Ndërtoi urën për familjarët, Gjykata shpall fajtore kryetaren e Bashkisë së Tropojës

Zyra Islamaj shpallet fajtore për korrupsion pasiv, ndërsa ndërtuesi Rrok Gega për korrupsion aktiv. Gjykata i pezulloi dënimet me burg, por i ndaloi Islamajt ushtrimin e funksioneve publike për 5 vite.

303
Zyra Ismailaj
Credits: shteg.org - Zyra Ismailaj

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtore kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, për veprën penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, lidhur me ndërtimin e një ure në zonën e Llugajt, projekt që sipas SPAK synonte favorizimin e familjarëve të saj.

Me vendimin nr. 42, datë 21 maj 2026, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Flojera Davidhi, Bib Ndreca dhe Atalanta Zeqiraj dënoi Islamajn me 2 vite e 1 muaj burgim. Megjithatë, në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien e saj në shërbim prove për një periudhë dyvjeçare.

“Deklarimin fajtor të të pandehurës Zyra Islamaj për kryerjen e veprës penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’ (…) dhe dënimin e saj me 2 (dy) vjet e 1 (një) muaj burgim”, thuhet në vendimin e GJKKO-së.

Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e së drejtës së Islamajt për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.

Në të njëjtin proces, fajtor u shpall edhe ndërtuesi Rrok Gega, i akuzuar për “korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Ai u dënua me 6 muaj burgim, por edhe në rastin e tij gjykata pezulloi ekzekutimin e dënimit duke e vendosur në provë për një vit.

Sipas hetimeve të SPAK, Islamaj kishte përdorur funksionin e saj publik për të favorizuar ndërtimin e një ure pranë banesës së familjarëve të saj në fshatin Luzhë të Tropojës.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera për këtë procedim penal, rezulton se shtetasja Zyra Islamaj (…) është përpjekur përmes një tenderi të hapur, të favorizojë ndërtimin e një ure në dobi të familjarëve të saj”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.

SPAK pretendoi se Islamaj kishte ndërhyrë drejtpërdrejt te ndërtuesi Rrok Gega për ngritjen e urës mbi përroin që kalon pranë shtëpisë së motrës së saj, si dhe kishte planifikuar të angazhonte punonjës të Bashkisë Tropojë për realizimin e punimeve.

“Zyra Islamaj, ka ndërhyrë tek ndërtuesi, Rrok Gega për të ngritur urën mbi përroin që kalon pranë shtëpisë së motrës së saj”, thuhej në dosjen e SPAK.

Hetimet zbuluan gjithashtu se ndërtimi i urës nuk ishte pjesë e procedurave të rregullta të tenderimit. Sipas Prokurorisë, vetë ndërtuesi kishte pranuar se ura do të realizohej si “dhuratë” për kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë.

Çështja lidhet me urën që lidh rreth 1,190 banorë të zonës së Llugajt me qytetin e Tropojës. Sipas të dhënave të siguruara nga “shteg.org”, më herët kishte ekzistuar një projekt tjetër për ndërtimin e urës, rreth 58 metra të gjatë, ndërsa në vitin 2024 ajo ishte ndërtuar nga forcat xheniere të Ministrisë së Mbrojtjes.

Përfundimi i punimeve ishte bërë publik në atë kohë edhe nga ish-kryeministri Pandeli Majko përmes një postimi në rrjetet sociale.

Hetimet ndaj Islamajt nisën më 1 shkurt 2025, pas dyshimeve për shpërdorim të funksionit publik. Ajo ishte emëruar kryetare e komanduar e Bashkisë Tropojë në shtator 2024, pas arrestimit shtëpiak të kryebashkiakut Abedin Kërrnaja dhe zëvendësit të tij Rexhë Byberi, të akuzuar për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.