Nga rekrutimi i paligjshëm në polici tek plumbat në Rinas

Muçi Shaljani u punësua në mënyrë të paligjshme pa garë dhe pa verifikime nga ish-drejtues të AMP-së, ndërsa më 11 nëntor u vra në atentatin ku humbi jetën edhe Gilmando Dani.

433
GIlmando Dani
Credits: shteg.org - GIlmando Dani

Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim dy ish-zyrtarë të lartë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), të akuzuar për punësimin e paligjshëm të Muçi Shaljanit, i cili u vra në nëntor në atentatin e Rinasit, bashkë me Gilmando Danin.

Në bankën e të akuzuarve janë ish-drejtori i përgjithshëm i AMP-së, Artjol Saliasi, dhe drejtori i Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, Gëzim Sala, ndaj të cilëve rëndon akuza e “shpërdorimit të detyrës”.

Sipas hetimeve, punësimi i Shaljanit është kryer në kundërshtim të plotë me ligjin dhe procedurat që rregullojnë rekrutimin në AMP.

Punësim i kryer në heshtje, pa garë, pa verifikime dhe jashtë çdo procedure ligjore, të Muçi Shaljanit, ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën si funksionojnë mekanizmat e rekrutimit dhe kontrollit në një institucion kyç për mbikëqyrjen e policisë.

Prokuroria thotë se zyrtarët kanë anashkaluar të gjitha fazat e detyrueshme, duke përfshirë shpalljen e vendit vakant, konkurrimin, testimet dhe verifikimet e kandidatit.

“Të dy këta shtetas… kanë kërkuar mënyra të anashkalimit të Ligjit organik… ku janë përcaktuar qartë fazat… (asnjë prej këtyre fazave nuk është aplikuar)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Nga hetimet rezulton se gjithçka është kryer me shpejtësi të pazakontë. Nga data 9 shtator, kur është paraqitur kërkesa për punësim, deri më 16 shtator, kur janë lidhur marrëdhëniet financiare, kanë kaluar vetëm pak ditë.

Sipas organit të akuzës, procedura është justifikuar me argumentin e “nevojës emergjente”, por kjo është rrëzuar nga hetimet.

“Nga deklarimet… në asnjë rast nuk dokumentohet… ‘nevoja emergjente’… që tregon se asnjë prej strukturave nuk ka patur apo kërkuar rekrutim punonjësish për nevoja emergjente”, – thekson Prokuroria.

Edhe më problematik, sipas dosjes, është fakti se Shaljani është paguar rregullisht për gati dy muaj, pa u paraqitur asnjëherë në punë dhe pa kryer asnjë detyrë.

“Është paguar me rrogë të rregullt… pa u paraqitur asnjëherë në punë, apo zhvilluar ndonjë detyrë”, thuhet në dosje.

Ky fakt ngre dyshime jo vetëm për një punësim fiktiv, por edhe për një sistem që ka dështuar të verifikojë praninë dhe aktivitetin e punonjësve të tij.

Sipas Prokurorisë, dy ish-zyrtarët kanë qenë të vetëdijshëm për shkeljet që po kryenin, por kanë vijuar procedurën duke futur në strukturë një person pa asnjë verifikim real.

“Të pandehurit ishin të vetëdijshëm për procedurën ligjore dhe mungesën e kushteve… dhe futën në strukturë një person pa verifikim real dhe me dokumentacion të dyshimtë”, thekson organi i akuzës.

Hetimet kanë evidentuar jo vetëm shkelje të ligjit për punësimin, por edhe një dështim të mekanizmave të kontrollit brenda institucionit, që lejuan përfshirjen e një personi jashtë çdo standardi ligjor në një strukturë të ndjeshme si AMP.

Rekrutimi i Muçi Shaljanit dhe procedurat e dyshuara fiktive të rekrutimit të tij në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore shumë gjasë nuk do të ishin zbuluar, nëse ai nuk do të ishte bërë viktimë e atentatit të ndodhur në Rinas.

Ai u qëllua me armë zjarri bashkë me Gilmando Danin, në një sulm me breshëri kallashnikovi në rrethrrotullimin pranë aeroportit “Nënë Tereza”.

Shaljani, i njohur edhe me nofkën “Sheqeri”, u plagos rëndë dhe ndërroi jetë më pas në spital, pasi u godit me disa plumba, përfshirë edhe në kokë.

Vetëm pas vrasjes së tij, hetimet nisën të zbardhin mënyrën se si ai ishte futur në strukturat e AMP-së në kundërshtim flagrant me ligjin, pa asnjë procedurë konkurrimi apo verifikimi. Atentati ndodhi mesditën e 11 nëntorit, kur persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri automatiku ndaj automjetit ku ndodheshin Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani në rrethrrotullimin e Rinasit. Shaljani mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë pak orë më vonë në spital, ndërsa nga hetimet rezulton se ai u qëllua me dhjetëra plumba, përfshirë edhe goditje fatale në kokë. 

Kjo ngjarje e rëndë kriminale u kthye në pikënisjen e një tjetër hetimi, që nxori në pah jo vetëm rrethanat e atentatit, por edhe shkeljet e rënda në institucionet që duhet të garantonin ligjshmërinë.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.