Shqipëria, para të pista

Në dokumentarin investigativ të emisionit “PresaDiretta”, të levizionit italian RAI3 ngre shqetësime për mënyrën si qarkullojnë dhe investohen paratë në ekonominë shqiptare. Nga kantieret e ndërtimit në Tiranë te rrjetet e dyshuara të krimit dhe korrupsionit.

500
Tirana 2030
Credits: shteg.org - Tirana 2030

Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë, janar 2026. Nëse ka një karakteristikë që bie në sy që në shikimin e parë, është prania e kantiereve të ndërtimit pa fund. Megjithatë, ky horizont modern, siç tregojnë të gjitha hetimet e skuadrës së përbashkët hetimore midis prokurorëve italianë dhe shqiptarë, fsheh një anë të errët.

Le të marrim një shembull, kjo kërkon 100 mijë euro, me standartin tonë të të jetuarit do ishte e pamundur ta arrije nuk ka para” u shpreh ekonomisti Pano Soko.

“Ne thjesht nuk i kemi paratë të investojmë në këtë sektor. Këtu në Shqipëri paga mesatare është rreth 800 euro. E gjitha shkon për ushqim dhe shpenzime mujore. Nuk ka asnjë mundësi të kursesh para dhe ti riinvestosh” – shton ai.

Pano Sokon, një ekonomist e takuam përpara ndërtesës “Expozita”, një ndërtesë 93 metër e lartë në qendër të Tiranës, ndërtimi i së cilës gati po përfundon. Pasi të mbarojë, do ketë dyqane, shtëpi dhe restorante.

Djali i sipërmarrësit që e zhvilloi këtë projekt është në kërkim nga SPAK për trafik droge dhe kjo ndërtesë pëfaqëson pikërisht një biznes që ushqehet nga paratë e dyshuara dhe përkthehet në pastrim parash.

Le të themi që ke 1 milione euro, çfarë do bësh me to? Mund të shkosh në banka offshore, por është një veprimtari shumë e kushtueshme. Nuk i merr dot te banka, kështu që çfarë bën?

Gjen një mënyrë për ti investuar. Paratë pastrohen duke ndërtuar qiellgërvishtëse si këto dhe apartamente. Në këtë mënyrë, paraja mund të qëndrojë këtu me dëshirën që çmimet e apartamenteve të jenë të qëndrueshme, ose më mirë, të rritjen. Shumë qytete Shqiptare, si Durrësi dhe Shkodra kanë përjetuar rritje të paimagjinueshme nga pastrimi i parave të dyshuara.

Zef Preçi
Credits: Facebook i Zef Preçit

Jemi në qendër të Sheshit Skëderbeg, ku takuam Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike dhe ish-ministër i ekonomisë.

“Ekonomia jonë është e vogël, me një volum prej rreth 25 miliardë euro PBB në vit. Në 5 ose 6 vitet e fundit kemi konstatuar 4.7 miliardë euro që qarkullojnë jashtë kanaleve bankare. Kjo do të thotë se futja e parave të pista në ekonomi është vërtetë shumë e lartë dhe grumbullimi i burimeve financiare në duart e segmenteve të krimit të organizuar është aq i madh, sa ata po përpiqen të investojnë në aktivitetete më fitimprurëse, si rrokaqiejt dhe ndërtesat, siç mund ta shihni nga këtu. Ndërtimi mbetet padyshim një nga sektorët më të dukshëm dhe njëkohësisht pa asnjë lidhje me kërkesën e tregut.

Në 15 vitet e fundit Tirana është rritur vetëm me rreth 1000 banorë të rinj, që do të thotë se vetëm një numër i kufizuar njerëzish përfitojnë dhe, në njëfarë mënyre, kjo mund të quhet më shumë një investim likuiditeti sesa një investim i justifikuar nga pikëpamja ekonomike. Sipas disa raporteve, më shumë se 60 kompani që investojnë në këtë sektor nuk kanë asnjë CV, nuk kanë asnjë përvojë të mëparshme në sektorin e ndërtimit. Shumë kompani nuk kanë kapital të mjaftueshëm për të investuar. Ndodh që një kompani me një xhiro vjetore prej 1 milion eurosh të investojë në një ndërtesë prej 50 apo 70 milionë eurosh,” thotë Zefi.

Albanian Investigative Journalist, Lindita Çela
Credits: Lindita Çela

Në zyrën e “shteg.org” takuam drejtuesen dhe gazetaren e pavarur Lindita Çela. Këtu kanë analizuar të gjitha lejet e ndërtimit ku kompanitë kanë investuar dhe me çfarë kapitali kanë investuar.

Dhe ja cfarë është shfaqur.

“Kompanitë kryesisht mbajnë marrdhënie me njerëz të lidhur me politikanë apo edhe figura të krimit të organizuar. Korrupsioni është problemi kryesor në Shqipëri” – thotë gazetarja Lindita Çela.

“Sot konstatojmë se e gjithë administrata, deri në nivelet më të larta, është e përfshirë në raste korrupsioni. Kemi dy zëvendëskryeministra të akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash. Kemi një kryetar bashkie të arrestuar dhe të akuzuar për vepra penale të lidhura me korrupsionin dhe pastrimin e parave. Ka dhjetëra kryetarë bashkish, dhjetëra drejtorë të nivelit të lartë të institucioneve që janë nën hetim për korrupsion. Një valë arrestimesh për korrupsion që nuk kursen as nivelet më të larta të qeverisë aktuale të Edi Ramës” – shpjegon gazetarja.

