Rrjet kompanish, llogari bankare dhe pasuri të shpërndara nga Tirana, Durrësi, Vlora dhe zona të tjera të vendit, u vendosën në sekuestro nga Gjykata e Posaçme në kuadër të një prej skemave korruptive më të mëdha, lidhur me tenderat publikë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.
Në total janë 52 pasuri të luajtshme me vlerë rreth 40 milionë euro, që dyshohet se janë produkt i një skeme të mirëstrukturuar për përfitime të paligjshme nga fondet publike.
Thellimi i hetimeve të SPAK mbi abuzimet dhe dyshimet për manipulim të tenderave publikë në AKSHI ka nxjerrë në pah një skemë të dyshuar për përfitime të paligjshme, ku ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj dyshohet se ka përfituar qindra mijëra euro përmes një sistemi të organizuar transaksionesh, i përshkruar nga hetuesit si një “lavatriçe” financiare e ngritur nga biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të konsideruar si bashkëpunëtorë kyç në këtë rrjet.
Sipas SPAK, analiza e pasurive dhe lëvizjeve financiare ka çuar në zgjerimin e akuzave për korrupsion ndaj Karçanajt, Agasit dhe Beqirit, ndërsa pronat e sekuestruara dyshohet se burojnë nga përfitime të paligjshme të lidhura me tenderat publikë.
“Hetimi ka vërtetuar se pasuritë e identifikuara në emër të funksionarëve publikë janë produkt i drejtpërdrejtë i ‘shpërblimeve’ të transferuara nga operatorët ekonomikë fitues, duke krijuar një skemë klasike të pastrimit të produkteve të veprës penale. Pa një bllokim të menjëhershëm të këtyre aseteve (luajtshme, paluajtshme dhe llogari bankare), ekziston një rrezik i lartë dhe konkret që këto pasuri të tjetërsohen, asgjësohen apo të transferohen te të tretët.” – shkruhet në vendimin e Gjykatës.
Për këtë çështje janë marrë gjithashtu nën hetim edhe pesë persona të tjerë, mes tyre ish-nëndrejtori i AKSHI-t, Daniel Shima, si dhe Emirton Suli, Gentian Likaj, Arjola Koromani dhe Elision Jorgji.
Të gjithë ata dyshohen për përfshirje në një skemë të koordinuar veprimi, ku procedurat e prokurimeve publike, sipas SPAK, janë orientuar në mënyrë të qëllimshme drejt operatorëve të paracaktuar.
“Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal të drejtuar nga shtetasi Ergys Agasi, janë përfshirë në një skemë të mirëorganizuar me qëllim kontrollimin e procedurave të prokurimit të AKSHI-t, për krijimin e përfitimeve të padrejta materiale”, thuhet në vendimin për masat e sekuestros.
Arkat me para të Karçanajt

Ishte dita e fundit e dhjetorit të vitit 2024, kur shoferi i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Florian Bylyku, u urdhërua të transportonte rrobat e shefes së tij nga rruga e Kavajës tek një apartament në afërsi të zonës së “Air Albania”.
Në dokumente, ashtu siç tha Kryeministri Edi Rama, Karçanaj jetonte me qira, falë një kontrate të nënshkruar për 600 euro në muaj. Por prokurorët thonë se kontrata është fiktive dhe kanë ngritur dyshimet se në fakt apartamenti i përket drejtoreshës së AKSHI-t.
“Karçanaj e ka poseduar efektivisht apartamentin që përpara se të nënshkruante kontratën e qirasë, duke nënkuptuar arsyeshëm se kontrata e qirasë është fiktive dhe është kryer në mashtrim të ligjit, me qëllim fshehjen e faktit që kjo banesë është blerë me qëllimin e vetëm për t’u përdorur nga e hetuara Karçanaj” – thuhet në vendimin e sekuestrimit.
