Me pranga të lidhura, libër në duar të titulluar “Mos digjni askënd në turrën e druve sot” dhe mbështetës nga arti e showbizi që e prisnin në sallë, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u paraqit në seancën e Gjykatës Administrative të premten e 8 majit 2026.
Pamjet brenda sallës të mbushur plot u transmetuan vetëm për pak momente, pasi gjykata urdhëroi fikjen e kamerave, duke mos pranuar kërkesën e Veliajt për transmetim live të procesit.
Më pas seanca ka vijuar me deklaratat e kryebashkiakut të Tiranës para gjykatës, në të cilën pretendon se prej më shumë se 15 muajsh po përballet me një situatë që e konsideron të paprecedentë në një shtet demokratik.
Veliaj e përshkruan këtë realitet si paradoksal dhe të krahasueshëm me një situatë që “mund të përshkruhet më saktë vetëm nga një penë si e Dostojevskit”.
Ai thotë se ndaj tij është zhvilluar një proces i gjatë hetimor dhe ndërhyrës, që përfshin “hetimet, përgjimet, kontrollet dhe ekspozimin publik”, duke e cilësuar si një formë “vetingu penal jashtë çdo standardi proporcionaliteti”.
Sipas tij, edhe pse ka bashkëpunuar vazhdimisht me drejtësinë, sot i kufizohen të drejta themelore si aksesi në dosje, komunikimi me avokatët dhe ushtrimi i mandatit të tij si kryetar bashkie.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku pretendoi se kjo nuk është vetëm çështje personale, por një çështje parimore për shtetin e së drejtës, pasi “në momentin kur qytetari humbet të drejtën për kontroll gjyqësor mbi pushtetin, rrëzohet vetë ideja e Republikës”.
Pas prapësimeve të reja të paraqitura nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, si dhe kërkesës së avokatit të Veliajt për më shumë kohë për t’u njohur me provat, seanca u shty për në 19 qershor.
“Sapo mora prapësimet dhe thuhet se unë nuk duhet të legjitimohem se nuk kam interes aktual, personal dhe të drejtpërdrejtë. Unë jam vetë në burg, e nderuar. Kërkoj kohë që të njihem me prapësimet e bëra nga pala e paditur KLP.”, tha Veliaj.
Për rrjedhojë, gjykata vendosi që të shtyjë seancën për më 19 qershor për t’i dhënë kohë Veliajt dhe avokatit të njihet me provat.
Kryebashkiaku i Tiranës ka paditur prokurorin e SPAK, Ols Dado, duke pretenduar se ky i fundit nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe për rrjedhojë nuk plotëson kushtet ligjore për ushtrimin e detyrës. Veliaj gjithashtu ngre pretendime se emërimi i tij në vitin 2008 është bërë në shkelje të ligjit.
Nga ana tjetër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka kërkuar Gjykatës Administrative që Veliaj të mos legjitimohet si palë paditëse në këtë proces ndaj prokurorit të SPAK.
Avokati i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, Plarent Ndreca, deklaroi pas shtyrjes së seancës në Gjykatën Administrative se po ushtrohet presion dhe një “harmonizim institucional” për të mbyllur padinë që lidhet me emërimin e prokurorit Ols Dado në vitin 2008.
Nga ana tjetër institucionet e drejtësisë kanë reaguar me deklarata publike, ku qëndrimet e përfshira në procese hetimore i kanë konsideruar përpjekje për presion nga institucionet e akuzës.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar ndaj sulmeve të vazhdueshme dhe përpjekjeve për presion ndaj prokurorëve të SPAK, duke përfshirë edhe prokurorin Ols Dado.
KLP shpreh shqetësimin për deklaratat dhe etiketimet denigruese që po dëmtojnë integritetin dhe besimin në drejtësinë shqiptare, duke theksuar se çdo ankesë ndaj prokurorëve duhet të trajtohet sipas ligjit dhe brenda kuadrit institucional.
“Çdo përpjekje për të ndikuar përmes presioneve publike apo debatit politik minon parimet e demokracisë”, thuhet në reagim.
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.
























