Rreth 2 milionë euro dyshohet se u janë marrë të paktën 13 shtetasve francezë përmes një skeme të mirëorganizuar mashtrimi me investime të rreme në kriptomonedha. Sipas hetimeve, aktiviteti operonte nga një call center në Tiranë dhe lidhet me një grup të strukturuar kriminal me shtrirje ndërkombëtare.
Hetimi nisi pas një informacioni nga autoritetet franceze, konkretisht Prokuroria e Pau-së, ku ishin depozituar disa kallëzime nga qytetarë që kishin humbur shuma të konsiderueshme pasi ishin kontaktuar nga persona që prezantoheshin si këshilltarë financiarë.
Në bashkëpunim me palën franceze, SPAK ka gjurmuar lëvizjet e fondeve në rrjete kriptovalutash, duke identifikuar një zinxhir portofolesh digjitale të lidhura me persona të ndryshëm, përfshirë edhe shtetas shqiptarë. Këta të fundit dyshohet se kanë hapur dhe administruar portofolë përmes të cilëve janë kanalizuar paratë e viktimave drejt organizatorëve.
Sipas hetimeve, qytetarët udhëzoheshin të investonin në platformën “universaltrade.io”, e cila paraqitej si faqe tregtimi kriptomonedhash, por në fakt shërbente për përvetësimin e fondeve.
Byroja Kombëtare e Hetimit ka marrë në pyetje disa punonjës të call centerit, dëshmitë e të cilëve kanë çuar në identifikimin e organizatorit të dyshuar, Gentian Pjetergjoka. Ai është arrestuar si personi që menaxhonte hapjen e portofoleve digjitale dhe transferimin e parave të përfituara nga mashtrimi.
Operacioni i zhvilluar më 22 prill 2026 përfshiu kontrolle në një call center në Tiranë dhe në katër banesa. Gjatë tyre u sekuestruan pajisje elektronike, telefona, dokumente, vula subjektesh, dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, si dhe katër “cold wallets”.
Autoritetet sekuestruan gjithashtu një automjet luksoz, pajisje për numërimin e parave dhe shuma në valuta të ndryshme, me një vlerë totale rreth 5 milionë lekë, si dhe rreth 50 mijë euro cash të gjetura në ambiente të ndryshme.
Sipas SPAK, dëmi i dokumentuar ndahet në dy grupe: katër shtetas francezë me humbje rreth 845 mijë euro dhe nëntë të tjerë me rreth 1.1 milionë euro, duke e çuar totalin në afro 2 milionë euro për periudhën shkurt-maj 2023.
Hetimet tregojnë se viktimat kontaktoheshin nga agjentë që përdornin identitete të rreme franceze dhe komunikim bindës profesional, duke i joshur me fitime të shpejta nga investimet në kripto.
Skema funksiononte në mënyrë të strukturuar, me ndarje rolesh mes agjentëve, administratorëve të platformave dhe personave që merreshin me transferimin e kriptomonedhave dhe pastrimin e parave. Hetimet vijojnë për identifikimin e plotë të rrjetit.
Në kuadër të operacionit është ndaluar edhe një punonjës policie, August Berberi, me detyrë në Komisariatin Nr. 1 në Tiranë, për të cilin po verifikohet roli i mundshëm në këtë aktivitet ose neglizhenca në hetimet paraprake.
Autoritetet shqiptare dhe franceze e konsiderojnë këtë një nga rastet më të sofistikuara të mashtrimit me kriptomonedha, ndërsa hetimet mbeten të hapura dhe priten masa të tjera ndaj personave të përfshirë.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.


