Kjo pronë është blerë për 370 mijë euro nga shoqëria “Fortis Beton CO”, e lidhur me biznesmenin Orest Sota, i cili në deklarimet e tij para hetuesve ka pohuar se kishte marrëdhënie miqësore me të hetuarin Ergys Agasi. Megjithatë, çmimi i blerjes rezulton dukshëm më i ulët se vlerësimi zyrtar i mëparshëm, i cili në vitin 2021 arrinte në rreth 485 mijë euro, duke ngritur dyshime mbi mënyrën e realizimit të transaksionit.
Më pas, apartamenti iu dha me qira ish-drejtoreshës Mirlinda Karçanaj për një shumë të pazakontë prej vetëm 600 euro në muaj. Sipas SPAK, karakteri fiktiv i kësaj marrëdhënieje del në pah nga analiza e tabulateve telefonike, të cilat tregojnë se Karçanaj banonte në këtë apartament përpara se të nënshkruhej kontrata e qirasë, si dhe nga dëshmitë e pronarit të “Fortis Beton CO”, Orest Sota.
Ky i fundit ka deklaruar në prokurori se apartamenti ishte dhënë me një çmim të favorshëm për shkak të njohjes dhe miqësisë me Ergys Agasin.
“Kam vendosur këtë si vlerë minimale për t’i bërë nder Ergys Agasit” – tha prokurorëve Sota, duke justifikuar çmimin me miqësinë që kishte me Agasin.
Hetimet zbuluan se me të njëjtin mekanizëm janë përfituar edhe prona të tjera nga drejtoresha e AKSHI-t.
Edhe një apartament me sipërfaqe 73.5 m², i ndodhur në rrugën “Kavajës”, ka kaluar nëpër një zinxhir transaksionesh të dyshimta.
Në vitin 2017, kohë kur Karçanaj kishte disa vite në drejtimin e institucionit, apartamenti u ble nga shtetasi Rafael Bistri për vlerën e 78 mijë eurove. Dy kompani, njëra prej të cilave është pjesë e hetimit të procedurave të manipuluara të tenderave të AKSHI-t, i huazuan pa asnjë interes, në të njëjtën ditë, 80 mijë euro.
Disa muaj më vonë, Rafael Bistri e shet këtë pasuri për vetëm 48,000 euro tek shtetasja Enxhi Shima, motra e Daniel Shimës, sërish një prej të pandehurve të SPAK për aferën me AKSHI-n.
Ndërsa një vit më pas, kjo e fundit ia ka kaluar apartamentin Gjenovefa Ilia Karçanaj, nënës së Mirlinda Karçanajt, për një shumë rreth 50,000 euro.
Hetimet e prokurorisë tregojnë se vlera reale e apartamentit përllogaritet rreth 160,000 euro, çka sugjeron se një pjesë e konsiderueshme e shumës është paguar jashtë sistemit bankar, në formë “cash” dhe e padeklaruar në aktet noteriale.
Në deklarimet e tij përpara hetuesve, Rafael Bistri ka pretenduar se nuk mban mend rrethanat e blerjes, vlerën apo edhe vetë pasurinë. Sa i përket huadhënësve, ai është shprehur se emrat e tyre i kishte dëgjuar në tavolina, në praninë e shtetasit Ermal Beqirit, pa dhënë shpjegime konkrete mbi marrëdhënien me ta.
Kjo ka çuar në dyshime të SPAK-ut se kjo pasuri mund të jetë produkt i drejtpërdrejtë i veprës penale të korrupsionit pasiv nga shtetasja Mirlinda Karçanaj, e cila dyshohet se ka përdorur persona të tretë për të fshehur origjinën e fondeve dhe për të mundësuar transferimin e pasurisë në rrethin familjar të saj.
Të tilla dyshime të SPAK-ut bien ndesh me qëndrimin e kryeministrit Rama, për të cilin ish-drejtoresha Karçanaj jetonte në shtëpi me qira.
“Linda Karçanaj, e cila sot është në masë sigurie në një shtëpi me qira, ku jeton pasi ka jetuar deri pak vite më parë në shtëpinë e prindërve, në një apartament që ishte i kohës së komunizmit,” – thoshte Rama vetëm pak muaj pasi Karçanaj ndodhej nën masën e “arrestit në shtëpi”.
