GJKKO lë në burg Ilir Beqajn, rrëzohet kërkesa për zbutjen e masës

Ish-ministri ofroi 2 milionë lekë garanci pasurore dhe kërkoi lirinë në dosjen SASPAC, por gjykata vendosi vijimin e paraburgimit për akuzat mbi abuzimin me fondet e BE-së.

265
Arrestohet Ilir Beqaj
Credit: LSA - Ish Ministri Ilir Beqja

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të butë.

Beqaj do të vijojë të qëndrojë në paraburgim për dosjen e njohur si “SASPAC”, ku ai akuzohet për abuzim me fondet e Bashkimit Evropian gjatë kohës kur drejtonte Agjencinë Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës.

Në seancë, ish-ministri ofroi një garanci pasurore prej 2 milionë lekësh, duke argumentuar gjithashtu se vendimi i fundit unifikues i Gjykatës së Lartë mbi masat e sigurisë kërkon një standard më të lartë argumentimi për mbajtjen në paraburgim. Megjithatë, GJKKO vendosi të mos ndryshojë masën e sigurisë.

Ilir Beqaj ndodhet në paraburgim që prej 4 korrikut 2024, kur u arrestua me urdhër të SPAK në kuadër të hetimeve për fondet e programit EUSAIR dhe projektet e administruara nga SASPAC.

Sipas SPAK, gjatë viteve 2022–2023, Beqaj dyshohet se ka organizuar procedura fiktive prokurimi dhe ka favorizuar tenderë të paracaktuar për aktivitete të financuara nga fondet e Bashkimit Evropian. Hetimet pretendojnë se një pjesë e shërbimeve janë realizuar vetëm në dokumente, ndërsa fondet janë përfituar në mënyrë të paligjshme përmes faturave fiktive dhe kompanive të lidhura me skemën. 

SPAK ka bërë me dije se të paktën tetë procedura prokurimi të lidhura me konferenca dhe aktivitete të programit EUSAIR janë kryer në kundërshtim me rregullat e Bashkimit Evropian për fondet IPA, ndërsa fituesit e tenderëve dyshohet se ishin përcaktuar paraprakisht. 

Ndaj ish-ministrit rëndojnë disa akuza, përfshirë “korrupsion pasiv”, “shkelje e barazisë në tendera”, “falsifikim dokumentesh”, “mashtrim”, si dhe “fshehje pasurie”. Sipas hetimeve, ai dyshohet gjithashtu se ka fshehur interesa financiare në restorantin “Gzona” dhe pasuri të tjera të padeklaruara. 

Paralelisht me dosjen SASPAC, Ilir Beqaj është nën hetim edhe për koncesionin e sterilizimit në shëndetësi, një nga çështjet më të debatuara të viteve të fundit në sektorin publik shqiptar.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.