Ilir Beqaj u paraqit këtë të enjte në seancën e radhës në GJKKO për dosjen e sterilizimit, por ndryshe nga herët e tjera, ai nuk qëndroi në kafazin e xhamit në sallën e gjyqit. Për herë të parë që prej nisjes së procesit, ish-ministri i Shëndetësisë u ul pranë avokatit të tij gjatë zhvillimit të seancës.
Në seancë, Beqaj kërkoi pushimin e çështjes penale ndaj tij, duke pretenduar se akuzat e reja nuk janë ngritur zyrtarisht nga SPAK.
Gjatë seancës, mbrojtja argumentoi se, megjithëse kontrata koncesionare e sterilizimit është nën hetim prej më shumë se dhjetë vitesh, ndaj Beqajt nuk është ngritur asnjë akuzë për korrupsion.
Sipas avokatit të tij, akuzat që përfshijnë edhe elementin e “grupit të strukturuar kriminal” janë sugjeruar nga gjyqtarja e seancës paraprake dhe nuk janë formalizuar me një akt të shkruar nga SPAK.
Sipas mbrojtjes, kjo përbën cenim të së drejtës për mbrojtje efektive dhe bie në kundërshtim me parimin që akuza penale ngrihet vetëm nga prokuroria. Për këtë arsye, kërkesa kryesore ishte pushimi i çështjes penale ndaj ish-ministrit.
Në alternativë, avokati kërkoi pezullimin e gjykimit dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, përmes kontrollit incidental, nëse gjykata vlerëson se gjyqtari i seancës paraprake mund të formësojë akuzën pa një akt formal të prokurorisë.
Përveç dy kërkesave kryesore, mbrojtja paraqiti edhe 16 kërkesa paraprake që lidhen me ligjshmërinë e hetimeve, vlefshmërinë e akteve procedurale dhe përdorshmërinë e provave.
Mes tyre përfshihen pretendime për regjistrim të procedimit pa bazë të individualizuar penale, hetime të kryera jashtë afateve ligjore, refuzim të provave shfajësuese, si dhe përdorim të provave elektronike të marra pa autorizim gjyqësor.
Një tjetër pikë e ngritur nga mbrojtja ishte kërkesa për përjashtimin nga shqyrtimi gjyqësor të 406 volumeve që lidhen me zbatimin e kontratës pas nënshkrimit të saj, me argumentin se ato nuk kanë lidhje me faktet objekt akuze.
Në qëndrimin e tij para gjykatës, Beqaj deklaroi se nuk kërkon t’i shmanget drejtësisë përmes procedurave, por që gjykata të shqyrtojë paraprakisht atë që ai i konsideron shkelje të Kushtetutës, Kodit të Procedurës Penale dhe nenit 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
“Jam i gatshëm të përballem me çdo akuzë dhe për çdo qindarkë dëm të pretenduar ndaj shtetit shqiptar”, deklaroi Beqaj, duke këmbëngulur se është i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Ish-ministri Ilir Beqaj, i akuzuar për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, po gjykohet veçmas që prej majit 2025.
Beqaj ka shërbyer si ministër i Shëndetësisë në qeverinë e parë të Edi Ramës, ku gjatë mandatit 2013-2017 nënshkruan tre kontrata koncesionare me dhjetra milionë euro për shërbime shëndetësore. Prej vitit 2021 deri 2023, ai drejtoi Agjencinë Shtetërore për Programin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës.
Më 30 dhjetor 2025, pas një dekade dështimesh dhe mbi 114 milionë euro të shpenzuara nga taksapaguesit për koncesionin e sterilizimit, qeveria vendosi ta shtetëzojë projektin, duke krijuar shoqërinë aksionare shtetërore “Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit”, me një kapital fillestar prej 200 milionë lekësh, që do të marrë përsipër ofrimin e shërbimeve të sterilizimit.
SPAK po heton prej vitesh koncesionin e sterilizimit, një nga çështjet më të debatueshme të partneritetit publik-privat në sektorin e shëndetësisë.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.



