Lista e aseteve të dyshuara si të lidhura me përfitime korruptive përfshin gjithashtu një ullishte prej 1,500 metrash katrorë në Sauk, e cila fillimisht është blerë nga nëna e Karçanajt dhe më pas është kaluar në rrugë trashëgimie, si dhe një automjet luksoz “Volkswagen Tiguan” që përdorej prej saj. Ky mjet, sipas hetimeve, ka qarkulluar mes kompanive të lidhura me sektorin e IT-së si “Forensic Lab” dhe punonjësve të “Soft & Solution”.
Në mënyrë të ngjashme me rastin e pasurive të paluajtshme, edhe vlera e automjetit rezulton të ketë pësuar ulje të ndjeshme në transaksione të dyshuara si fiktive, duke kaluar nga rreth 39 mijë euro në blerjen fillestare në vetëm 9 mijë euro gjatë rishitjes te bashkëshorti i Karçanajt, çka sipas hetuesve forcon dyshimet për manipulim të qëllimshëm të çmimeve.
Ndërsa dosja hetimore, përveçse shtëpive dhe llogarive bankare, ngre dyshime të arsyeshme se ish-drejtoresha e AKSHI-t ka përfituar shuma të mëdha korruptive “cash”.
Nga vartësi i saj, Daniel Shima, drejtoresha e AKSHI-t dyshohet se ka përfituar rreth 200,000 euro.
“Në disa raste ka marrë ‘kuti të verës’ të mbushura me kartëmonedha EUR të prerjeve 100, 200 dhe 500, si dhe ka përfituar nga persona të tjerë të lidhur me shtetasit Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi, ku përmendim blerjen e tre pasurive, dy në Tiranë dhe një në Qerret” – shkruhet në vendimin gjyqësor.
Një tjetër banesë, këtë herë në zonën e Qerretit, duket se është përfituar përmes një zinxhiri ndërmjetësish që përfshin emra të tretë.
Në dokumente nuk përmendet askund emri i Mirlinda Karçanajt, por duket se nga lëvizjet e shpeshta të ish-drejtoreshës, më së shumti e kanë “pësuar” shoferët e saj.
“Mirlinda ka ndejtur në këtë shtëpi deri në muajin gusht të vitit 2025 dhe në gusht unë e kam marrë bashkë me rrobat dhe i kam sjellë në Tiranë, dhe rrobat i kemi lënë te shtëpia e saj te rruga e Kavajës” – ka dëshmuar shoferi i Karçanajt.
Në vitin 2019, apartamenti rezulton në pronësi të Enxhiana Alimeta, punonjëse e kompanisë “Soft & Solution” në pronësi të Ermal Beqirit, krahu i djathtë i Ergys Agasit, po ashtu nën hetim nga SPAK.
Vila më pas shitet tek një person tjetër, i quajtur Ram Basha, i cili, sa ka deklaruar, as që ka dijeni se ku ndodhet vila, porse blerjen e ka bërë me paratë e shtetasit Sokol Parllaku.
“As nuk e di fare se kush është shitësi apo shitësja dhe as e kam takuar kurrë në jetën time. As emrin e noterit nuk e mbaj mend apo ta di se ku është… As nuk e kam idenë… Siç ju thashë, as në Durrës nuk kam qenë ndonjëherë në jetën time, e jo më në Qerret.” – ka deklaruar Basha.
Hetuesit dyshojnë se të dy këta persona nuk kanë qenë përfitues realë, por janë përdorur si mbajtës formalë të pronës, ndërsa nga hetimet rezulton se pasuria është përdorur në praktikë nga ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Edhe dëshmitë e administratës së kompleksit dhe të personave të përfshirë në mirëmbajtje konfirmojnë praninë dhe përdorimin e saj në këtë banesë gjatë periudhës së hetuar.
Pishinë peshkaqenësh

Krahas dyshimeve për fshehjen e pasurive të Karçanajt, hetimi i SPAK evidenton edhe një mekanizëm më të gjerë të dyshuar për përfitime të paligjshme, i cili, sipas prokurorisë, drejtohej nga biznesmeni Ergys Agasi.
