Presioni publik dhe kërkesat e përsëritura për daljen e të pandehurve nga i ashtuquajturi “kafazi i qelqtë” në sallat e gjyqit duket se kanë prodhuar një precedent të ri në praktikën gjyqësore.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka pranuar kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj për t’u gjykuar jashtë kafazit të sigurisë në sallën e gjyqit. Vendimi pritet të zbatohet nga seanca e radhës, pasi të njoftohet Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për marrjen e masave përkatëse, duke i mundësuar atij që të qëndrojë pranë mbrojtjes gjatë procesit gjyqësor.
Këtë të martë, në GJKKO u zhvillua seanca për dosjen e njohur si “Sterilizimi”, ku Beqaj është marrë i pandehur nga SPAK. Gjatë seancës, ai kërkoi të ulej pranë avokatit të tij për të lehtësuar komunikimin gjatë procesit.
Avokati mbrojtës, Ermal Yzeiraj, kërkoi nga gjykata që i pandehuri të jetë fizikisht pranë mbrojtjes, duke argumentuar se konsultimi i vazhdueshëm është i domosdoshëm.
“Duhet të jetë afër avokatit dhe të konsultohet vazhdimisht. Merrni masa që Beqaj të shoqërohet në sallë. Kushtet më të favorshme i ka Gjykata e Posaçme,” u shpreh ai.
Kërkesa u pranua nga gjykata pa kundërshtime nga organi i akuzës. Gjatë seancës nuk mungoi as ironia e vetë Beqajt, i cili u shpreh për distancën fizike nga avokati për shkak të kafazit të xhamit: “Kështu është kur nuk merresh vesh me avokatin tre metra larg, salla me pesë yje,” tha ai me ironi.
Kjo deklaratë vjen vetëm një ditë pasi në një tjetër çështje, prokurori Ols Dado kundërshtoi kërkesën për daljen nga kafazi, duke e quajtur sallën e gjyqit “me pesë yje”, në një debat të ngjashëm mbi kushtet e sigurisë në proceset penale.
Ndërkohë, kërkesa të ngjashme për gjykim jashtë kafazit janë bërë edhe nga ish-presidenti Ilir Meta dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, por deri më tani ato nuk janë pranuar nga gjykata.
Sa i përket çështjes së “Sterilizimit”, Beqaj akuzohet për vjedhje përmes “shpërdorimit të detyrës” dhe “grup të strukturuar kriminal”. Sipas dosjes, hetimi lidhet me kontratën për shërbime të integruara në sistemin spitalor, përfshirë furnizimin me instrumente kirurgjikale, materiale sterile njëpërdorimëshe dhe trajtimin e mbetjeve biologjike, një marrëveshje e nënshkruar në vitin 2015 me vlerë rreth 100 milionë euro.
Prokuroria pretendon se Beqaj ka favorizuar biznesmenin Ilir Rrapaj, përfitues i koncesionit, duke mos respektuar procedurat ligjore. Për këtë çështje janë marrë të pandehur edhe tetë persona të tjerë, mes tyre ish-zëvendësministri Klodian Rrjepaj dhe vetë Rrapaj, si dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë.
Rrjepaj dhe Rrapaj u liruan më 17 prill 2026, pasi dënimi i tyre u konsiderua pothuajse i shlyer për shkak të kohës së gjatë të kaluar në paraburgim që prej arrestimit në vitin 2023. Fillimisht ata ishin dënuar me nga gjashtë vite burg, dënim që u reduktua në katër vite pas gjykimit të shkurtuar. Të dy u shpallën fajtorë për shkelje në procedurat e koncesionit, ndërsa u liruan nga akuza e “grupit të strukturuar kriminal”.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.


























