Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, është rikthyer në qeli pasi Apeli i Posaçëm i Gjykatës Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) la në fuqi vendimin për dënimin e tij me burg.
Goro u vetëdorëzua në Komisariatin e Vlorës, ku u ekzekutua masa “arrest me burg”. Ai ishte shpallur fajtor për tjetërsimin e një prone në zonën e Livadhës, një çështje për të cilën ishte dënuar edhe nga Shkalla e Parë. Dënimi fillestar prej 2 vitesh u reduktua në 1 vit e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Sipas SPAK, pas zbritjes së kohës së kaluar në paraburgim, ish-kryebashkiakut i mbeten edhe 6 muaj e 10 ditë për të vuajtur.
Më herët, Goro kishte kryer 17 muaj burg nga një tjetër dënim prej 2 vitesh e 20 ditësh, që lidhej me tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 10 mijë metrash katrorë tokë në zonën e Gjilekës, në Himarë.
Ai u gjend fajor për akuzat “shpërdorim detyre” të kryer në mënyrë të përsëritur, në lidhje me kalimin e një sipërfaqeje toke në Livadh në pronësi të Arqile Bollano, ish-zyrtar i Bashkisë Himarë.
Hetimet për këtë rast nisën pas kallëzimit të Fredi Beleri, i cili pretendon se në vitin 2016, Goro ka tjetërsuar në mënyrë të paligjshme 4,263 metra katrorë tokë.
Sipas SPAK, kjo nuk është çështja e vetme ndaj tij. Goro dyshohet se, në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës, ka falsifikuar dokumente për të kaluar prona shtetërore në duar private.
Në këtë skemë përmendet edhe një shoqëri e lidhur me Artan Gaçi, bashkëshorti i deputetes socialiste Olta Xhaçka, i cili ka përfituar statusin e investitorit strategjik.
Hetimet kanë zbuluar raste të dokumentuara ku tokat bujqësore janë regjistruar me dokumente të falsifikuara, duke kaluar fillimisht te persona të tretë dhe më pas te kompani private. Një prej këtyre rasteve përfshin edhe një sipërfaqe prej 10 mijë metrash katrorë në plazhin e Gjipesë, tashmë e sekuestruar nga GJKKO.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.

