Sipas akuzës, Agasi dyshohet se, duke shfrytëzuar lidhjet e tij të ngushta me ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, përcaktonte fituesit e tenderave të fondeve publike.
Projekti “Smartlab 2”, i Ministrisë së Arsimit për vendosjen e kompjuterëve nëpër 200 shkolla në vend, është diskutuar pikërisht nga Agasi, i cili më pas detyroi edhe nënshkrimin e kontratave të konsulencës, që SPAK dyshon se janë pagesa që ai përfitoi për të zgjedhur fituese kompaninë AESS “Sh.P.K”.
Migena Schroeder u tregoi prokurorëve se në thelb procedura përbënte një “shkëmbim korruptiv” në territorin e rrjetit kriminal.
Ende pa u shpallur procedura tenderuese, Daniel Shima, që aso kohe mbante detyrën e zv.drejtorit të AKSHI-t, shkon në zyrën e një prej kompanive konkurrente për të “fiksuar” marrëveshjen.
Drejtuesit e AKSHI-t duket se interesoheshin edhe për imazhin e mirë dhe për këtë arsye ishte zgjedhur pikërisht kompania e Migena Schroeder, e cila kishte një kontratë ekskluzive të fibrave optike nga një kompani amerikane.
“Danieli më thotë që ky projekt është caktuar që do të realizohej nga shoqëria ‘Albascan’ dhe se për këtë arsye duhet të takohesha me përfaqësues të kësaj shoqërie, shtetasin Elision Jorgji” – i tha Migena Schroeder prokurorëve mbi procedurat e ndjekura të tenderave për këtë projekt.
Pak ditë më vonë, Migena u takua me Jorgjin, i cili i komunikoi ndryshimet në “kontrollin e situatës”.
“Më erdhi në zyrë shtetasi Elision Jorgji, i cili më tha që shtetasi Daniel Shima nuk do të ishte më përgjegjës për çfarë ndodhte në AKSHI dhe se tashmë gjërat i kishte marrë në dorë një shtetas me emrin ‘Gysi’.”
Po ashtu, Jorgji i sugjeroi edhe kalimin e fondeve nëpërmjet llogarisë së saj dhe shpërndarjen e tyre përmes faturave të fragmentuara në shifra më të vogla, një praktikë e njohur për shpërndarjen e shumave të mëdha në mënyrë që të shmanget gjurmimi i drejtpërdrejtë.
Biseda mes dy zbatuesve të projektit “Smartlab 2” nuk shkoi mirë dhe Migena kërkoi një takim me drejtoreshën e AKSHI-t për “pazaret” që ajo po detyrohej të kryente. Por në vend të gjetjes së një zgjidhjeje, Migena është sugjeruar të takonte Ermal Beqirin, i cili ishte ofruar për të “zgjidhur historinë”.
“Ermali më tha që duhet të kisha parasysh që këto lekë nuk ishin të miat dhe se prandaj më kishte thënë që kisha hyrë ‘në një pishinë peshkaqenësh’, por se ai kishte projekte të tjera dhe mund të bashkëpunoja me të në vijim për projekte të tjera.”
Ndër të tjera, Schroeder pranon se ka kërkuar NIPT-in e “EA Solution” dhe ka ndjekur direktivat e Beqirit, pasi është ndjerë e presionuar.
“Këtë gjë e bëra pasi u ndjeva e presionuar dhe mu duk sikur nuk kisha më asgjë në dorë se çfarë mund të bëja për këtë çështje; mund të prisja çdo lloj rreziku personal ndaj meje dhe shoqërisë dhe prandaj unë pranova.” – ka thënë ajo para SPAK.
Subjekti AESS SHPK ka nënshkruar një kontratë me kompaninë “EA Solution” për shërbime projektimi, konsulence dhe trajnimi në fushën e teknologjisë dhe telekomunikacionit. Një kontratë që kushtoi rreth 1 milion euro, për shërbime që hetimet tregojnë se kompania e Agasit nuk mund t’i ofrojë.
