Gjykata e Lartë ka vendosur rikthimin për rigjykim në Gjykatën e Posaçme të dosjes që lidhet me sekuestrimin e pasurive të ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro.
Vendimi i marrë më 23 prill erdhi pas rekursit të paraqitur nga mbrojtja, e cila kundërshtonte vendimet e mëparshme të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në pjesën që lidhej me konfiskimin e pasurive të paluajtshme. Sipas vendimit, çështja do të rigjykohet nga një trup tjetër gjykues në Gjykatën e Posaçme.
Paralelisht me këtë zhvillim, Jorgo Goro është rikthyer në qeli pas vendimit të Apelit të GJKKO, i cili la në fuqi dënimin e tij me burg për çështje të tjetërsimit të pronave. Ai u vetëdorëzua në Komisariatin e Vlorës, ku iu ekzekutua masa “arrest me burg”.
Goro është shpallur fajtor për tjetërsimin e një prone në zonën e Livadhës, ndërsa dënimi fillestar prej 2 vitesh është ulur në 1 vit e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Sipas SPAK, pas llogaritjes së kohës së paraburgimit, atij i mbeten edhe rreth 6 muaj e 10 ditë për të vuajtur.
Më herët, ai ka vuajtur edhe një dënim tjetër prej 17 muajsh burg për tjetërsimin e një sipërfaqeje toke në Gjilekë, ndërsa hetimet ndaj tij përfshijnë disa raste të tjera të dyshuara për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
Sipas SPAK, në bashkëpunim me zyrtarë lokalë dhe të Kadastrës, Goro dyshohet se ka lejuar kalimin e pronave shtetërore në duar private përmes dokumenteve të falsifikuara. Në disa prej këtyre rasteve përmenden edhe sipërfaqe toke në zona bregdetare si Livadhja dhe Gjipja, të cilat janë bërë pjesë e hetimeve dhe sekuestrimeve.
Aktualisht, ndaj ish-kryebashkiakut vijojnë disa procese gjyqësore, ndërsa një pjesë e dosjeve të pasurive të sekuestruara pritet të rigjykohet në Gjykatën e Posaçme.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.



























