Dënimi i fshehur në Greqi i kryebashkiakut dhe debatet mbi dekriminalizimin

SPAK zbulon mosdeklarimin e një dënimi penal nga kryebashkiaku i Kuçovës, ndërsa raportet evidentojnë problemet në zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe hetimet ndaj pushtetit vendor.

272
Pushtetarë nën hetim
Credits: shteg.org - Pushtetarë nën hetim/Ilustrim

SPAK i ka dërguar një dosje Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, e cila tregon se kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari, nuk kishte deklaruar një dënim në Greqi, në vitin 1999 për kalim të paligjshëm të kufirit.

Sipas dokumentit të përcjellë nga kryeprokurori i Posaçëm Klodjan Braho, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur më 25 janar 2024 dënimin me 9 muaj burg për Hajdarin për veprën penale “falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”.

SPAK sqaron gjithashtu se vendimi ka marrë formë të prerë më 5 korrik 2024, çka e vendos mandatin e tij në kushtet e shqyrtimit ligjor nga institucionet përkatëse.

Me këtë vendim, Hajdari u bë kryebashkiaku i pestë shqiptar, të gjithë nga Partia Socialiste në pushtet, që kapet duke mos deklaruar të dhënat e tij penale para kandidimit për një post publik.

Sipas një ligji të vitit 2015, i krijuar për të ndaluar personat e dënuar të mbajnë funksione publike, kandidatët zgjedhorë duhet të plotësojnë një formular dekriminalizimi, ku deklarojnë nëse janë dënuar apo jo ndonjëherë për një vepër penale. Paraqitja e një deklarate të rreme përbën në vetvete vepër penale.

Kreshnik Hajdari, i zgjedhur kryetar bashkie në vitin 2023, u favorizua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ-së, e cila nuk mori një vendim për përjashtimin e tij nga zgjedhjet për shkak të dënimit në shtetin grek.

Megjithatë, edhe pasi vendimi i dënimit në Greqi mbërriti zyrtarisht, KQZ rrëzoi kërkesën për shkarkim, dhe më pas çështja u bë objekt padish.

Fillimisht, KAS (Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve) vendosi prishjen e këtij vendimi dhe kthimin për rishqyrtim të çështjes nga Komisioni Zgjedhor, por Hajdari e ankimoi çështjen në Gjykatën Administrative të Tiranës, duke pranuar argumentin e mbrojtjes se ai nuk kishte qenë në dijeni për këtë dënim.

Sipas Institutit për Studime Politike me qendër në Tiranë, më shumë se 700 zyrtarë të lartë publikë, përfshirë deputetë, gjyqtarë, prokurorë dhe personel tjetër të administratës, kanë dhënë dorëheqjen ose janë shkarkuar për shkak të dënimeve të mëparshme penale që nga miratimi i ligjit.

Por, sipas kësaj organizate që monitoron zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe integritetin e funksionarëve publikë, gjatë vitit 2025 nuk janë pranuar 8 kërkesa për verifikimin e formularëve të vetëdeklarimit, që lidhen me 19 persona, për shkak të mungesës së kushteve dhe kritereve ligjore/procedurale.

Problemi qëndron kryesisht te mënyra se si organet kompetente përgatisin, dokumentojnë dhe ndjekin kërkesat për verifikim, thuhet në një studim të kësaj organizate.

“Kjo tregon se procedura e dekriminalizimit, në disa raste, nuk dështon për shkak të mungesës së ligjit, por për shkak të zbatimit të dobët administrativ të tij. Kur një organ publik nuk plotëson dokumentacionin, nuk korrigjon mangësitë ose nuk ndjek në kohë kërkesën e vet, procesi i verifikimit të thelluar mbetet i pamundur. Për pasojë, ligji humbet efektivitetin e tij parandalues”, thuhet në studim, sipas të cilit nga 19 personat për të cilët kërkesat nuk janë pranuar, 12 i përkasin kategorisë “zyrtar i lartë”, ndërsa një pjesë lidhet me kandidatë për funksione shumë të rëndësishme kushtetuese.

Por përveç problemeve në ligjin e dekriminalizimit, një sërë pushtetarësh vendorë janë përfshirë në afera korruptive.

Sipas raportit të Prokurorisë së Posaçme për vitin 2025, në një periudhë prej 6 vitesh, nga 61 bashki të vendit, 40 prej tyre kanë pasur dosje të hapura hetimore në këtë institucion.

Gjithashtu, nga 61 kryetarë bashkish, mandati i të cilëve zgjat 4 vite, 16 prej tyre janë përballur me drejtësinë nën akuzat për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Ndërsa edhe 26 të tjerë janë paraqitur në SPAK si të dyshuar, nën hetim, apo për të dhënë deklarime.

Në total, gjatë vetëm gjashtë viteve të fundit, 36 kryebashkiakë kanë hyrë në ambientet e SPAK-ut, ose ndryshe rreth 59% e drejtuesve vendorë në vend.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.