Hetimet e SPAK tregojnë se Agasi ka ngritur kompaninë “EA Solution” sh.p.k. si një strukturë ndërmjetëse me rol fiktiv në qarkullimin e fondeve. Kjo shoqëri, sipas hetuesve, ka shërbyer si kanal për mbledhjen dhe shpërndarjen e pagesave të dyshuara si ryshfet nga kompanitë që fitonin tenderat publikë.
Në këtë mënyrë, “EA Solution” përshkruhet në dosjen hetimore si një hallkë kyçe në skemën financiare të dyshuar, ku kontratat dhe shërbimet e deklaruara nuk pasqyronin aktivitet real ekonomik, por përdoreshin për të justifikuar transferime të mëdha fondesh me origjinë nga prokurimet publike.
Një organizim në detaj, çka mundësonte një trajektore të përcaktuar nga dalja e parave nga buxheti i shtetit përmes tenderave dhe rikthimi i tyre tek personat e lidhur me vendimmarrjen, të maskuara si pagesa të ligjshme. Në thelb, paratë thjesht ricikloheshin për të përfunduar në duart e një grupi të ngushtë personash me pushtet.
Sipas hetimeve të SPAK, Mirlinda Karçanaj dhe vartësit e saj “kopsisnin” procedurat e prokurimeve, duke shpallur fitues të paracaktuar kompani të lidhura me biznesmenin Agasi. Më pas, pasi siguronin kontratën, kompanitë hynin në një cikël pagesash të dyshimta drejt shoqërisë “EA Solution”.
Verëra luksi dhe tendera publikë…
Në garazhin e një banese pranë zonës së vilave qeveritare në Durrës, një kontroll i beftë i oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit nisi me pritshmëri krejt të tjera. Kasafortat bosh, pa para dhe pa dokumente. Por ajo që u shfaq në vend të tyre ishte një tjetër tablo: arka druri të rreshtuara me kujdes, të mbushura me shishe vere dhe shampanje të shtrenjta. Një “qilar” luksi që, sipas hetuesve, vlente më shumë se vetë prona ku ishte vendosur.
Mes provave të sekuestruara, një detaj i vogël u kthye në pikënisjen e një zinxhiri të gjatë hetimesh: një faturë transporti për kompaninë “Fast & Fresh”, e adresuar në emrin e Arjola Koromanit. Në pamje të parë, një dërgesë rutinë. Në realitet, një gjurmë që do të lidhte biznesin e verërave me një rrjet më të gjerë kompanish të përfshira në tendera publikë.
Me verifikimet që pasuan, hetuesit zbuluan se “Fast & Fresh”, në pronësi të biznesmenit Andis Papa, ishte një aktor i përsëritur në kontrata publike të lidhura me AKSHI-n, institucion tashmë nën lupën e SPAK. Të dhënat doganore treguan një tjetër dimension: mbi 1.1 milion euro importe verërash dhe shampanjash të kategorisë së lartë në më pak se dy vjet. Një volum që, sipas prokurorisë, e tejkalon shumëfish një konsum normal tregtar.
Lidhjet u bënë edhe më të qarta kur dokumentet fiskale treguan qarkullime të mëdha financiare mes “Fast & Fresh”, “Fastech” dhe “Soft & Solution”, kompani të lidhura me të njëjtin rreth biznesi. Në të njëjtën kohë, një kontroll tjetër në një pronë të lidhur me Ergys Agasin në “Equos Resort” nxori sërish të njëjtin element: shishe vere dhe shampanje të ngjashme me ato të importuara nga rrjeti i Papës.
Në këtë pikë, hetimi ndryshon ton. Verërat nuk duken më si mallra luksi, por si një gjuhë e dytë transaksionesh. Sipas SPAK, porositë për këto produkte janë kryer kryesisht nga Arjola Koromani për llogari të “Soft & Solution”, ndërsa pagesat kanë lëvizur mes transfertave bankare dhe parave “cash”, në varësi të rastit dhe likuiditetit.
