Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka refuzuar kërkesën e ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi, për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në një masë më të lehtë kundrejt garancisë pasurore, duke e lënë atë sërish në qeli.
Ish-zyrtari i lartë, i konsideruar si një nga vartësit më të afërt të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ndodhet në hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për përfshirje në disa raste të dyshuara korrupsioni dhe pastrimi parash.
Berberi u arrestua më 14 mars 2024, ndërsa sipas SPAK, ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në procedura tenderuese me vlerë miliona euro. Hetimet kanë nxjerrë në pah tetë tendera të dyshuar si të manipuluar, ku përfshihen institucione që Berberi ka drejtuar ndër vite.
Sipas organit të akuzës, gjatë kohës kur ushtronte detyrën si Drejtor i Efiçencës së Energjisë, Berberi ka zhvilluar tre procedura prokurimi me vlerë rreth 1.2 milionë euro, të fituara nga kompania “DAAM”, e administruar formalisht nga biznesmeni Valter Begaj. Megjithatë, Prokuroria pretendon se pronësia faktike e kompanisë i përkiste vetë Berberit.
SPAK dyshon se e njëjta skemë është ndjekur edhe në periudhën kur Berberi drejtonte ARRSH-në. Sipas hetimeve, kompania “DAAM” ka përfituar edhe tre tendera të tjerë me vlerë rreth 1 milion euro.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu një rrjet transaksionesh financiare mes kompanisë “Net Group”, në pronësi të Valter Begajt, dhe shoqërisë “DAAM”. Sipas Prokurorisë, përmes këtyre transfertave janë kaluar shuma të konsiderueshme parash, të cilat më pas janë përdorur për blerjen e pasurive të paluajtshme në emër të kompanisë “DAAM”.
Prokurorët dyshojnë se këto veprime mund të përbëjnë elementë të pastrimit të parave, ndërsa transaksionet financiare përkojnë me periudhën kur “Net Group” rezultonte fituese në tendera të shpallur nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë dhe ARRSH, institucione të drejtuara në atë kohë nga Evis Berberi.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.



























