Drejtoresha dhe zv/drejtoresha e AKSHI në SPAK, gjykata konfirmon arrest shtëpie

Mirlinda Karçanaj dhe Hava Delibashi u shoqëruan nga policia pas hetimeve për manipulim tenderash dhe pengmarrje; SPAK ka dhënë gjithsej tetë masa sigurimi për grupin e dyshuar kriminal.

916
Drejtoresha e AKSHI-it, Mirlinda Karçanaj
Credits: LSA - Drejtoresha e AKSHI-it, Mirlinda Karçanaj

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë dhe Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, dhe zv/drejtoresha Hava Delibashi janë paraqitur në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Të dyja u shoqëruan me automjet policie pasi ndaj tyre ishte caktuar masa e “arrestit në shtëpi”.

Karçanaj nuk dha asnjë prononcim për mediat lidhur me çështjen e pengmarrjes së biznesmenit Gerond Meçe, ndërsa avokati i saj deklaroi se nuk ka koment për momentin.

Mëngjesin e së martës, dy biznesmenë të njohur në fushën e teknologjisë dhe shërbimeve informatike, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, i kanë shpëtuar arrestimit.

Sipas SPAK, Agasi dhe Beqiri dyshohen për pjesëmarrje në një skemë kriminale për manipulimin e tenderave publikë, duke përdorur dhunë, shantazh dhe lidhje me zyrtarë shtetërorë për të favorizuar kompanitë e tyre dhe eliminuar konkurrencën.

Hetimet zbuluan se Beqiri, pronar i “Soft & Solution”, ka fituar dhjetëra tendera pranë AKSHI-t, ndërsa Agasi, pronar i “EA Solution”, ka vepruar si hallkë lidhëse mes biznesit dhe zyrtarëve të institucionit. Një nga provat kryesore është pengmarrja dhe dhunimi i biznesmenit Gerond Meçe, i cili ishte detyruar të tërhiqej nga procedurat e tenderimit.

Më 15 Dhjetor, Prokuroria paraqiti kërkesën për caktimin e masave të sigurimit për 8 shtetas nën hetim, ndërsa më 16 Dhjetor, Byroja Kombëtare e Hetimit ekzekutoi vendimet e gjykatës. Ndërkohë, Agasi dhe Beqiri nuk u kapën nga autoritetet.

Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e arrestit në shtëpi për Karçanaj dhe Delibashin, ndërsa ndaj Beqirit është caktuar arrest me burg. SPAK ka ngritur ndaj Agasit dhe Beqirit akuza për pengmarrje, pastrim parash dhe krijim të organizatave kriminale, si dhe për “konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës” dhe shkelje të barazisë në tendera publikë.

Hetimet zbulojnë gjithashtu përdorimin e fatura fiktive dhe transaksione me kompani jashtë procedurave të tenderimit, si dhe lidhjet e dyshimtë financiare mes dy kompanive të biznesmenëve. “Soft & Solution” dhe “EA Solution” kanë përfituar dhjetëra kontrata publike dhe kanë regjistruar rritje të jashtëzakonshme fitimesh në një periudhë të shkurtër, duke ngritur dyshime për pastrim parash.

Sipas dokumenteve, EA Solutions, e themeluar në 2023, ka deklaruar fitime prej 2.2 milionë euro në vetëm një vit, ndërsa shpenzimet vjetore janë vetëm 100 mijë euro. Emri i Agasit është përmendur më parë edhe nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj si “koordinatori mes kryeministrit dhe grupeve kriminale”, akuza të cilat Agasi i ka konsideruar thashetheme.

Hetimi i SPAK thekson se grupi i dyshuar ka manipuluar procedurat e tenderimit për të favorizuar kompani të paracaktuara dhe ka përdorur dhunë, shantazh dhe pengmarrje për të eliminuar konkurrencën.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.