Rasti më i fundit, më 26 shkurt, është ai i Belinda Ballukut, zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës, krahu i djathtë i Edi Ramës. Ajo përfundoi nën objektivin e SPAK, me akuzën se kishte shkelur procedurat e disa tenderëve publikë.

Vladimir Mara, prokuror i SPAK, konfirmon seriozitetin e fenomenit.

“Kemi zbuluar se elementë të krimit të organizuar kanë bashkëpunuar me segmente të ndryshme të institucioneve shtetërore, me anëtarë të forcave të rendit, oficerë të tjerë të policisë, funksionarë komunalë, prokurorë, gjyqtarë, një rrjet kontakti që favorizon aktivitetet e tyre.” – thotë prokurori.

Por si veprojnë organizatat kriminale këtu në Shqipëri?

Xhevdet Troplini
Credits: RAI – Xhevdet Troplini

Ata kanë arritur një nivel të lartë organizimi në fushën e trafikut të drogës dhe një zgjerim në nivel evropian e më gjerë. Janë qytetarë që kryesisht kanë rritur në vendet e Bashkimit Evropian, me njohuri të shkëlqyera të gjuhëve të huaja, aftësi të jashtëzakonshme komunikimi dhe njohuri teknologjike, dhe janë të fokusuar tek fitimi dhe të ardhurat e lehta”.

Durrësi, qytet port rreth 38 km nga Tirana, një nga destinacionet turistike më të rëndësishme shqiptare, ku ndërtohen rrokaqiej dhe resorte luksoze. Durrësi është gjithashtu bastioni i njërit prej bosëve më të njohur të krimit të organizuar shqiptar. Xhevdet Troplini, i njohur si Poja, xhaxhai i Elvis Doçit, kreu i nyjeve të kokainës në Breshia dhe i kërkuar nga prokuroritë italiane për aktivitet kriminal shqiptar. Por zemra e Durrësit është porti i tij, sot nën kontroll të klanit.

“Kontrolli i porteve është thelbësor për një grup kriminal, pasi lejon tranzitimin e sasisë së madhe të kokainës. Lufta për kontrollin e portit të Durrësit ka qenë shumë e ashpër mes grupeve kriminale. Ka pasur edhe vrasje të figurave të njohura që më parë kontrollonin portin, por në fund Xhevdet Troplini arriti ta marrë nën kontroll dhe, falë kontrollit të portit, arriti të krijojë lidhje shumë të forta me grupe të tjera kriminale. Xhevdet Troplini, i konsideruar si truri i gjithë organizatës, me kalimin e kohës ka shtrirë tentakulat e tij në politikë, duke krijuar një rrjet personalitetesh publike ose politike që e kanë mbështetur. Ai ka pritur vizita publike nga presidentë, kryeministra dhe figura të shquara. Ekzistojnë dyshime të bazuara se grupi kriminal Troplini ka mbështetur disa kandidatë në zgjedhjet e fundit parlamentare,” thotë gazetarja Klodiana Lala.

Ne guxojmë të hyjmë në fortifikimin e Troplinit, në periferi të Durrësit, dhe vëmë re një makinë që fillon të na ndjekë përgjatë rrugës. Shohim burra roje në çdo cep që mbikëqyrin lagjen. Prania e klanit në Durrës është shumë e fortë, ndihet kudo. Kjo është selia e Ovital, kompania familjare në pronësi të dy familjeve, dhe të shpërndara në gjithë qytetin ndodhen Trodo Caffè, një zinxhir baresh, emri i të cilëve është bashkimi i mbiemrave Troplini dhe Doçi.

Sali Berisha, ish-presidenti i Shqipërisë dhe ish-kryeminsitër është lideri i Partisë Demokratike. I akuzuar për korrupsion, ai është aktualisht nën gjykim. Sipas prokurorisë ai ka ndihmuar dhëndrin e tij në një transaksion të pronës së paluajtshme.

“Porti i Durrësit është një port i lirë. Po, është një port i lirë për kokainë dhe droga. Ky është porti i Durrësit. Ky port administrohet plotësisht nga karteli Troplini.

Troplini është më i fuqishmi ndër kartelet shqiptarë që merret me kokainë, me lidhje shumë të ngushta me klanet shqiptare në Amerikën Latine dhe Itali. 90% e kokainës të kapur në Itali vjen nga Shqipëria.

Këta kriminelë vendosin për ministrat, vendosin për deputetët. Këta kriminelë, këto klane, në zgjedhjet e fundit kanë pasur një listë me 28 deputetë. Ata janë sot deputetët më të panjohur dhe më të votuar në historinë e këtij vendi.

Njëri prej tyre që vjen nga Durrësi ka pasur 5,000 herë më shumë se Edi Rama kur ai kandidoi për këtë qytet.

Kam kërkuar publikisht që këto klane, të njohura si organizata terroriste, të trajtohen si të tilla. Ata po shkatërrojnë këtë vend, por Shqipëria paraqet një rrezik real për sigurinë e rajonit dhe më gjerë, për gjithë Europën” – thotë Berisha.

I pyetur nëse Shqipëria rrezikon të bëhet narko-shteti i parë i drogës në Europë, Berisha thekson: “Është bërë më parë, por me potencial shumë të lartë rreziku tipik të një narko-shteti”.


Shënim: Ky shkrim është marrur nga publikimi i RAI: https://youtu.be/D_VWYMTRMn0?si=pIKHi0DhJrZ3aRQt

iPhone 152x152 1
[email protected] | Website |  + posts

RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.