GJKKO vendos rikthimin në burg të Jorgo Goros

Ish-kryebashkiaku i Himarës, i dënuar për shpërdorim detyre dhe i përfshirë në çështje për tjetërsim pronash në bregdet, humbet kërkesën për shtyrje të dënimit dhe pritet të vuajë pjesën e mbetur të burgut pas kërkesës së SPAK.

291
Jorgo Goro
Credits: shteg.org - Jorgo Goro

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur sot të rrëzojë kërkesën e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, duke lënë në fuqi kërkesën e SPAK për rikthimin e tij në qeli.

Në vendimin e shpallur nga gjyqtarja Etleva Deda, gjykata argumenton se kërkesa e të dënuarit nuk mbështetet në prova dhe në ligj.

“Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, bazuar në nenin 476 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 258, datë 05.05.2026, vendosi: Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit, të dënuarit Jorgo Goro, me objekt: ‘Shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit nr. 53, datë 30.07.2025’, si të pambështetur në prova dhe ligj”, thuhet në vendim.

Pas këtij vendimi, mbetet në fuqi kërkesa e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila kërkon rikthimin e Goros në burg për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Sipas SPAK, ish-zyrtarit i kanë mbetur rreth 6 muaj e 10 ditë burg për të shlyer.

Goro u lirua më 29 gusht 2025, ndërsa më 25 mars të këtij viti Gjykata e Apelit la në fuqi dënimin me 2 vite burg për çështjen e tjetërsimit të një prone në zonën e Livadhës.

Fillimisht, më 30 korrik 2025, Goro u dënua me 2 vite burg për shpërdorim detyre të kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim, dënim i cili u reduktua në 1 vit e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Po ashtu, atij i është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike për 5 vite dhe i është sekuestruar një apartament.

Goro është përfshirë në disa hetime të SPAK lidhur me skema të dyshuara të tjetërsimit të pronave në bregdet, përfshirë edhe çështje që lidhen me dokumente të falsifikuara dhe kalim pronash shtetërore.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.