Dosja Myzyri kthehet në SPAK për hetime shtesë

SPAK kërkoi pushimin e çështjes, por gjykata urdhëron 45 ditë hetime shtesë dhe akt-ekspertim për procedurën e dyshuar të prokurimit në ARRSH dhe KPP.

316
Jonaid Myzyrit, ish-kryetar i KPP
Credits: LSA - Jonaid Myzyrit, ish-kryetar i KPP

Gjykata e Posaçme ka vendosur të kthejë për plotësim hetimesh dosjen ndaj Jonaid Myzyrit, ish-kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), për të cilin Prokuroria e Posaçme (SPAK) kishte kërkuar më herët pushimin e çështjes lidhur me një tender me vlerë 2.2 milionë euro.

Sipas vendimit të gjykatës, SPAK ka 45 ditë kohë për të kryer veprime shtesë hetimore, përfshirë edhe një akt-ekspertim, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të çështjes.

Hetimet lidhen me dyshimet për një dëm të supozuar ekonomik ndaj buxhetit të shtetit në vlerën prej rreth 2.2 milionë euro, në kuadër të tenderit “Mirëmbajtje rutinë me performancë rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Qafë Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit”, i zhvilluar më 18 shtator 2020 nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).

Sipas SPAK, në këtë procedurë janë konstatuar shkelje ligjore, ndërsa Komisioni i Prokurimit Publik, i drejtuar nga Myzyri, dyshohet se ka favorizuar bashkimin e kompanive “AEK MUNELLA” dhe “DRINI-1”, të cilat kanë fituar tenderin me dokumente të dyshuara si të falsifikuara.

Jonaid Myzyri, i emëruar me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2020 si kryetar i KPP-së me mandat 5-vjeçar, është paraqitur për herë të parë në Prokurorinë e Posaçme më 7 prill 2025. Fillimisht ai është thirrur si person në dijeni në kuadër të hetimeve për procedurat e tenderave gjatë viteve 2020-2023.

Më 22 prill, ai është marrë në pyetje për më shumë se tre orë si person nën hetim, ndërsa dy muaj më vonë është marrë i pandehur nga SPAK.

Në kuadër të këtyre hetimeve, më 24 qershor 2025, Gjykata vendosi pezullimin e tij nga detyra.

Përveç Myzyrit, SPAK ka kërkuar gjithashtu pushimin e hetimeve edhe për anëtarët e KPP-së Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj dhe Enkeleda Bega.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.