Andis Papa, në deklarimet e tij, ka këmbëngulur se produktet janë shitur pa fitim, me çmimin e blerjes. Por për hetuesit, kjo logjikë nuk i ngjan një tregu normal. Përkundrazi, ajo sugjeron një marrëdhënie të ngushtë, jashtë standardeve tregtare, ku mallrat nuk ndjekin rrugën e fitimit, por të shërbimit.
SPAK ka ndërtuar një dyshim se rreth 950 mijë euro verëra dhe shampanja mund të mos jenë thjesht luks i konsumuar, por një formë e kamufluar përfitimi korruptiv. Një sistem ku tenderat nuk përkthehen vetëm në kontrata dhe para, por edhe në arka druri të mbushura me shishe vere, si pagesa të heshtura në një ekonomi që nuk shfaqet në bilancet zyrtare.
Sipas dokumenteve, këto pagesa justifikoheshin si shërbime konsulence, projektimi apo trajnimi në fushën e teknologjisë. Por sipas gjetjeve hetimore, kompania “EA Solution” nuk disponon asnjë kapacitet për ofrimin e këtyre shërbimeve, të cilat në fakt kryheshin nga një tjetër kompani, ajo e bashkëpunëtorit më të ngushtë të Agasit, Ermal Beqiri, pronari i “Soft & Solution”.
“Argumenti kryesor i këtij kualifikimi qëndron në fiktivitetin absolut të shërbimit të faturuar: ndërkohë që ‘EA Solution’ ka prerë fatura në vlera jashtëzakonisht të larta drejt operatorëve ekonomikë (si ‘Fastech’, ‘First’, AESS, ‘Soft & Solution’ etj.), hetimi ka dokumentuar se kjo shoqëri nuk zotëron asnjë kapacitet teknologjik apo burim njerëzor për të përmbushur objekte të tilla kontrate. Evidentimi i faktit se fiktiviteti i shërbimeve të faturuara realizohej de facto dhe në tërësi nga shoqëria ‘Soft & Solution’ sh.p.k. provon marrëdhënien kontraktore, duke e zhveshur transaksionin nga çdo shkak i ligjshëm tregtar dhe duke e cilësuar atë si një transfertë të përfitimit të parregullt me natyrë korruptive” – shprehen organet e hetimit.
Për një periudhë 2-vjeçare, vetëm nga kompanitë “Soft & Solution”, “First” sh.p.k. dhe “Fastech” sh.p.k., në kompaninë e Ergys Agasit “EA Solution” është kredituar shuma prej 619,442,984 lekësh, rreth 6.2 milionë euro, nëpërmjet faturimeve.
Hetimet ndaj zyrtarëve të AKSHI-t dhe rrjetit të biznesmenëve nisën pas një ngjarjeje të rëndë: rrëmbimit mafioz të biznesmenit Gerond Meçe më 12 gusht 2025, i cili u detyrua të tërhiqej nga një sërë ankesash që kishte bërë ndaj tenderave të AKSHI-t.
Zbardhja e kësaj pengmarrjeje nxori në dritë një ndërthurje shqetësuese mes krimit të organizuar dhe institucionit përgjegjës për shërbimet digjitale të shtetit. Për më shumë se dhjetë vite, AKSHI ka administruar fonde të konsiderueshme, ndërsa vetëm për 19 procedura të hetuara nga SPAK është përllogaritur një fond limit prej rreth 5.9 miliardë lekësh (afërsisht 59 milionë euro).
Sipas hetimeve, drejtoresha Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi, dyshohet se ua kishin lënë në kontroll këto fonde një grupi të lidhur me krimin e organizuar, duke paracaktuar fituesit e tenderave dhe duke mundësuar devijimin e dhjetëra milionë eurove drejt llogarive të biznesmenit të IT-së dhe ish-funksionarit Ergys Agasi.
Ndaj tyre rëndojnë akuza të parashikuara nga katër nene të Kodit Penal, konkretisht për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” si dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.



























