konkurrencën dhe për të paracaktuar fituesit, edhe në raste kur nuk ekzistonte asnjë informacion i klasifikuar sipas ligjit.
Edhe KLSH zbulon abuzime në tenderat e AKSHI-t

Megjithatë, nuk janë vetëm hetimet e Prokurorisë që kanë ngritur hije dyshimi mbi praktikat e vazhdueshme të AKSHI-t të vendosjes së kritereve kualifikuese tepër specifike dhe shpesh të paarsyeshme, të cilat skualifikonin operatorët ekonomikë.
Një raport mbi performancën e këtij institucioni, i publikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në vitin 2023 për periudhën 2017-2021, vëren se institucioni nuk ka reflektuar mbi rekomandimet e KPP-së për të rritur konkurrencën, duke vijuar me skualifikime masive.
Sipas raportit, AKSHI ka përdorur argumentin e “nevojës emergjente” për shërbime IT për të vijuar me procedurat e paracaktuara, duke bërë që filtri ligjor i KPP-së të mbetej formal dhe i paaftë për të ndalur lidhjen e kontratave me vlerë mbi 161 milionë lekë që u konsideruan pa efektivitet ekonomik.
KLSH ka evidentuar procedura prokurimi që janë kryer duke shmangur transparencën dhe konkurrencën e hapur, të cilat shpesh në gjuhën publike etiketohen si tendera sekret.
Sipas raportit, disa projekte të rëndësishme, si dixhitalizimi i Bibliotekës Kombëtare apo përmirësimi i Sistemit të Provimit të Shtetit, ishin prokuruar në kushtet e mungesës së fondeve disponibël, duke shkaktuar detyrime të prapambetura.
Grupi i auditimit ka marrë në shqyrtim një numër të konsiderueshëm procedurash, ku specifikohet se vetëm për rastet e detyrimeve të prapambetura janë audituar 629 procedura prokurimi.
Sipas Open Data, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) është një nga autoritetet e autorizuara për kryerjen e kontratave të klasifikuara për qëllime sigurie shtetërore.
Për periudhën 2019 – 12 dhjetor 2024, AKSHI ka realizuar 1,122 transaksione me vlerë totale 6.64 miliardë lekë, ku viti 2022 rezulton me pagesa më të larta, rreth 1.74 miliardë lekë.
Auditimi i KLSH-së evidentoi se në disa raste janë vendosur kritere teknike specifike (si certifikime të veçanta Java apo Oracle) që nuk kanë qenë të argumentuara, duke çuar në gara me vetëm 1 pjesëmarrës. Kjo praktikë, sipas KLSH-së, ka kufizuar pjesëmarrjen e operatorëve të tjerë ekonomikë në tenderat publikë.
Në lidhje me hetimet e kryera për llogari të çështjes Agasi, drejtoria e AKSHI-t u pyet edhe për dy memo që çuan në anulimin e tenderave ku fitues ishin shpallur “Advanced Business Solutions-ABS” dhe “Synapse ATS”.
Ajo e argumentoi këtë me sigurinë e Data Center, duke pretenduar se shoqëria ABS nuk i plotësonte kushtet e CSP për vendin e punës në AKSHI.
“Në 12 vite punë nuk jam marrë ndonjëherë me operatorët ekonomikë… Siguria e data-center është primare,” u deklaroi drejtoresha e prokurorëve të SPAK.
Nga hetimet dhe vendimi i Gjykatës së Posaçme, rezulton se drejtues të AKSHI-it kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në shkelje të rënda të ligjit për prokurimet publike.
Drejtoresha e institucionit, Mirlinda Karçanaj, është marrë e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, e kryer në formën e bashkëpunimit, në kuadër të një grupi kriminal.
Në të njëjtën çështje, Gjykata e Posaçme ka caktuar masë sigurie arrest me burg në mungesë për Ergys Agasin, pronarin e “EA Solution”, dhe Ermal Beqirin, pronarin e “Soft & Solution”, të cilët dyshohen si përfitues dhe bashkëpunëtorë në këtë skemë kriminale. Sipas akuzës, këta biznesmenë kanë qenë fitues të përsëritur të prokurimeve të AKSHI-it, në bashkëpunim me drejtuesit e institucionit, duke krijuar një mekanizëm të qëndrueshëm manipulimi të tenderëve publikë në dëm të interesit publik.
Qeveria shqiptare refuzoi të komentojë akuzat e Prokurorisë së Posaçme dhe gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi institucionin që është në varësi të Kryeministrit. Deri në publikimin e këtij shkrimi, asnjë nga personat e akuzuar dhe institucionet e përfshira në aferat e dixhitalizimit nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara nga “shteg.org”.
Lindita Çela është një gazetare investigative e shquar, e njohur për raportimet e saj të përpikta dhe të guximshme mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri. Me një karrierë që shtrihet për mbi dy dekada, Çela është konsoliduar si një figurë e rëndësishme në fushën e gazetarisë investigative, duke fituar vlerësime si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar për punën e saj.



























